Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NDRITJA E NDRIÇIM XHEPËS   

Kam shkruar thuajse për të gjithë aktorët që më pëlqenin, që i admiroja për talentin e tyre, shkrime të veçanta, recensione, portrete krijuse, po edhe libra me karakter monografik, të cilët ,”ma mbushnin shpirtin” katërcipërisht, me aktrimin e tyre, si i thonë fjalës, kur “vera e fortë e vringëllin përpjetë tapën e vet”!… Dhe jam “stepur” gjithmonë para të birit të Margaritës, që grekët e kanë quajtur “Diva Shqiptare”, ndërsa vetë shqiptarët e shpallën “Nderi i Kombit”, si një nga ikonat e shenjtëruara të aktrimit. Ndofta edhe sepse,-NDRIÇIMI, kishte debutuar në një “hark kohor”, kur nuk kisha mundësi ta ndiqja dhe, sikundër e njoha, nga skena e ekrani më pastaj, emri i tij, më ndriste ca më tepër,si një “Yll Qiellor”,- një nga aktorët më simpatikë, elegantë, me trup atleti, të lartë e të bukur, po kryesisht, për nga gama e talentit, kompleksi interpretativ, mjeshtëria, vrullet pasionante, lirike e dramatike, gjithëheri me humorin e lehtë e shpotitë e lezetshme në jetë, po sidomos me ato “zhytje” në psikologjinë e çdo personazhi në skenë, që e kapërcejnë vetveten, rrethin shoqëror, artistik, teatror e prindëror, mbase edhe prej atij “ligji të pa shkruar” që thotë se, si bijtë e bijat, vjen një ditë e ua kalojnë edhe prindërve e mësuesve të tyre….

E ndjeja këtë “vështirësi”,-që nuk ishte aspak e lehtë,-edhe tek shkrova librin me afro 300 faqe për Margaritën, nënën e tij, e cila më thoshte se, ndaj të birit nuk ka ushtruar asnjë “shtyrje” për t’u bërë aktor dhe ai, kur befas u bë i tillë, me ca shokë të gjimnazit “Qemal Stafa”, pa i thënë kurfarë gjëje së ëmës, si edhe po kaq rastësisht kishte shkuar të konkuronte në ditën e fundit e orën e fundme, për të fituar me domosdo. Se është dhe “geni i brendshëm” që e ysht njeriun! Po ai kishte edhe “lepurin në bark”, tek mendonte se nuk do t’i jepnin shkollë kurrsesi edhe këtij nipi të një të burgosuri politik, sikundër qe në atë kohë Beqir Xhepa, i vëllai i të atit Xhavit Xhepa, aktorit me zë bilbili të”Teatrit të Kukllave”. Se qe edhe një kohë e trishtë, e varfër dhe mizore, kur e ëma artiste, nga më të bukurat që e kishte teatri ynë fatlumrisht e që edhe sot, pas 8 dekadash e ruan akoma nurin e moshës, raskapitej në punët e shtëpisë, lante e fshinte, gatuante për tre djemtë e saj, për të cilët ngrihej që me natë e me vrap të zinte rradhën me shishen e  qumështit, për një “pikë qumësht” e duke mërmëritur fjalët që i duheshin personazhit në provat e mëngjesit e në rolin e përgatitur të mbrëmjes, për të qenë njëherësh: një nënë e mirë edhe në skenë, një nikoqire në shtëpi, një recituese në sheshet publike, nëpër repartet ushtarake e fabrikat, e vetme përballë jetës, me një bashkëshort të ikur para kohe nga jeta, për të qenë heroinë atje në Teatër, si edhe një princeshë si Ofelia e Shekspirit, apo një mbretëreshë, si Hekuba e Trojës… Dhe, në krahun tjetër, kur edhe unë do të gjendesha përkrah Beqir Xhepës në Burgun e Ballshit, duke vënë re se atij do t’i dridhej buza tek mendonte edhe për “hijen “ që i kishte lënë të nipit, pa kurrfarë faji! “Kjo botë u shthur, o prapësi, o dreqë…”,-thërriste me dëshpërim princi Hamlet atje, në kështjellën Elsinor të Danisë…

Pas daljes nga “hekurat e riedukimit”, as që mendoja se mund të takohesha me ndonjerin nga studentët e mi, as me kolegët, as me Çimin 25-vjeçar që kishte filluar të ndriste nëpër ekrane dhe që, po më gëzonte tek e shikoja të interpretonte bashkë me të ëmën nëpër filma. Sidomos në filmin e pare ”Shokët”. “Nuk e pata unë atë rol në fillim, -shkruan për librin tim Ndriçimi, po as Margarita nuk e kishte rolin e saj, po rrethanat qenë të tilla që më vonë do t’i loznim ne të dy, nënë e bir, po të njëjtat role si edhe në jetë. E ndjeva në sheshin e xhirimit se dhe ajo pati një farë sikleti duke më patur mua përpara si partner”… Më tej, më shkruan se përzgjedhja e aktrimit qe krejtësisht e tij, diçka e natyrshme dhe e vetvetishme, që do të pasohej edhe në 70 filma të tjerë, si edhe me afro 200 role në skenën e teatrit…. Dhe pastaj,-vazhdon me tej Ndriçimi,-do të vinte edhe periudha tjetër, kur në jetën tonë familjare do të zinin vënd kritikat për njëri-tjetrin, gjithmonë të karakterit artistik. Sigurisht një raport i këndshëm… Qe koha kur Ndriçim Xhepa, po tërhiqte vëmendjen e publikut, jo thjesht si i biri i Margaritës,-djaloshi tërheqës,- po dhe si aktor interesant, me një natyrshmëri të lartë, me ndijesi lirike, rinore, i ëmbël e pasionant. Filmi “Flutura në kabinën time”,qe pikërisht i kësaj periudhe, e sillte vërtetësi e një atmosferë të këndshme, sidomos për brezin e ri të sakrificave, teksa përcilleshin edhe mesazhet partiake të asaj kohe, që rinia e vëndit duhej të shkonte gjer në skajet më të thella malore, për të shpëne atje “jetën e re të socializmit”! Me këtë frymë  do ta angazhonin Ndriçimin edhe në filmat e tjerë, si ”Duaje emrrin tënd”, “Vendimi”, ”Të mos heshtësh”, ”Hije që mbeten pas” e tjerë, të cilat u realizuan gjatë viteve ‘80 të shekullit që “perëndoi”… Do bënin njëfarë dallimi në frymëmarrje, vetëm filmat “Telefoni i një mëngjesi” e “Treni niset në 7 pa pesë”, në fundin e këtij dhjetëvjeçari, që do të mbyllte edhe “perden e hekurt” të diktaturës më të egër që ka parë bota…

Qe gjithashtu fillimi i “ikjes së madhe”, “nga sytë këmbët”, se mos riktheheshim përsëri, në atë “trazirë” të madhe të humbjes… Iknim nga të mundnim, nëpërmjet ambasadave të huaja, përmes detit dhe nëpërmjet një kufiri që befas u hap për ne të mjeruarit! Tok me shpresën e një kthimi, sa të ndërronte sistemi i mallkuar e të vinte liria e dëshiruar. Të na ikte frika e dëshpërimi… Në këtë “iluzion optik të mëndjes” ika dhe u ktheva edhe unë, nga Greqia, ku mezi kisha vajtur me një “kërthi” djalë mbi supe e kisha përfunduar në Atikën e Homerit. Atje, do të jetoja në një “barangë lëvizëse, me rrota” që do të përmbytej nga ujërat e që do të “përrnbyste” edhe mendimet e mia të mbrapshta e ato “erëmirë”… Ndryshimi kishte ndodhur,-siç shkruanin gazetat, ndërkohë që e gjithë bota e kishte përshëndetur, thuheshin fjalë të bukura nëpër metingje, ndërsa në Institutin e Arteve qenë vënë në krye ish studentët e mi e njëri prej tyre qe bërë ministër, tjetri ishte dërguar si ambasador në njërin prej atyre vendeve të huaja “armike” që ne e mallkonim ditën e natën. Kështu që u ktheva, bashkë me një kamion me rraqe të mbledhura andej-këndej. Studentët e mi (tashmë pedagogë), më mirëpritën, duke më besuar të jepja mësime në “Mjeshtërinë e Aktorit”, bashkë me një kolegun tjetër, që do të ishte pikërisht ky Ndriçim Xhepa, i biri i talentuar i Margaritës. U lumturova! Ca më tepër se sapo kisha filluar të shkruaja monografinë e saj… Po më së shumti u lumturova në krye të vitit, kur dhamë “provimin e përbashkët” të studentëve, me etyde e fragmente, që ish studenti im Birçe Hasko, me goxho karrierë të gjerë në atë kohë dhe Gëzim Kamia gjithashtu, thanë fjalë të sinqerta entusiaste, duke shtuar se nuk i pata harruar ato principe teorike e praktike të krijimtarisë artistike, pas një kalvari e shkëputjje 36-vjeçare! Dhe akoma, që kisha gjetur edhe “gjuhën e përbashkët” me një aktor e pedagog të ri, si Ndriçim Xhepa, që e kishte evidentuar koha talentin e tij, në mënyrë të padiskutueshme. Po nuk qe kismet të vazhdoja ende me të dhe pikërisht aty, kur nuk m’u bë emërimi definitiv si pedagog e kur, sikundër pandeva unë, ende nuk ishte krijuar “klima e nevojshme” për ne që kishim dalur nga “burgjet e diktaturës” të kthyer në “fantazma”, që trembnim dhe “zogjtë në fluturim”! Por qe edhe diçka tjetër: “faktori ekonomik”që çalonte dhimbshëm! Sa më paguanim këtu, si “pedagog i jashtëm” për një muaj, aq më jepte në një ditë atje, në fabrikën e tij elektro-teknike, pronari grek! Megjithatë nuk do ikja përsëri, në se do më mbanin me dokumenta të rregullta. Nuk qe “e mundur” që të isha edhe këtu, si atje, pa dokumenta të rregullta! Ja thashe edhe Çimit brengosjen time dhe ika përsëri! Të paktën, nuk do më kthenin kurrizin të njohurit e mi të dikurshëme dhe bile, nuk do t’i shikoja më surratin atij personit që “xheç kishte në dorë”  të më ndihte për ta realizuar këtë, kur e pati më të lehtë, të me vinte “stërkëmbthin”, nga xhelozia, se mund t’i “bëja hije” derëziut!

Dhe me Çimin do të takoheshim më të rrallë, pas rivlerësimit e dekorimit tim nga Presidenti i Republikës, që në vitin 2005, ndër festivalet teatrore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Serbi… Unë si kritiku i Teatrit dhe ai si Kryetar Jurie, në më të shumtën e herës. Si miqë të mirë tashmë, kur pinim së bashku ndonjë kafe “me bisht” dhe ai i dëgjonte me respekt mendimet e mia… Po që, do ta kisha edhe më pranë, emocionalisht, nëpërmjet ekranit, kur ai do të ishte më i zgjedhuri për kineastët e më i preferuari për publikun e gjërë. Ç’kishte ndodhur!? Ndriçim Xhepa qe afirmuar me interpretimet e tij filmike, sa qe bërë, me të drejë një “YLL I KINEMASË”. Aqsa do më pëlqente t’i shikoja dy herë disa krijime të përkryera të tij, si tek drama “Kapitulli i dytë” e Nil Simenonit, me regji të Met Xheliliit dhe “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” të T. Dorstit, me regji të Gëzim Kames,- dy spektakle të mrekullushme. Si edhe me filmin “Dasma e Sakos”, me skenar të Vath Koreshit e regji të Vladimir Priftit, tek zbulon “bagazhin kompleks” të artistit të madh, drejt rrënimit njerëzor!… Pa i nënvlerësuar edhe kryvepra të tilla si “Vdekja e Komisionerit” e Artur Milerit, “Vdekja e Dantonit” të Byhner, “Portreti i Dorjan Greit” të Oskar Uajlldit, “Romeo e Xhuljeta” e Shekspirit në Teatër. Po edhe me një sërë filmash si: “Koha e Largët”, “Hije që mbeten pas”, “I dashuri Armik”. Zot i kamerës!… E të tjera e të tjera, si aktori më i kërkuar e më i suksesshmi. Që e ka ndjerë edhe sprovën më të madhe të aktrimit, me interpretimin e “Mbretit Lir” të Shekspirit, në skenën e Shkupit, duke përballuar edhe forcën diabolike të kollosit të Rilindjes Angleze, si një “etallon i lartë aktrimii”!

Në pamundësi për t’i veçuar krijimet e tij të shumta, le të mbetemi më mirë në ato tipare interpretuese të individualitetit dhe origjinalitetit të tij krijues e novator: Që e sjellin “qetësinë filmike “edhe në teatër, duke eleminuar përfundimisht “teatralitetin“ e dikurshëm nëpër filmat tanë, që cenonte nivelin artistik,-qoftë dhe pjesërisht,- si edhe vërtetësinë në natyrësinë e interpretimit. Po kjo “qetësi”, në pamjen më të parë, është njëherësh e “vullkanizuar” së brendëshmi, që pret çastet e përplasjeve e të shpërthimeve të pasioneve njerëzore, përmes një llogjike, sa të “ftohtë” a të ”ndezur”, aq edhe shpërthyese. Me diksionin e pastër të gjuhës, me timbrin e butë, me shpirtin që vibron, me frymën që mbush e zbraz krahërorin e tij, pa u kuptuar fare dhe pa asnjë grimasë a ngërç të mbetur në fytyrën e aktorit elegant e me etikën e përsosur të një artisti universal, bashkëkohës. Si edhe me “planet e brendëshme” të aktorit, me plot “vorbulla” për seicilin personazh… Që di të zhbirojë, pa iu dridhur qerpiku. Pa bërë asnjë lëvizje fizike dhe asnjëherë i ngurtë. Me heshtjen që flet edhe kur nuk ka tekst… Ndriçim Xhepa është virtuoz në këto kalime të brendshme ngjarjesh, situatash, veprimesh e rengjesh çfardo, kur nuk i shpëton asgjë syrit të tij, kurrfarë reagimi e tonaliteti, në marrëdhënien ma partnerin, po edhe në adresimin e batutës tek spektatori më i fundit i galerisë. Sugjestionues i saktë i “goditjes”, me plot jetë dhe kulturë, në etikën dhe mjeshtërinë europiane  të aktrimit.

Të kisha mbështetje, do të shkruaja për të, jo më 300 faqe libër, sa bëra për nënën e tij aktore, po edhe 200 faqe më tepër. Se ke çfarë thua për rolet e tij, edhe pse vazhdojmë të jemi në “krizën armiqësore” me librat në veçanti e me leximet në përgjithësi. Po edhe me TEATRIN si institucion, jo dhe aq i përfillur! Pa le, me kritikët që “nuk i shohin dot me sy”, duke “i mbajtur” ata, sa më larg premierave e festivaleve! Mandej edhe me atë koncept mediokriteti, të disa zyrtarëve a të disave, duke mos e quajtur “Punë, punën e tyre (!?)”, po njëfarë “pasa tempo”, për kalimin e kohës së lirë! Pa e vlerësuar,-nga të dyja krahët,- edhe reagimin kritik, analizën apo botimin në gazetë a faqe libri, krijimtarinë e kritikut të teatrit dhe asnjëherë të respektuar e të paguar!… Pa bërë fjalë për “bishtnimin” e sponsorizimit të librave për artistët e skenës e të ekranit, që janë e mbeten në shpirtin e publikut, nga ana e atyre zyrtarëve, të cilët (më pas), i harron e i fshin koha! Po libri, ama, mbetet!… A nuk isha unë që kam “trokitur në derë të shurdhit” për të 36 librat e mia? Të gjitha sponsorizmiet e mbështetjet, sikur bëhen vetëm për pak persona, aty në rrethin vicioz të zyrtarëve që kanë në “duart e tyre” edhe paranë! Si një “privilegj” që nuk shkon më përtej tyre, duke na përcjellur dhimbshëm! “Tiganisu me dhjamin tënd, o njeri”,-sikur thonë. Qenka e thënë vërtetë që “njeriu i librave” të iki nga kjo botë, tok me shpresën e tij, tek nuk më erdhi asnjë përgjigje favorizuese edhe tani, për 10 kërkesat e mia, për librin e ri me ese, shkrime kritike e portrete artistësh të tjerë, nga instancat më të larta “mbështetëse”! As për 6 figurat më të shquara të kombit, më përpara. As edhe një promovim a sesion shkencor për vlerat e përvojën e tyre universale, nga teatrot apo nga Akademia e Arteve (!)

Shwmbëlltyra më paradoksale,qe ajo ndaj librit për Margaritën,“DIVËN SHQIPTARE”, kur unë do t’i lutesha asaj të “përpiqej” për sigurimin e ndonjë mbështetjeje “nga lart”, duke e ditur që të gjithë se  AJO, “Diva jonë e Artit”, nuk la asnjë podium, skenë apo shesh të Republikës pa u ngjitur me recitimet e  saj pasionante, për ardhjen e lirisë së shprehjes e të rendit demokratik dhe u gënjye, mjerisht, si prej një ministri kulturor (profan), edhe  prej një Kryetar Bashkie (po kaq profan!), për ta mbështetur këtë libër (vuajtjesh e ngadhënjimesh njëherësh), për këtë Zonjë të Lartë, të shpallur edhe  si “Artiste e Popullit” e “Nderi i Kombit”, që i ka dhënë Shqipërisë bashkë me bashkëshortin këngëtar dhe të birin e tyre të famshëm, NDRIÇIM XHEPËN, shumë herë më tëpër, me miliona herë, se sa ata, që sapo duken edhe zhduken, si në një “arenë cirku”?! Duke e përcjellur, me fjalë “me lulka”e me “gurë në trastë”, ikonën e madhe të artit shqiptar, që e donte dhe e kërkonte këtë libër,-si një kënaqësi shpirtërore, pse jo, edhe ajo: asnjëherë e paguar për vlerat e saj kolosale, sikundër edhe unë, kritiku, i “deklasuari” i armatës së artistëve më pak të vlerësuar e të papaguar në botë, që lindin e vdesin të varfër e të këputur në mjerimin e tyre, sikundër i gjori Mihal Stefa,-aktori i madh i roleve të vogëla,- në një kasolle prej qerpiçi në “Varrin e Bamit”, ndërkohë që na iku edhe plejada jonë e artë, po kaq të varfër, me kolegët e Ndriçim Xhepës: me Bexhet Nelkun, Serafin Fankon, Edi Luarasin, Bujar Lakon, Vangjush Furxhiun, Agim Qirjaqin, Rikard Ljarën, Fatos Selën, Hajrie Rondon, Albert Vërrinë, Koço Devolen, Llazi Serbon, Minella Borovën, pa përmendur edhe të tjerë, si edhe të gjallët që dolën edhe ata në pensionin e tyre të trishtuar, që i dhanë aq shumë skenës e ekranit tonë dhe morën fare pak! Duke mbetur vetëm “të pasur nga shpirti, si edhe “xhepshpuar!”,-sikundër thonë! Po ja që ndodh edhe kështu…

Nga libri në proces botimi: “DRITËHIJET E SKENËS DHE EKRANIT”, Athinë, Mars 2023.

Please follow and like us: