Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Më mungon…

 

Më mungon një buzëqeshje,

Balli i nënës plot me vija,

Më mungon një mik i hershëm,

Më mungon gjithë Lunxhëria.

 

Më mungon një degë hardhie,

E harkuar përmbi derë,

Më mungon një grusht me yje,

Atje mbi malin e Gjerë.

 

Më mungon një udhë e vjetër,

(Ah kjo udhë të qetë s‘më le)!

Ku kalonte fëminia,

Fëmijëria që s‘është më.

 

Më mungojnë ca flokë dëbore,

Që ma çmendnin shpirtin fare,

Më mungon një flutur prilli,

Përmbi xhamin në dritare.

 

Më mungon një zile shkolle,

Fshehur viteve të mallit,

Më mungon hënë e vendlindjes,

Si gjerdan në gushë të malit.

 

Më mungon një vjeshtë e bukur,

Një violinë ku luan era,

Më mungojnë ca këngë zogjsh,

Një lëndinë me luleshqera.

 

Më mungojnë ca kalldrëme,

Udhë të gurta, e të pastra,

Më mungon një buzëqeshje,

Më mungon gjithë Gjirokastra.

 

Më mungon një degëz shelgu,

Që njom degët nëpër lumë,

Më mungon një rrugë shkolle,

Më mungon dikush kaq shumë.

 

Vite vijnë e vite shkojnë,

Eh, sa gjëra më mungojnë.

Please follow and like us: