Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Vota e lirë, në rrezik në Shqipëri

 

Për Shqipërinë e këtyre 30-viteve “post-komunizem”, nuk është asgjë e re. Vota e lirë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri kanë shumë për t’u dëshiruar gjatë tre dekadave të fundit. Ndryshimi me të kaluarën e zgjedhjeve në atë vend me zgjedhjet që do të mbahen në Maj, është se kësaj radhe duket sikur shteti, qeveria, partitë politike, madje edhe gjykatat në Shqipëri si dhe përfaqësues dilpomatikë të caktuar ndërkombëtarë në Tiranë— janë lidhur besa-besë për t’i mohuar votën e lirë rrreth 50 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023. Nëqoftëse dikush e ka paramenduar krijimin e kësaj gjendjeje politike elektorale si një eksperiment djallëzor për të minuar lirinë, demokracinë dhe opozitarizmin politik në Shqipëri— bravo u qoftë, ia kini dalë! Në vend që faktorët e lartpërmendur që janë të përzier me gishtat e tyre të ndyrë në këtë lamsh politik të mirëllogaritur, në përgatitje e sipër per disa vite tani — por të cilit tani nuk i dihet filli — të luftonin kundër diskriminit në pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve pa dallim në votime të lira, entet qeveritare, gjykatat, partitë politike shqiptare dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, duket se kanë rënë dakort në heshtje që për qëllimet e tyre antishqiptare t’i mohojnë votën e lirë gjysmës së shqiptarëve në zgjedhjet vendore të 14 Majit.  Dhe në këtë proces të minojnë, njëkohësisht dhe në përgjithësi, edhe lirinë e demokracinë, në një vend ish-komunist dhe tani anëtar i NATO-s. Asnjë përparim nuk është bërë në këtë fushë ndër vite në Shqipëri,  sipas raportit të posabotuar të ‘Freddom House’. Sot për sot, fatkeqësisht, në Shqipëri nuk ekziston e drejta e barbartë për të gjithë dhe pa dallime politike për të hedhur votën e lirë në zgjedhjet e Majit që vjen. Kujt t’i drejtohet votuesi shqiptar për sigurimin e votës së lirë për veten dhe për familjen? Kush e mbron këtë të drejtë për shqiptarin sot kur të gjitha entet politike e juridike dhe diplomatët ndërkombëtarë të cilët, me mbështetjen e tyre të hapur ose me heshtjen e tyre për gjendjen anti demokratike të krijuar në vend,  kanë shkelur dhe po shkelin çdo normë ligjore vendore dhe standardet ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike në Shqipëri, ashtu si i ka hije një shteti anëtar të NATO-s. Në çdo vend normal demokratik të botës, entet juridike dhe politike si dhe ndërkombëtarët në Tiranë e kanë për detyrim moral dhe përgjegjësi politike që të përpiqen e të sigurojnë me çdo kusht të drejtën dhe votën e lirë për çdo votues shqiptar. Pse kjo nuk po ndodh sot në Shqipëri? Dhe pse përgjegjësve për gjendjen e krijuar politike djallëzore dy muaj para zgjedhjeve, nuk u kërkohet llogari nga votuesit dhe nga shoqëria shqiptare për mbytjen e opozitarizmit politik në Shqipëri? A por të gjithë mendojnë se duhet votuar për një parti dhe kjo tashti  quhet demokraci? Në Shqipëri është krjuar vërtetë një kaos politik të cilit në ditën e votimeve nuk do i dihet halli. Entet politike, partiake si dhe gjykatat —shteti dhe qeveria shqiprare, pra —para syve të ndërkombëtarëve në Tiranë dhe me miratimin e tyre po sillen me mospërfilljen e votës së lirë të shqiptarëve, si organizata e dikurshme e ‘Ku-klux-klan’ në Shtetet e Bashkuara, për t’u mohuar të drejtën e votës afrikano-amerikanëve. Disa ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden vizitoi qytetin Selma në Alabama me rastin e përvjetorit të “Bloody Sunday”, me qëllim për t’u riangazhuar – në nivelin më të lartë qeveritar – ndaj votës së lirë në Amerikë, si një gurthemel i demokracisë dhe i të gjithë lirive të tjera të njeriut, të dhëna nga i Madhi Zot, për të gjithë amerikanët dhe të gjithë njerëzit kudo në botë dhe pa dallim partie, feje a krahine. “Në këtë urë është derdhur gjak për të shpëtuar shpirtin dhe frymën demokratike të Amerikës”, është shprehur Presidenti Buden në vizitën e tij këtë javë në Selma të shtetit Alabama—duke folur në mbrojtje të votës së lirë për amerikanët. Nëqoftëse entet qeveritare, politika dhe gjykatat shqiptare nuk veprojnë në mbështetje të votës së lirë në atë vend, kush do i mbrojë liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në zgjedhjet e 14 Majit? Kush do e mbrojë demokracinë dhe lirinë e votës për të gjithë shqiptarët pa dallime partiake— dhe jo vetëm të gjysmës së shqiptarëve? “Një njeri pa të drejtë vote është një person i pa mbrojtur”, ka thënë ish presidenti amerikan Lyndon B. Johnson. “Liria e votës është një e drejtë e çmuar për të cilën, pothuaj për dy shekuj, amerikanët kanë luftuar dhe kanë vdekur për të mbrojtur atë të drejtë. Të gjithë ne le të nderojmë sakrificën e tyre në ditën e zgjedhjeve, qofshi ju republikanë, demokratë ose të pavarur — me votën tuaj tregoni se jeni të interesuar në të ardhmen e vendit tuaj, Amerikës. Zoti u bekoftë”! Fjalët e ish -Presidentit Reagan drejtuar të gjithë amerikanëve pa dallime politike, për të marrë pjesë në zgjedhje. (18 Tetor, 1986). “Zgjedhjet i përkasin popullit”, ka thënë (Abraham Lincoln). Jo politikanëve, partive, gjykatave dhe ndërkombëtarëve të korruptuar!  Kjo gjendje aktuale e krijuar në Shqipëri sot, dy muaj para zgjedhjeve vendore të 14 Majit, është thellësisht e rrezikshme për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, por mbi të gjitha është një rrezik i madh për liritë bazë dhe për demokracinë shqiptare, në përgjithësi, sot dhe në të ardhmen. Sa më parë që ta kuptojnë këtë fakt të rëndë, faktorët e brendshëm politikë dhe juridikë  të vendit, si dhe ndërkombëtarët e përzier në këtë lëmsh politik djallezor, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë, për lirinë dhe demokracinë e atij vendi të vuajtur për porhuaj një shekull tani nga një prej regjimeve me barbarë komunistë që mohonte votën e lirë, demokracinë dhe liritë bazë të njeriut. Mjaft është mjaft! Shqipëria dhe Kombi shqiptar meritojnë më shumë dhe më mirë nga institucionet shtetëtore dhe qeveritare si dhe nga miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Shqiptarët dhe Shqipëria si pjesëtare e një vendi anëtar i NATO-s, meritojnë – në minimum – të drejtën e votës së lirë si një mjet të shprehjes së lirë politike se për kë dëshirojnë të votojnë më 14 Maj.

Please follow and like us: