Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Olldashi: “Edhe një herë”

Mbyll derën me inat. Dëgjoj përplasjen e saj dhe shkërmoqjen në mijëra copëza të nervave të mia. Isha lodhur shumë dhe më dukej absurde që përfundonte gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Si nuk mësova nga herët e tjera t’i rezistoja shpërthimeve të saj dhe të sillesha ndryshe?! Në çdo diskutim, kaq shumë fjalë. Kaq shumë inate. Edhe kur flisnim për gjera banale, si politika apo ndeshjet e futbollit. Durimi më është lodhur. Kur ishim të rinj, mjaftonte t’i prekja flokët, t’i fusja gishtat dhe t’i lëvizja zigzage mbi lëkurën e kokës. Qetësoheshim të dy. Asaj i zbutej bisha që kishte brenda vetes, ndërsa unë humbisja në prekjen e dy substancave, kaq të panjohura dhe kaq fort të lidhura me njëra-tjetrën. Pastaj, më përqafonte dhe humbisja mbi puthjet e të gjithë nishaneve të kurrizit. Vetëm kur isha tek puthja e fundit, perceptoja qetësimin e nervave. Mishi humbte tendosjen dhe bëhej elastik, duke bashkëpunuar me prekjet e mia. Ndërsa sot, edhe sikur ta kisha të njejtën dëshirë, nuk e di nëse do të funksiononte njëlloj joshja. Jo vetëm që trupi i ka ndryshuar, nishanet janë zmadhuar dhe, po ashtu si mishi, i rrëzohen drejt tokës. Ajo e njeh më mirë se unë plakjen e trupit dhe i largohet pranisë së syve të mi. Vishet me rroba të gjëra, bluza, funde. Flokët i mbulojnë çdo tipar, i mbulojnë rrudhat dhe derdhen mbi supet e rëna. Vetëm kur ma përplas trishtimin dhe dhimbjen, qënia i kthehet në shigjetë, që kërkon të shpojë çdo shqisë timen. Duhet ta pranoj që, kohët e fundit, thika e vështrimit të egër ngulet shpesh mbi mua, sa nuk e di a do të mund ta duroj. Kam menduar të largohem. Më lodh, më dhemb, më tremb e gjitha, sikur jeta të jetë vetëm kjo. Dy njerëz bashkohen për ta ndarë peshën e jetës, jo për ta shumëfishuar si oooooo-ja e isos. Çdo gjë del e trishtuar. E zgjatur. E përhershme. Zgjimi me ulërima. Kupa e qiellit shpohet në vrima.
Mbasi përplasa fort derën e hyrjes, i thashë vetes të mos kthehem më. Duhet të marr një pauzë dhe të largohem për disa kohë. Është bërë e nevojshme të kujdesem për shëndetin tim psikik.
Zbres shkallët e apartamentit. Dal në rrugë. Mbrëmja ka rënë së bashku me lagështirën e ajrit që më futet në kocka. Zgjidhja më e mirë do të ishte të dehesha për të bërë tapë nervat. E kam bërë shumë herë të tjera, por ka funksionuar pak. Edhe i dehur, këmbët më çonin përsëri në katin e dytë, me dritëzat pakëz të çelura. Dashuria ime më e madhe konsumohej në ato mure, ku vareshin pikturat e grindjeve tona. Copëza ulërimash, sharjesh, nënvlerësimesh, urrejtjeje, sy të inatosura, dhëmbë të shtrënguara, fytyra të shtrembëruara. Vetëm pikturën e fundit të paqes dhe të puthjes kishte kohë që nuk e vizatonim. Ashtu si sot, kam dalë nga shtëpia dhe kam përplasur, për të mijëtën herë portën. Dera ishte bërë kapak i bukur, ku mbylleshim në dashuri dhe kapaku i bukur për t’iu arratisur asaj.
Është më mirë të shkoj në studio dhe të shkruaj. Nuk ia kam thënë që nuk e kam shitur dhomën e vjetër, me pianon në mes. Shkoj rrallë, as nuk shkruaj si më parë. Por duhet të derdhem mbi notat e kompozimit. Duhet të gjej këtë mënyrë imagjinare për ta hequr gruan time nga vetja. Në fillim do ta largoj me fantazi, për të kuptuar nëse mund të jetoj pa të, edhe në realitet. Është bërë e domosdoshme pauza. Dikur, kur kompozoja, me ditë të tëra udhëtoja mbi notat e muzikës. Bëhesha mbret pa asnjë kështjellë. Çelësi ndodhet akoma poshtë vazos së vjetër.
I studios apo i kështjellës?
Qesh, sepse më kujtohet koha kur e bleva. Nuk isha akoma i martuar. Mendja ishte tek cigarja, alkooli, muzika. Punoja deri vonë. Kishte ditë që as nuk haja. Si ngrihesha, ashtu, vetëm me pantallonat xhins, merrja shishen e uiskit në dorë dhe ulesha tek pianoja. E shikoja. Tërhiqja gishtat derisa kërcisnin. I mbështesja lehtë mbi fushat e bardha dhe të zeza. Vetëm pastaj, nisesha në një tjetër jetë. Ishin ato kohëra kur besoja akoma në botën e bukur, në njëriun e mirë. Kur besoja tek miqtë. Por koha nuk ma dha as këtë të drejtë. Më tha që isha naiv, sylesh që i besoja akoma njeriut. Asgjë s’ka më bukuri. Kur e kemi humbur fillin ne të dy, si mund ta kenë të tjerët, që lindën të shëmtuar, në një botë akoma më të shëmtuar. Por qesharakë jemi ne, sepse nuk mundem ta ruanim veten nga ndryshimi dhe konsumimi i së mirës, që na ishte dhënë.
Unë nuk të ruajta ty…. Unë nuk e ruajta dashurinë…
Sa herë ke ardhur edhe ti këtu. Sa herë je ulur me mua mbi ketë piano. E bardha e dorës tënde mbi tastierën e zezë. E zeza e dorës time mbi të bardhën e tastierës. Sot jemi bërë komikët më të mëdhenj të jetës sonë. Edhe ti, edhe unë! Na mungon kaq shumë njëri-tjetri dhe, ta mendosh që jemi gjithë kohën bashkë. Si tani, unë flas me ty në dhomën e studios, ku ti nuk je. Okay. Unë them ta provojmë të rrimë larg njeri-tjetrit. Kam lexuar që, kur dy njerëz janë në krizë, duhet të largohen. Por nuk ma mban ta bëj realisht. Është më lehtë që, në fillim ta shkruaj në fantazinë time. Do të kompozoj një këngë që ti nisesh dhe largohesh nga unë. Ja pritë, të heq këmishën e bardhë. Të ulem mbi piano. Të gërmoj nëpër cepat e dollapëve për të gjetur një pikë alkool. Çfarë do lloj dreqi të jetë nuk ka rendësi. Gjuha më është bërë shollë me shijet e tyre dhe të cigareve që i thith, më shumë se njëzet e katër orë. Nuk më kujtohen ambientet pa mjegullën e tymit. Është edhe brenda trurit tim. Qartësia do të ishte fjalë shumë e gabuar. Për çfarë më duhet qartësia, kur gjithçka është pa formë? Në këtë botë anonime, ku lindim e vdesim, për të bërë gjëra të mëdha, sa boshi. Hedhim vetëm ujë në hava. Kur nuk jemi të aftë të shpejtojmë njeriun që duam më shumë!
Pastaj, a të kam dashur?
Kjo mënyra ime e të dashuruarit është e mjegullt. Ka segmente të qarta që më thonë se të dua pastaj ka frekuenca të zhurmëta errësire në tru që më thonë se nuk është e vërtetë. Sepse po të duheshim, nuk do ziheshim. Çfarë më tha dje vajza që punon në postë? Është dashuri edhe çfarë ndjen ajo për tipin që ka në krahë, paçka se kanë mospërputhje karakteri dhe ia thyejnë kockat njëri-tjetrit. Qesha sepse edhe ai ishte muzikant, si unë, dhe, po ashtu si ne, ka mospërputhje karakteri. Apo çarje bythe? Po, ti ma çan bythën me trishtimin tënd. Ishe brilante kur u njohëm. E pakrahasueshme në artin tënd. Çfarë u bë me ty? Si u ktheve në një qenie kaq të zakonshme dhe grindavece? Është e kotë të pyes kur ti nuk je këtu. Me e shumta, përgjigjen do ta kthej unë. Kur hyj në trupin e zërit tënd dhe ta imitoj, vetëm ideja që flas njëlloj si ty, me bën që ta mbush gojën me të puthura. Dreq ti! Ja pra, të dua, kur jam larg në këtë dhomë dhe i pavetëdijshëm. Sepse mjafton imitimi i përplasjes së derës që m’i rrëqeth rruazat e shtyllës kurrizore. Ulem në piano. Mbështes gotën. Imagjinoj kurrizin tënd të bardhë, si pentagram dhe nishanet e tua si nota, në dispozicion të këngës time. Pra, ti po largohesh nga unë. Prit të heq nishanin që ke mbas veshit, atë më të bukurin për ta bërë notën e parë të nisjes së këngës. Ma the vendimin tënd dhe të përcolla tek treni. Valixhen e mbajta gjatë rrugës. M’u duk shumë e rëndë. U shqetësova dhe të thashë:
– Bomba ke futur?
– Është dashuria – më the ti, me zërin si dreqi.
– Që kur rëndon kaq shumë dashuria? – shtanga sytë unë.
– Që kur e ke shtypur dhe e përplasur disa herë me sa fuqi që kishe portën. Kur u largove, hapa derën dhe pash copat e saj të rrëzuara mbi dysheme. Mora një fije peri të zezë dhe një nga një i futa grimcat e saj dhe krijova rruazat. Ishin aq shumë sa i kërkova ndihmë zinxhirëve. Është e paimagjinueshme që të kem dashur kaq shumë dhe, po aq edhe ti. I futa në valixhe dhe nuk e di çdo bëj me to…
– Me jep gjysmën time, të paktën që të mos të rëndojnë. Ndoshta edhe do të më duhen.
Fus dy grushte në valixhe dhe marr dy zinxhirë dashurie. I fus në xhep. Supet më rrëzohen nga pesha dhe më varen deri tek gjunjët.
– Je burrë apo çfarë je? S’mund të të përkulë kështu dashuria?
– Bëj shaka – i them- dhe ngrej trupin me vështirësi. Pastaj shtoj:
– Më shkruaj kur të arrish!
– Ndoshta e bëj! – përgjigjet ajo
E kap prej supesh. E tund dhe ia buças zërin përpara gojës:
– Do ta bësh! Eshtë urdhër! Hape atë dreq valixhe, të shkëmbejmë dashuritë. Kështu që, pjesët e mia do të kujtojnë se, duhet të më lajmërosh sapo të arrish!
Nxjerr nga xhepat zinxhirët dhe i fus në valixhe. Pastaj marr të sajat dhe i var në qafë.
Ishin si dhëmbët e fildishit, të copëtuara. Më vjen keq për çfarë i kisha bërë dhe më bie loti. Lotët e mia të dhimbjes janë të vetmuar si unë; vetëm një. Ajo ma zgjat dorën dhe ma fshin. Unë ia puth gjatë, së bashku me shijen e kripur të lotit tim. I hap vetëm kopsën e parë të këmishës së bardhë dhe ia puth supin, pastaj qafën e gjatë. Vazhdimin e cepit të veshit që kishte formën krejt ndryshe nga ne humanët. Ai origjinalitet është vetëm i saj. Më kujtohet që edhe kokëfortësinë e kishte të trashëguar nga i ati. Kështu më kishte thënë një ditë. Pastaj, ndalem në rrethin e zbrazët që kishte lënë nishani, të cilin ia kisha këputur për notën e parë të këngës.
– Dreq, do të më kujtohet gjatë këmisha jote e bardhë dhe fundi i ngushtë xhins. I kisha harruar format e tua të bukura dhe duart, kur t’i ngjeshja tek vithet.
– Shko, mos u bë gazi i botës. Do të shkruaj shpejt – më thotë.
Pastaj, më zbraz mijëra të puthura dhe largohet, duke tërhequr valixhen. E bardha-blu çan horizontin. Ngjitet në shkallët e trenit dhe zhduket me shpejtësinë e erës. Me mua qëndron zhurma e lokomotivës, e vagonëve, të dhëmbëve të copëtuar të zinxhirit të dashurisë dhe boshllëku i ikjes. Në gropën e madhe që u krijua në stomak pikon i vetmi lot.
Ndaloj një moment kompozimin.
Më e vështira u bë. Iku. Të shohim si do të jetë vazhdimi i këngës edhe jetës time pa të.
Ngrihem nga piano, paçka që jam në vena për të shkruar. Ndodh si ato herë, kur notat radhiten me vrap njëra pas tjetrës. Sikur prisnin momentin që ajo të ikte. Marr shishen tjetër. Thith cigaren. Ngrej pantallonat, të cilat mezi qëndrojnë në kockat e mia pa mish dhe vazhdoj. I marr nishanin që ka në mes të qafës dhe shkruaj notën “DO”, e cila më çon drejtë në shtëpi. Ajo është bosh. E madhe dhe plot liri. Hap kanatet e dritares dhe ftoj grimcat e ajrit të hyjnë dhe të bëjnë festë me mua. Divani i imi. Krevati i madh ku mund të ftoj kë të dua. Jam i lirë. Nuk do të quhet me tradhti, por e drejta ime legjitime, për të pasur një kosh me të dashura, sepse jam i braktisur nga ime shoqe. Pastaj vë dorën në qafë dhe prek zinxhirët e dashurisë së saj.
Dreq. Akoma këtu ti? Më ke lidhur edhe në largësi.
Mos e vrit mendjen, plako, pi një gllënjkë dhe ngrije drejt qafën e lirisë! – i them vetes.
Prit, se më e bukura vjen tani. Do hap televizorin dhe do shoh futboll, pa ma çarë kokën ajo me telenovelat. Kërkoj kanalin. Por ka lajme. E ndërroj. Përsëri lajme, lajme, bla bla bla. Më në fund, kur nuk gjej asnjë alternativë tjetër përqendrohem t’i ndjek. Shoh disa vagonë treni të shkatërruar. Nga ana tjetër janë gërmadhat e nje treni mallrash. I asgjësuar edhe ai. Ishin përplasur. Spikeri flet për njerëz të djegur ku as trupat nuk njihen.
Treni?
Dora vetvetiu më shkon në xhep. Marr telefonin. I telefonoj. Sekretaria përgjigjet: personi që kërkoni nuk ndodhet në këtë momente. Provoni përsëri më vonë!
E marr në telefon në një tjetër moment. Pastaj përsëri. Për çdo herë, asnjë përgjigje. Loti besnik, i vetmi, më bie nga syri. Pastaj e mbledh mendjen dhe e shaj veten: Trap, do ta vdesësh tani?
E lë në mes këngën. Fshij lotin dhe zihem me vete. Të gjithë kemi nevojë për liri por jo të vdesim të tjerët, sidomos atë që e dua. Të dhjefsha artin dhe fantazinë tënde. Ashtu me nerva, i marr fletët e pentagramit dhe i flak në koshin e plehrave.
***
Ka mundësi të jetë akoma në shtëpi. Ndërsa unë në studio, pa asnjë dëshirë që të kthehem tek ajo. Dua ta provoj edhe një herë. Ndoshta është mirë të shfrytëzoj talentin e saj dhe ta shkruaj ajo këngën. E njoh më mirë se xhepat e mi. Ka grisje të karakterit por jo të talentit.
Largohem nga piano dhe ul “mosprezencën” e saj.
Studio mbushet me muzikën hyjnore që vetëm ajo është në gjendje ta ekzekutojë.
Mbyll sytë.
Qëndroj me lotin e vetëm dhe shijoj mrekullinë e zërit të saj:
“po nisem, po iki larg nga e vetmja dashuri e imja. Nuk ka faj ai. Është karakteri, tekat e mia që e largojnë nga unë. Çdo herë që zihem, them që është e fundit. Por, sikur jam e varur prej grindjeve. Më nxihet mendja, shikimi dhe fjalën e fundit, atë më me vrer, ia them të parën. Pastaj as ai nuk më do. Nuk e do këtë lloj grua që jam transformuar: pa dëshira, pa ëndrra, pa artin tim. Ngrihem në mëngjes me idera. Drita e ditës mi asgjëson dhe ulem në tavolinë, për të ngrënë pa fund. Asgjë nuk më shijon. Hedh ushqimin në stomak me lopata. Pastaj disa gllënjka alkooli. Nuk e dua veten time. Mendoje atë. Për herë të fundit nxjerr nga arkivi variantin tim më të mirë. E vesh si dritë. Kam menduar të lë vendin tim dhe të shkoj në një tokë të huaj. Ta rinis nga fillimi. Do të kem problem me dokumentat dhe do të duhet koha e nevojshme për t’u stabilizuar. Azil politik nuk do të më japin, por do të kërkoj azil dashurie dhe do mësoj të të dua nga fillimi. Përpara se të dal, marr fotografinë tonë, ku jemi duke qeshur si të çmendur tek një pranverë lulesh dhe e gris në mes. Marr pjesën tënde dhe e fus në astarin e zemrës. Mbyll derën e shtëpisë me shumë kujdes si për të sjellë paqe, aty, ku ti e ke përplasur me kaq shumë forcë. Shaminë e hollë në kokë, syzet e zeza dhe tërheq valixhen e vogël. Brenda kam futur një grusht të parfumit tënd dhe një grusht ere të atdheut tim. I afrohem cepit të fshehtë të bregut. Paguaj skafistin me lekët që i kishim kursyer për një ditë të keqe dhe hipi në varkë. Ishte e vogël sa një kuti shkrepëse. Sapo nisem, bëhem pishman për zgjidhjen time. Por e ngushëlloj veten, duke i thënë që është vetëm një këngë. Mundohu ti shkosh deri në fund ikjes tënde. Provoje a do të kesh mall? A do të mundesh ti vësh paqe kësaj dashurie? Malli më ngjitet në fyt, ma zë frymën. Ti je në çdo pjesë të trupit tim, paçka se ke kohë që se prek. Duhet ta heq mendjen nga ty, se, përndryshe, nuk do të kem aftësi ta çoj deri në fund këtë këngë. Hedh sytë përqark. Varka është mbushur me njerëz. Ka familje, fëmijë . Një vajzë e vogël, me bishtaleca të verdha, më shikon në sy. Në dorë ka një kukull të vogël. Mund të ishte fëmija që nuk e bëmë kurrë. Me afrohet dhe më prek gishtat. Loz gjatë me thonjtë. Më prek unazat por nuk më flet. Ka vështrimin tënd të kaltër.
Një zë gruaje e thërret:
-Valë, mos e shqetëso zonjën!
-Nuk po më besdis, – i përgjigjem.
Por gruaja e merr dhe i jep një panine. Vajza, herë ushqen veten dhe herë ushqen kukullën. Kujtohem që nuk kam marr asgjë për të ngrënë. Hap valixhen dhe thith profumin tënd. Më shfaqet fytyra jote që sapo ka bërë dush. Flokët e lagura. Ke rruajtur mjekrën. Ke marr parfumin, ke hedhur dy pika dhe e shpërndan në fytyrë. Pastaj bërtet, sepse të djeg faqet.
Unë qesh dhe të afrohem afër hundës:
– Si nuk zure mend, sa herë ta kam përsëritur që, mbas rruajtjes, nuk mund të vesh parfumin. Por mirë të bëhet sepse i harron fjalët e mia.
– Puthjet i kam harruar. Po digjem për një, – me lutesh ti.
Afër hundës tënde, me këtë parfum magjie, si mundem të rezistoj. Bëj finta. Nuk dua të të puth. Lëviz zigzag përpara fytyrës tënde, derisa zhytem thellë në buzët e tua të tulta. Të puth, të puth, më shumë të puth.
Më kthen në vete zëri i vajzës së vogël e cila me zgjat paninen e saj dhe më thotë:
– Unë me kukullën u ngopëm, do ta mbarosh ti?
– Jo, e dashur Valë, hëngra kafshata të mëdha nostalgjie dhe jam mbushur plot.
– Çfarë është nostalgjia? – me pyet ajo.
– Kujtime që mban brenda mendja jonë. Mund të jenë të bukura ose të trishtuara. Në bazë të tyre, na kujtohen njerëzit.
– Ti si e kujtove?
– Për mirë, për mirë, – i përgjigjem.
– Por pse je e mërzitur?
– Sepse më mungon, por ai nuk e meriton mallin tim.
– Pse?
– Sepse ziheshim shumë dhe më bënin keq sjellja dhe fjalët e tij.
– Po ai si të kujton?
– Ndoshta jo për mirë?
– Pse?
– Sepse edhe unë i bërtisja shumë.
– Prandaj kam një shoqe kukull sepse nuk fletë. Ndodh që kur dua ndonjë përgjigje nga ajo, flas në vend të saj dhe kuptoj që, edhe përgjigjet janë brenda tek pyetja. Ne, pyetjet i bëjmë kastile, edhe sjelljet. Kështu, shumë herë më ndodh ta provokoj kukullën time për të kuptuar reagimin e saj. Kuptohet që, edhe reagimi është i imi sepse ajo hesht. Por, megjithatë, unë përsëri grindem. Përndryshe, si do ta gjeja rrugën e paqes po mos të zihesha!
– Ke të drejtë Valë, por në të rriturit nuk dimë ti rregullojmë gjërat…
Nuk i mbaroj fjalët sepse varka rrotullohet disa herë rreth vetes. Humb ekulibrin dhe rrëzohem. Vala bie mbi mua. Pastaj dëgjoj një goditje të fortë. Varka ndahet në mes dhe ngado hynë uji i ftohtë. Shtrëngoj dorën e Valës. Vala timen. Ulërima ngado. Vala, vajza që nuk patëm kurrë, është duke vdekur me mua. Ndërsa luftoj me dallgët, vetëm atëherë mendoj si do të kishte qenë jeta në një vend të huaj, sikur të arrij gjallë. Sikur gjërat të shkonin mirë, do të kisha zbritur dhe do të kisha hyr fshehurazi në një tjetër shtet. Ndonjë njeri i mirë do të më kishte dhënë një batanije për t’u ngrohur dhe një copë bukë. Sikur të mos kisha asnjë mundësi, do t’i kisha vjedhur paninet e bardha dhe të buta. I zoti dyqanit do të më kishte denoncuar dhe do të më çonin në polici. Roja e qelisë do të kishte abuzuar me trupin tim. Do t’ia kisha futur dhëmbët në karotide. Ai do të kishte vdekur nga hemorragjia. Unë do isha dënuar me burg të përjetshëm. Aty jeta ime do të kishte marr fund përgjithmonë.
Si nuk e mendova përpara se të nisem se kush do të më presë? Përse njerëzit e një botë kaq të ftohtë do të kujdesen për mua? Përse do ta donin jetën time? Çfarë do ti jepja unë në këmbim? Dashuria ime është vetëm e jotja! Nuk duan as dashuri. Ato nuk kanë kohë të duan njëri- tjetrin dhe jo të më duan mua. Se, po të ishte ndryshe, nuk do më quanin të huaj. Do ta kishin shpikur një tjetër term dhe do më kishin pranuar. Nuk do më kishin parë si jashtëtokësore. Pra si të vdes brenda këtyre dallgëve, sikurse edhe të shpëtoj, asgjë nuk do ndryshojë. Brenda në det do të jem i vdekur zyrtarisht. Do qajnë shumë njerëz, kur të gjejnë trupin tim ngjitur me trupin e vogël të Valës. Do bëjnë protesta. Do na ndezin qirinj. Lule do hedhin në det. Vdekjen tonë do ta shfrytëzojnë për të rrëzuar qeverinë. Faji është i tyre? Sikur fati i njeriut është misioni i politikës!
Ndërsa po të shpëtoj nga këto dallgë, do të jem i gjallë në jetë. Askush nuk do ta njoh prezencën time. Aq më pak ekzistencën. Vetëm atëherë duhet të rrëzohen qeveritë, sepse njeriun e bëjnë të jetë i padukshëm, duke ja hequr dinjitetin. Duke e lënë të uritur, pa shtëpi, pa punë, pa vlerë. E shndërrojnë në një kriminel, duke mos i dhënë një vend dinjitoz në këtë botë për t’u rritur dhe zhvilluar. Në një tokë kaq të madhe ku ka vend për të gjithë!
(Ndërhyj një minute unë që shkruaj tregimin. Meqenëse kam shumë vite jashtë: bota ashtu si e ka trajtuar të huajin, duhet të ishte historikisht pa qeveri, sepse na kanë parë si njerëz të dorës së dytë. Çdo mundësi për ndryshimin e jetës ia dedikojmë vetëm forcës sonë dhe individit të panjohur që ka parë njeriun, sidomos ne, që vijmë nga shtete të pafuqishme dhe anonime. Si të vdesësh në det, apo të arrish i gjallë në bregun tjetër ka vetëm një ndryshim të vogël që vetëm rastësisht do të sjell ndryshimin.)
Tërheq peshën e trupit të Valës. Nuk di sa do të mund të rezistojë. Fotografia jote në zemër. Parfumi yt ka mbushur detin por s’mund ta thith. S’kam faj që forca po më lë dhe po vdes; po vdes pa të parë edhe një herë.(*)”
***
Ngrihem menjëherë nga divani. Ndal zërin magjik të “mosprezencës” tënde. Lotët më pikojnë mbi piano. Janë shumë këtë herë. Dua ta shkatërroj, ta copëtoj imagjinatën time. Fantazi tragjike.
Marr xhaketën dhe dal në ajrin e lagësht. Nuk eci, por vrapoj. Ka kaluar një jetë. Nuk të kam parë.
A do gjej rreth dritëzave të apartamentit?
Dera është e hapur, pa portë. Ti je në mesin e dhomës. Më sheh.
– Edhe një herë, një tjetër shans! – i lutem.
– Jo vetëm njëherë, por përherë! Bëhu edhe atdheu im! – flet fundi dhe bluza jote e gjerë.
Mars 2023
(*) vargje të shkëputura nga kënga “Edhe një herë”, e këngëtarit Armend Rexhepagiqi.
Please follow and like us: