Rumania dhe Moldavia ecin drejt bashkimit, Shqipëria dhe Kosova tuten
Shaban Murati
Dy shtete rumune, Rumania dhe Moldavia, po punojnë të ecin drejt bashkimit të tyre, gradualisht dhe institucionalisht. Në datën 16 mars parlamenti i Moldavisë vendosi në mënyrë përfundimtare që të hiqet togfjalëshi fals “gjuhë moldaviane” dhe të vendoset emri autentik “gjuhë rumune” si gjuhë zyrtare e Moldavisë në Kushtetutë dhe në të gjithë legjislacionin dhe aktet normatike zyrtare të shtetit.
Është një vendim i drejtë ligjor, që legalizon realitetin historik të të dy shteteve rumune, që kanë gjuhë të njëjtë, histori të njëjtë, kulturë të njëjtë, identitet kombëtar të njëjtë. Një vendim i drejtë i organit suprem ligjvënës të Republikës së Moldavisë, që i jep goditjen përfundimtare shpikjes artificiale të të ashtuquajturës “gjuhë moldaviane”, të prodhuar nga Moska.
Kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Moldavinë në vitin 1940 në bazë të paktit famëkeq Ribentrop-Molotov, që ndau Europën Lindore në dy sfera sundimi midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik komunist, Moska krijoi në laboratorin e saj të asimilimit të popujve të pushtuar të ashtuquqajturën “gjuhë moldaviane”.
Ministri i jashtëm i Rumanisë Bogdan Auresku, i cili e përshëndeti vendimin e parlamentit moldav, deklaroi se “gjuha “moldaviane” është një konstruksion artificial i krijuar nga Bashkimi Sovjetik”.
Kur aneksoi Moldavinë, Moska nxitoi që të zhdukte identitetin kombëtar dhe gjuhësor rumun të Moldavisë dhe shpiku të ashtuquajturën gjuhë “moldaviane” me alfabet cirilik. Ishte një strategji tipike imperialiste ruse e asimilimit të popujve të aneksuar me forcë në perandorinë komuniste sovjetike.
Por strategjia imperialiste ruse e zhdukjes së gjuhëve kombëtare dhe e identitetit kombëtar rumun të Moldavisë u dëshmua e pafuqishme përballë historisë. Sepse qysh në vitin1991 kur Moldavia shpalll “Deklaratën e Pavarësisë” së saj një nga proklamimet e para ishte se gjuha rumune është gjuha zyrtare e shtetit të ri të pavarur. Në 5 dhjetor të vitit 2013 Gjykata Kushtetuese e Moldavisë dha vendimin e prerë të detyrueshëm që duhet të hiqet emërtimi “gjuhë moldaviane” dhe të vendoset emëri autentik “gjuhë rumune” si gjuhë zyrtare në të gjitha dokumentat zyrtare të shtetit.
Presioni i egër i Rusisë dhe i lobit rus nëpërmjet forcave politike proruse në Moldavi e sabotoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me gjuhën zyrtare rumune. Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, kur u zgjodhi në vitin 2020, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në faqen e saj presienciale se gjuha zyrtare e shtetit është gjuha rumune.
Drejtësinë e vendimit të parlamentit për heqjen e emrit artificial rus “gjuhë moldaviane” dhe vendsjen e emërit autentik “gjuhë rumune” e përkrahu edhe Akademia e Shkencave e Moldavisë. Në datën 17 mars kryeministri i Rumanisë, Nikolae Ciuca, në emër të qeverisë së tij e përshëndeti vendimin e drejtë të parlamentit të Moldavisë.
Mund të klasifikohet si hap historik dhe një ecje e sigurt drejt konfirmimit të rrymës së pakthyeshme të të dy shteteve rumune, të cilat kanë të drejtën historike dhe ligjore të bashkohen si një komb unik. Është një objektiv, të cilin institucionet dhe populli moldav e kanë shpalur zyrtarisht dhe publikisht qysh me pavarësimin e vendit në vitin 1991.
E drejta e dy shteteve të të njejtit komb për bashkim gjeti rrethanat e favorëshme historike kombëtare dhe ndërkombëtare vetëm pas shembjes së komunizmit dhe prishjes së Bashkimit Sovjetik. Në 26 qershor të vitit 1991 senati amerikan miratoi një rezolutë me të cilën mbështeste bashkimin e Moldavisë me Rumaninë. Moska krijoi me forcë ushtarake në vitin 1991 të ashtuquajturën republikë separatiste të Transnistrias, ku edhe sot e kësaj dite e mban defacto të pushtuar me rreth 3 mijë forca ushtarake ruse të dislokuara atje. Strategjia e Kremlinit ishte të pengonte bashkimin e Moldavisë me Rumaninë.
Rumania dhe Moldavia po ndjekin një kurs largpamës dhe po punojnë për realitetin e ardhshëm të bashkimit midisi dy shteteve. Qysh në 27 pril 2013 presidenti i Rumanisë pat deklaruar se pas anëtarësimit në NATO dhe në BE projekti i ri më i madh politik duhet të jetë bashkimi i Moldavisë me Rumaninë. Në vizitën e tij të parë jashtë shtetit në Rumani në 1 mars, kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean, deklaroi se “në të dy anët e lumit Prut flitet e njejta gjuhë”, duke iu referuar kufirit mdis dy shteteve, që i ndan lumi Prut.
Me njësimin e gjuhës zyrtare rumune në të dy shtetet realizohet një hap i madh në procesin drejt objektivit politik, shtetëror dhe kombëtar të bashkimit të kombit. Është një zhvillim pozitiv politik, gjeoolitik dhe strategjik i pandalshëm, i cili shkon në rrugën e rrjedhave të historisë dhe në refuzim të objektivave imperialiste aneksioniste të Rusisë, e cila po bën të pamundurën për të ndezur flakët e konfliktit në tërë Moldavinë.
Moska reagoi me një egërsi të pashoqe ndaj vendimit të parlamentit të Moldavisë për vendosjen e emrit autentik të gjuhës zyrtare rumune. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 18 mars mori në mbrojtje shpikjen artificiale sovjetike të “gjuhës moldaviane” dhe lëshoi profkën e rradhës se “gjuha moldaviane” është më e vjetër se gjuha rumune.
Zëdhënësja ruse sulmoi personalisht ministrin e jashtëm të Rumanisë pse ai e quajti “gjuhën moldaviane” konstrukt artificial të Bashkimit Sovjetik. Zëdhënësja e MPJ Ruse ka dy motive në fushatën dipomatiko-propagandistike kundër vendimit të parlamentit të Moldavisë për gjuhn zyrtare rumue.
Së pari, diplomaca e sotme ruse kërkon të justifikojë politikën e Moskës për asimilimin e gjuhës dhe të popujve të pushtuar nga Bashkimi Sovjetik. Së dyti, diplomacia ruse kërkon të përligjë të pretendimin imperial rus të rikthimit të Moldavisë në gjirin e hegjemonisë ruse. Strategjia imperiale e Kremlinit është që të rigrabisë dhe të rianeksojë shtetet, që bënin pjesë në Bashkimin Sovjetik dhe ka shpikur termin rivendikues “hapësirat postsovjetike”.
Nuk është rastësi që pas agresionit të dytë ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe që është në vazhdim e sipër, Moska ka intensifikuar përpjekjet për marrë nën kontroll Moldavinë. Në 13 shkurt 2023 presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, akuzoi Rusinë për përpjekje për grusht shteti në Moldavi.
Shërbimet sekrete ruse po nxisin një fushatë protestash e rrëmujash kundër qeverisë demokratike, për të bllokuar integrimin euroatlantik dhe për të kërkuar ribashkim me Rusinë. Moska po organizon provokime nëpërmjet të ashtuquajturës “republikë të Transnistrias” me qëllimin për të shkaktuar një konflikt ushtarak me qeverinë qendrore të Moldavisë dhe për të gjetur pretekst që të ndërhyjë me trupa ushtarake në atë vend.
Është një plan strategjik rus, i cili po synon që të sabotojë procesin me ritme të shpejtuara të bashkimit të Moldavisë me shtetin tjetër rumun, që është anëtar i NATO-s dhe i BE. Siç deklaronte në 21 shkurt 2023 ish kryeministri i Moldavise Vlade Filat: “Moldavia mund të sigurojë sigurinë e saj vetëm nëpërmjet bashkimit me Rumaninë”.
Është e qartë se një bashkim i Moldavisë me Rumaninë do të krjonte një qark të shkurtër të hyrjes së Moldavisë në NATO dhe në BE, njësoj siç ndodhi me Gjermaninë Lindore kur u bashkua me Gjermaninë Perëndimore dhe u bë pjesë e anëtarësisë në NATO dhe në BE.
Procesi i ecjes graduale dhe institucionale të Rumanisë dhe e Moldavisë drej bashkimit kombëtar është një zhvillim në përputhje me zhvillimet historike dhe me aspiratat demokratike për bashkim të kombeve të ndarë padrejtësisht.
Realiteti historik dhe praktika ndërkombëtare njohin plot precedentë të bashkimit të dy shteteve të një kombi të ndarë. Kemi bashkimin e dy Gjermanive, kemi bashkimin e dy Jemenëve, kemi bashkimin e dy Vietnamëve, etj. Është brenda logjikës historke që edhe dy shtetet rumune të bashkohen me njeri-tjetrin.
Ky process historik, që po nddodh para syve tanë në anën lindore të Ballkanit, të nxit të bësh menjëherë paralelizmin me realitein e anës perëndimore të Ballkanit, ku kemi dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova. Të dy shtetet shqiptare kanë shumë për të mësuar nga përvoja e dy shteteve rumune.
Së pari, guximin e udhëheqësve për të shprehur me forcë zyrtarisht dhe institucionalisht aspiratat popullore për bashkim kombëtar. Autoritetet dhe udhëheqësit më të lartë të Rumanisë dhe të Moldavisë i kanë shprehur hapur kërkesat për realizimin e të drejtës historike për të bashkuar dy shtete rumune. Nuk janë tutur dhe as kanë marrë leje nga Brukseli nëse duhet të flasin apo jo për bashkimin e dy shteteve.
Së dyti, organizimi i procesit të bashkimit të të dy shteteve në një kornizë institucionale me projekte konkrete zyrtare, qe e kuadrojnë procesin e bashkimit në një rrugë të pakthyeshme, pavarësisht kohës se kur dhe ku mund të ndodhë finalja.
Së treti, duke farkëtuar një unison kombëtar në nivelet më të larta të qeverive dhe të dy shteteve për bashkimin e dy shteteve mbi bazën e gjuhës, historisë, kulturës dhe identitetit të njejtë kombëtar.
Së katërti, Rumania dhe Moldavia kanë punuar dhe punojnë për veprimin e unifikuar të faktorit të përbashkët rumun të të dy shteteve përballë faktorëve dhe aktorëve rusë e filoruse në rajonin për rreth.Ky unifikim faktorial ka qenë vertikal dhe horizontal.
Lexuesi mud ta bëjë lehte krahasimin e situatave, ku ndodhet strategjia e bashkimit të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Udhëheqësit e Shqipërisë nën presionin diplomatik, politik dhe psikologjik permanent të Serbisë, kanë frikë ta përmendin e jo më të veprojnë për bashkimni e dy shteteve shqiptare.
Qeveria e Shqipërisë ka bërë dy gabime të mëdha diplomatike dhe strategjike. Idiotizmi i parë diplomatik është përhapja prej saj e iluzionit se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE. Idiotizmi i dytë edhe më i rëndë është përhapja prej saj e iluzionit se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në “Ballkanin e hapur” të Serbisë. Kemi një vrasje direkte të ëndrrës shekullore dhe të strategjisë së bashkimit kombëtar.
Rumania dhe Moldavia si dy shtete rumune dhe Shqipëria me Kosovën si dy shtete shqiptare kanë të drejtën e mbështetur nga historia dhe nga ligjet ndërkombëtare për bashkim midis tyre. Sepse ka një faktor determinant, që është fakti se të dy shtetet i kanë të përcaktuara kufijtë dhe ndryshimi i kufijve prej bashkimit do të ndodhë vetëm midis tyre, pa prekur aspak kufijtë me shtetet e tjera fqinjë. Siç kam theksuar në librin tim “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018: “Kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës është kufi i brendëshëm midis dy shteteve shqiptare dhe nuk është kufi rajonal. Kjo don të thotë që në fund të fundit është nje çeshtje e brendëshme e dy shteteve shqiptare”. (fq.221)./gazeta dita