Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Poeti Sadik Bejko në 80-vjetorin e lindjes

Sadik Bejko është një poet që e ka ngritur tashmë “Katedralen” e poezisë së tij. E bukur dhe me stilin e vet origjinal. Katedralet duan shumë kohë të ngrihen. Edhe ky poet e ka ngritur atë në mbi 60 vjet. Nga poezia në poezi dhe nga libri në libër.

Kjo poezi është një Lumë përjetimesh e imazhesh, që vazhdimisht e ka thelluar shtratin e vet. Në përqafim të pandarë me brigjet e ideve dhe formave poetike. Të cilat, janë të larmishme dhe të panginjura me etjen e Kërkimit në forma dhe në këndvështrime. Për të mos provuar mërzinë e përsëritjes.

Për nga tonet e shtrira e gjëmuese të Ritmit, të Muzikalitetit, për nga temat e gjerësishme në Kohë dhe në Hapësirë, në botën e brendshme spirituale dhe në atë sociale, kjo poezi të asiocion me ndjesinë që lënë meloditë e simfonive të Bahut.

Për nga Ngjyra, duket se është  një poezi, që nuk preferon Multikoloritetin. Është një gri në zotërim, që të kujton qytetet tona mesjetare, muret, portat, çatitë, kalldrëmet dhe sfondet shkëmbore, ku ato mbështeten. Kuptimisht e simbolikisht, është dhe grija e argjendtë e kronikave të hershme, që poshtë fletëve të tyre, mbajnë gjallë e përcjellin tërë mozaikun – aq të pasur të Jetës dhe të Përtejetës.

Berati, Gjirokastra, qytete historike këto – ku autori, ka kaluar rininë dhe një pjesë të madhe të jetës, doemos, që duket se kanë lënë gjurmë dhe ndikim në këtë koloraturë specifike poezie.

Gjithashtu, kjo poezi e S. Bejkos, është një Poezi rrënjëse. Jo thjesht dhe vetëm nga aspekti identitar. Por edhe nga aspekti Estetik e Kulturor. Te pemët e bimët, rrënjët janë elementi jetik ushqyes për to, me përmasa, që nëpër raste, arrijnë apo e kalojnë edhe madhësinë e tyre. Por ndërkohë, janë edhe të padukshme së jashtmi.

Estetikisht, poezia e këtij poeti shfaqet e selitur në traditat e poezisë shqipe dhe të asaj botërore. Ndërkaq, i ka të pranishme edhe nënshtresat e dendura tekstore, pra, ato tekste pak apo aspak të dukshme, domethënë “rrënjët”, që krijojnë nevojën e leximeve të ngulëta dhe japin mundësinë e njohjeve dhe kontakteve me tekste të tjera të reja – të përftuara nga ky raport aktiv lexues-tekst.

Shfaqet e selitur kjo poezi edhe nga aspekti Kulturor. Ndihen tek kjo poezi, motive e figura nga qytetërime të botës së trazuar antike, që nga kohët faraonike, babilonase, mesopotamase, bizantine… Ky koncepsion poetik, krijon përmasën e universalitetit, për të mos mbetur mesazhet në qerthujt e përkohshmërive.

Ka gjurmët dhe ndikimet e veta në këtë poezi edhe puna e hulumtuese studimore e poetit. Krahas prozës romanore, librit për poetët e pushkatuar të Librazhdit, studimit për letërsinë arbëreshe, S. Bejko ka të botuar para disa vitesh edhe një studim të gjerë mbi historinë e qytetërimeve.

E ka interesante në këtë botim, sidomos theksimin e rolit dhe pranisë së Lumenjve në lindjen e këtyre  qytetërimeve. Lumenjtë janë autostrada, janë ura komunikimi, që në shekuj e mijëvjeçarë, kanë lidhur  mes tyre fise, krahina, qytete, popuj, religjione.

Poezia e niveleve të larta, si pjesë e kulturës dhe qytetërimeve, doemos që e mbart fort këtë mision komunikimi  shpirtëror.

E tillë është skalitur mjeshtërisht edhe poezia e poetit S. Bejko.

Please follow and like us: