Pëllumb Nako: Siguria dhe ndjenja e pasigurisë
Ky libër merr përsipër të trajtojë vetëm disa aspekte të rëndësishme të sigurisë së individit në përditshmëri. Kjo, nisur nga fakti se vetë koncepti “siguri” ka një karakter polisemantik, pra me kuptime të shumta të cilat përfshijnë fusha të panumërta të aktivitetit njerëzor. Me krijimin e shteteve kombe, dalja në skenë e shtetit për të ushtruar autoritetin e tij brenda kufijve të një vendi, bëri që së pari ai të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë në përfitim të individit dhe komunitetit, po ashtu edhe për të garantuar pronën private e publike. Realizimi i një misioni të tillë u shoqërua natyrshëm me ndërtimin e institucioneve qeverisëse si zbatuese dhe ndjekëse të rregullave e ligjeve normative të garantuar nëpërmjet të përdorimit të forcës legjtime, duke i dhënë në këtë mënyrë sigurisë një dimension publik. Pra gradualisht u kalua në ndërtimin e konceptit “siguri publike”.
Siguria e konceptuar si atribut i shtetit-komb, ka dominuar për shekuj mbarë vendet e globit, por në këto dekada të fundit koncepti është vënë më pikëpyetje për shkak të hovit që ka marrë globalizmi. Për shkak të tij, kufijtë si sinore të ushtrimit të autoritetit të një shteti po zbehen gjithmonë e më shumë e bashkë me ta edhe vetë konceptet klasike të sigurisë, pa folur këtu për Bashkimin Europian, vendet anëtare të të cilit kanë hequr dorë nga sovraniteti lidhur me disa komponentë të sigurisë siç janë kufijtë. Kjo do të thotë ndër të tjera që Spanja kontrollon sigurinë e Danimarkës nëse dikush nga Maroku kërkon të shkojë në këtë vend duke hyrë nga vendi Iberik. Polarizimi në tërësi i vendeve të botës për shkak të globalizmit ka sjellë nga njëra anë dobësi në sigurinë e popullsisë së vendeve ekonomikisht të varfër dhe nga ana tjetër ka shtuar hulumtimet për të krijuar standarde të tjera të sigurisë, në kushtet e humbjes gjithmonë e më shumë të sovranitetit. Akt ky pranishëm në realitetin shoqëror të çdo vendi. Këto kërkime, siç do ta shohim në vazhdim, kanë ridimensionuar edhe vetë konceptin e sigurisë së individit dhe të komunitetit.
Megjithatë pavarësisht nga kuptimet e shumta që ka koncepti “siguri”, rreziqet që kërcënojnë shoqërinë njerëzore në tërësi dhe individin në veçanti mund të grupohen në tre drejtime, një prej të cilëve i shtuar në doktrinë dekadat e fundit. Pra bëhet fjalë për aktivitetin keqbërës të shkaktuar me dashje nga njeriu, fatkeqësitë e shkaktuara nga natyra si dhe aksidentet urbane. Siç do ta shohim në vazhdim, ndarja e kërcënimeve që i vijnë sigurisë si më sipër, ka sjellë si rrjedhim që në linja të përgjithshme kur kemi të bëjmë me kërcënimin e qëllimshëm të individit jemi në kontekstin e sigurisë publike dhe kur kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore jemi në kushtetet e sigurisë civile. Të dy konceptet janë ende një kantier i hapur debatesh në konceptimin e përmasave që kanë. Vetë siguria është një kërkesë themelore, e përhershme e shoqërisë njerëzore. Sa më shumë zgjerohet aktiviteti i saj, aq më shumë shtohen kërcënimet e rreziqet për to, ndaj dhe paralelisht rriten edhe kërkesat për siguri duke sjellë për rrjedhim të drejtpërdrejt zgjerimin e kuptimeve të vetë konceptit. Mjafton këtu të kujtojmë se vetëm disa dekada më parë shoqëria njerëzore nuk ishte e preokupuar për krimin kibernetik, pra për sigurinë e sistemeve informatike. Futja e këtyre të fundit në thuajse çdo qelizë të komunikimit, të financave ka sjellë për pasojë të parë kërkesa të reja sigurie me qëllim neutralizimin e rreziqeve që godasin privatësinë e komunikimit dhe sigurinë e parave. Siguri kjo e kërcënuar jo vetëm nga aktiviteti keqdashës njerëzor, por edhe natyror. Kjo do të thotë që standardet e sigurisë nuk janë të përcaktuara një herë e për gjithmonë, por ato shtohen dhe zhvillohen paralelisht me zhvillimin e shoqërisë apo më saktë me mënyrën se si zhvillohet shoqëria.
Nisur nga ndryshimet e ndodhura si pasojë e shkaqeve të përmendura më sipër, automatikisht koncepti “siguri” karakterizohet edhe nga një zhvillim historik i cili ka kaluar nëpër epoka të ndryshme kohore. Kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të teknologjisë, të kërkesave të individit për standarde më të larta jetese, të ndryshimit në përgjithësi të organizimit social të të jetuarit. Kërkesat e shoqërisë aktuale për siguri nuk janë të njëjta me ato të disa shekujve më parë. Mund të specifikojmë në këtë kontekst duke bërë krahasimin ndërmjet fortesave të dikurshme, kalatë, kështjellat, muret e tyre të larta, shkëmbinjtë e thepisur mbi të cilët ndërtoheshin ato me lagjet e qyteteve dhe të fshatrave ku jetohet aktualisht.
Shembulli i mësipërm sjell në vëmendje edhe një faktor tjetër mjaft të rëndësishëm i cili është përcaktues në ndryshueshmërinë e konceptit të sigurisë në shoqërinë njerëzore. Ai ndryshon gjithashtu edhe në bazë të sistemeve politike që drejtojnë një vend të caktuar. Të tjera koncepte kanë diktaturat e majta dhe të djathta për sigurinë dhe të tjera kanë ato të vendeve demokratike. Në këtë kontekst konstatohet se ndryshimi themelor ndërmjet dy sistemeve në fjalë qëndron ne faktin se tek diktaturat, fokusi kryesor qëndron në drejtim të sigurisë së shtetit ku gjithë aktiviteti i shoqërisë është i lidhur ngushtë me politikën ndaj dhe cënimi i njërës është automatikisht edhe cënim i tjetrës. Ndërkohë, në sistemet demokratike, siguria e shtetit është në funksion të sigurisë së individit dhe shoqërisë për të qenë të lirë. Kjo sepse siguria e ofruar për individin në një shoqëri demokratike nuk ka të njëjtin dimension me atë të individit në diktaturë. Nëse në diktaturë ajo për individin mbetet në kufijtë e neutralizimit të rreziqeve që kërcënojnë jetën dhe pronën, në sistemet demokratike siguri për individin konsiderohet krijimi i të gjitha kushteve reale për të qenë i lirë, pra tej standardit të neutralizimit të rrezikut për jetën dhe pronës. Me fjalë të tjera, siguria konsiderohet si kushti kryesor për të garantuar lirinë dhe lulëzimin e plotë jo vetëm të individit, por edhe të shoqërisë.
Ndërkohë në një plan më afatgjatë, shtetet demokratike janë shumë të përqëndruara në zhvillimin e demokracisë dhe në funksionimin e tyre, duke krijuar një shtrat të gjerë social sigurie ku mbështetet aksioni afatshkurtër i saj. Me fjalë të tjera demokracitë fokusohen jo vetëm në garantimin e sigurisë në përputhje me gjithë dimensionet e saj nga institucionet kompetente sipas standardeve që përmendëm më sipër, por ato përsosin qeverisjen duke nxitur dhe faktorizuar pjesmarrjen e mbarë popullatës në të, gjë që e bën më të përgjegjshme këtë të fundit gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë që gjithmonë në bazë të profilit politik që ndërton një shteti në fushën e sigurisë, rritet edhe numri i aktorëve të cilët e ofrojnë atë, krahas asaj shtetërore. Nëse në fillim të shekullit të kaluar shteti demokratik ishte ofertuesi i vetëm i sigurisë, aktualisht ai nuk është më i vetëm, por ka lejuar edhe aktorë të tjerë të ofrojnë shërbimet e tyre siç është sektori privat i sigurisë, pushteti vendor etj. Në këtë mënyrë shteti kthehet në koordinator të këtyre aktorëve ku sigurisht për vete ruan të drejtën e përdorimit të forcës. Pra jemi në kontekstin e një sigurie mikste.
Në libër, një vend i rëndësishëm i është kushtuar edhe shpjegimit të plotë të fenomenit të “ndjenjës së pasigurisë” që kap jo vetëm individët e cënueshëm, por edhe komunitete të tëra. Aty jepen shpjegime për të kuptuar se çfarë është konkretisht ndjenja e pasigurisë. Cilët janë faktorët që e lindin atë si dhe cilat janë shtresat sociale të cilat preken më shumë nga ky fenomen shkatërrues për sigurinë i individit në jetën e tij të përditshme. Tek faktorët që ushtrojnë presion në zhvillimin e jetës në përditshmëri, nuk përmenden të gjitha ngjarjet krimimale të parashikuara nga kodi penal, madje vendin me kryesor e zënë sjelljet incivile penalisht të padënueshme nga drejtësia e shumë vendeve, por që ushtrojnë më shumë presion se edhe mjaft krime të rënda të cilët nuk kanë në thelbin e tyre përdorimin e dhunës. Pra libri në këtë drejtim, bazuar mbi studime të shumta sociologësh ndërkombëtarë , merr përsipër të analizojë dhe të bëjë të njohur jo vetëm për një publik profesional, por edhe më të gjerë, efektet e dhunës në të gjithë dimensionet e saj, në kushtet e një shoqërie e cila bëhet gjithmonë e më shumë e dhunshme. Me fjalë të tjera, nuk trajtohen krimet në përgjithësi sipas renditjes që bën kodi penal, por vetëm ato të cilat kanë në thelbin e tyre ushtrimin e dhunës fizike ndaj individit dhe vjedhjet si shprehje e dhunës. Të dyja këto fenomene shqetësojnë në përditshmëri individin dhe komunitetet duke i kufizuar njerëzit në ushtrimin e lirive të tyre themelore siç është qarkullimi, pra që cënojnë sigurinë në jetën e tij të përditshme.
Lidhur me këtë tematikë, konkluzionet e disa sociologëve të njohur në botë, janë ilustruar me shembuj nga realiteti konkret në Shqipëri. Analiza e konceptit të “ndjenjës së pasigurisë” përbën thelbin e këtij libri. Kjo niset edhe nga fakti që në vetvete “ndjenja e pasigurisë” shënon direkt kapërcimin nga koncepti fillestar i sigurisë për individin nëpërmjet neutralizimit dhe kërcënimeve ndaj integritetit të tij fizik, tek siguria që nënkupton neutralizimin e frikës si ndjesi e eksperiencës së përjetuar nga dhuna apo nga ndikimi i saj duke qenë ose jo direkt viktimë. “Nuk mund të kuptohet liria. kur njeriu ka frikë”, citohet në libër. Përveç “ndjenjës së pasigurisë”, në libër shtjellohet konkretisht edhe në tërësi koncepti maksimalist afatgjatë i garantimit të sigurisë për individin dhe shoqërinë nëpërmjet kohezionit social si dhe rolit të madh që mund të luajë policia në krijimin e këtij kohezioni. Koncepti në këtë rast zgjerohet në maksimumin e tij. Ai përfshin aktorë të shumtë shoqërorë e shtetërorë dhe jo vetëm ata klasikë siç janë policia e forca të tjera të sigurisë. Koncepti, i trajtuar gjerësisht nga Këshilli i Europës presupozon adoptimin e politikave integruese nga ana e shteteve në mënyrë që siguria të mos arrihet vetëm duke ndëshkuar kriminelët, por sidomos duke prerë rrënjët sociale që kriminalizojnë individët.
Në përgjithësi kudo flitet për sigurinë dhe rendin publik. Ndaj dhe përveç shpjegimit të dimensioneve të saj, në libër flitet edhe për konceptin e rendit publik. Ka vende që këtë koncept e kanë të shkrirë në një me konceptin e sigurisë ku kjo e fundit konceptohet si me dimensione më të gjera e rendit publik, ka të tjerë që i shohin si të ndara. Nëse do t’i referoheshim legjislacionit shqiptar, do të shohim se në ligjin “Për Policinë e Shtetit“, flitet për siguri dhe rend publik. Ajo që bie në sy, edhe në vendin tonë, është fakti se koncepti “rend publik” nuk ka ndonjë përkufizim ligjor pasi nisur nga gjerësia e kuptimit të tij, është i pamundur përkufizimi në pak rreshta. Koncepti “rend publik” është vetëm një prodhim jurisprudence. Për fat të keq, në vendin tonë jurisprudenca lidhur me problemet e sigurisë e të rendit publik apo të tubimeve me karakter kontestues është shumë e varfër (me përjashtim të rastit të shfuqizimit të nenit 262 të Kodit Penal që parashikon dënim për mosmarrje leje në ushtrimin e se drejtës për tubim) e për rrjedhim për të shpjeguar ndryshimin e koncepteve “siguri publike dhe rend publik,” janë marrë për bazë jurisprudenca në disa vende të tjera perëndimore. Koncepti “rend publik” është i lidhur ngushtë me natyrën e ndërtimit të shtetit. Në vendin tonë, në kohën e diktaturës komuniste, “rendi publik” ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me “rendin ideologjik” njëlloj si në vendet me rregjim fashist.
Siguria e cila parandalon kërcënimet që vijnë nga natyra (tërmetet, zjarri, përmbytjet etj) në tërësi është e zgjidhur nëpërmjet akteve ligjore dhe nënligjore me natyrë administrative. Mosrespektimi i tyre pasohet nga ndëshkime administrative apo edhe ndjekje penale. Ndërkohë komponentët e tjerë mjaft të rëndësishëm të lidhur me “sigurimin” nga aksidentet në punë apo me automjete, i sigurimit të shëndetit etj, (të cilat përbëjnë aspekte të ndryshme sigurimi ku përfshihen marrëdhëniet kontraktore të parashikuara në të drejtën administrative dhe në atë penale), nuk përbëjnë objekt të këtij libri. Ky i fundit do të përqëndrohet tek shpjegimi i mjaft fenomeneve e koncepteve doktrinore e ligjore të lidhura me neutralizimin e kërcënimeve, që i vijnë sigurisë së individit dhe të komunitetit nga veprimtaria keqbërëse e njeriut. Po ashtu, tematika që do të prezantojë ky libër ka të bëjë me një nga shqetësimet më të mëdha të shoqërive në vendet demokratike, përfshi edhe shoqërinë Shqiptare, siç është siguria në përditshmëri. Pra siguria e shtresave të ndryshme sociale, kryesisht atyre modeste, të cilat kërcënohen në përditshmëri nga veprimtaria keqdashëse e njeriut nëpërmjet përdorimit të dhunës. Libri do të trajtojë problemet që has popullata më masive e shoqërisë në raport humbjen e sigurisë për shkak të dhunës dhe që nuk ka mundësi financiare për t’a kompensuar atë nëpërmjet shërbimeve private, krahas asaj të ofruar nga shteti. Siguria e individit në përditshmëri përbën një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë demokratike pikërisht për faktin se, veprimtaria keqbërëse e individit është e pamundur të parandalohet me tekste administrative dhe kushtëzohet nga fenomene të shumta me natyrë të lidhur me psikologjinë sociale, me psikologjinë e individit dhe të ndërtimit të shtetit.
Pjesa e dytë e librit i kushtohet analizës dhe prezantimit të aktorëve të sigurisë në vendin tonë duke i parë ata sipas këndvështrimit të doktrinave të përshkruara në kapitullin e parë. Aty del qartë që legjislacioni shqiptar për sigurinë në përditshmëri i njeh në thelb disa nga doktrinat e përshkruara dhe disa të tjera jo. Po ashtu, rezulton se edhe në kushtet e Shqipërisë, Policia e Shtetit nuk është i vetmi aktor që ofron siguri në përditshmëri, por të tillë ka edhe të tjerë të cilët kanë rol jo pak të rëndësishëm, pavarësisht se në perceptimin publik ato nuk shihen si protagonistë për sigurinë. Pra, publiku shqiptar nuk është i familiarizuar me efikasitetin dhe rëndësinë e tyre. Mbetet vetëm fuqizimi i këtyre shërbimeve dhe evidentimi në sytë e publikut për të treguar forcën dhe rolin që luajnë.
Nëse do të merreshin si shembull ligjet qe parashikojnë ndërtimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, do të dilte si konkluzion i parë që në raport me sigurinë, pushteti vendor në Shqipëri ka kompetenca dhe detyrime ligjore të cilat janë shumë të rëndësishme për të eleminuar incivilitetin dhe presionin e ambientit të degraduar mbi sigurinë e qytetarit. Po ashtu do të shihej qartë se çfarë roli madhor kanë shërbimet e policive private në përballimin e incivilitetit në hapësira private të hapura për publikun si qëndrat tregëtare, bizneset apo edhe spitalet publikë e privatë si dhe roli parësor i policive bashkiake në ruajtjen e hapësirave në pronësi të bashkive duke luftuar incivilitetin.
Ndërkohë një analizë e plotë do t’i bëhet funksioneve të policisë, profilit të saj, pikat ku një shërbim policor duket se ka karakter demokratik dhe mënyrat e matjes së tyre. Meqenëse Policia është organizmi i cili përfaqëson përdorimin e forcës legjitime të shtetit, do të analizohet edhe koncepti i ushtrimit të autoriteti i saj. Nëse nga njëra anë organi i policisë shtrëngimin apo ushtrimin e forcës e ka mjaft të kontrolluar dhe me kohë të kufizuar, nga ana tjetër aksioni i saj karakterizohet nga një marzh mjaft i gjerë i nismave që ndërmerr. Pikërisht kjo diferencë do të jetë objekt i analizës në tekst. Pa dyshim rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan formimi etik i Policisë. Pra këndvështrimi i analizës së policisë nuk do të jetë vetëm në raport me krimin, por sidomos me mënyrën e organizimit të shërbimeve që ajo ofron ndaj publikut të gjerë, cilësia e tyre. Në thelb libri kërkon të identifikojë dhe në fund të përputhë doktrinat botërore të sigurisë me legjislacionin korrespondues të vendit tonë, duke bërë edhe sugjerimet e mundshme atje ku ka boshllëk, si dhe duke evidentuar pikat ku përputhshmëria është e plotë. Informacioni i dhënë me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga libri i bën më të qarta konceptet për sigurinë edhe për qytetarin e thjeshtë, por mbi të gjitha u jep profesionistëve të fushës një njohje solide të gjithë filozofisë ku bazohet policimi për të cilin ata formohen në shkollat tona. Të kuptuarit e kësaj filozofie do t’a bëjë punonjësin e sigurisë më të përgjegjshëm dhe sidomos më realist në konceptimin e detyrave të tij. Kjo kuptueshmëri do t’i japë atij ide të qartë se ligjet mbi të cilat ai vepron dhe i ka mësuar në shkollë, nuk janë thjesht vullnet i një klase politike të një vendi të caktuar, as tekste që ai t’i interpretojë sipas dëshirës, por ligjshmëri universale mbi të cilat mbështetet ndërtimi i një shteti demokratik, siguria dhe prosperiteti i një shoqërie në demokraci.
Siguria dhe ndjenja e pasigurisë, libri i ri i Pëllumb Nakos