Albspirit

Media/News/Publishing

Josif Papagjoni: Qofsh e gëzofsh Sadik Bejko!…

 

Para ca ditësh Sadik Bejko festoi ditëlindjen me miqtë e tij në shtëpinë muze KADARE. 80 vjet s’janë pak. Ose janë shumë dhe pak. Varet sa peshon “torba” hedhur shpinës: “torba” e jetës, e krijimtarisë, e personalitetit. “Torba” e tij peshon…

Sadiku është miku i shumë vetëve, por dhe i imi. Diku në vitin 1981-2, ai erdhi nga Gjirokastra dhe fjeti një a dy net në shtëpinë time në Sarandë. Kishte dalë nga galerite e minierës së Memaliajt, ku e kishin syrgjynosur centaurët e kohës.  I kishin dhënë leje krijuese si poet dhe unë isha asohere kryetar i Degës së LSHA në Sarandë. Aty u bë edhe njohja jonë e drejtpërdrejtë, sepse poezinë e tij e njihja më herët, po ashtu historine e linçimit pas Festivalit 11 të këngës, ku ai ishte redaktori i teksteve. Ehhhh… hoqi picir, jo shaka. Mendojeni vete, ikën nga drita, sofra, sqima krijuese dhe intelektuale, ikën nga kryeqyteti, ëndrrat, ardhmëria dhe futesh nëpër vrimat e dheut, në minierë, si urithi, mes territ, lagështirës, mungesës së oksigjenit, stërmundimit, vagonave me qymyr!…

Poezia e Sadikut nuk është e thjeshtë, është një poezi sqimatare, kapriçoze, mbuluar e shkrirë mes nebulozave të një semantike që duhet ta vrasësh cazë mendje. Ka ca gjetje e vizllime figurash, simbolikash e metaforash që të zënë në befasi dhe ti lëshon veçse një “Ahhh…”. Ka pastaj veskun e mitit, sa atij antik aq dhe atij biblik. Është e thellë poezia e tij si deti dhe e lartë si malet nga vjen, pra thellësi në syprinë dhe “syprinë” në thellësi. Duhet ta ndjesh këtë dikotomi, këtë simbiozë a antinomi, pastaj ta kuptosh.

Sadiku është njeriu i kulturës, i formimit intelektual, ligjëruesi grishës i auditoreve të universitetit. Dallon menjëherë kjo që po them. Është dhe i muhabetit Sadiku, në një tavolinë miqsh; me qindra vargje brilante nga poetët tanë dhe folklori e bëjnë fjalën e tij të ëmbël si… si… një fetë “bakllavaje” pas drekës së bollshme të kuvendimeve dhe pijeve të shakave pa qibër. Pastaj Sadiku është një LAB, si i shkrirë me gurin, siç e thotë edhe vet në romanin e tij, njeri që s’e përdredh fjalën por ta thotë troç në sy, kur ia sjell në majë të hundës. Ka pasur integritet në politikë dhe bindjet e tij. Dhe ky është karakter. Kjo është burrëri.

Unë ndjehem mirë kur jam me Sadikun dhe do doja të isha më shpesh nëpër bisedat me të. Ai “ligjëron” nëpër tavolina, nuk mban iso. Kam shkruar me simpati për letërsinë e tij dhe ia vlen të shkruhet më gjatë. Në takimin që u bë për 80 vjetorin e ditëlindjes doja të flisja paksa për poezinë dhe prozën e tij, por fjala brilante e Rudolf Markut ma qepi gojën: “Stop, pas tij nuk ia vlen të flasësh”! Dhe ceka diçka tjeter nga opusi krijues i tij.

Sa shumë fjalë do doja të thoja për Sadikun, por fb-istët nuk do duronin më gjatë. Kohë e shkurtimave. Po e ul, pra, kapakun e fjalës! Dhe një të fundit vetëm: në drekën e shtruar, krahas miqve të tij të vyer, nga Shqipëria dhe Kosova, Sadikun e nderoi edhe Kadare, miti ynë, me të cilin ka pasur miqësi.

Qofsh e gëzofsh Sadik Bejko!…

Please follow and like us: