Linda Kavaja: Një buqetë me trëndafila, çdo të shtunë, për një jetë!
Kush thotë se dashuria nuk zgjat përgjithmonë e ka gabim. Ka nga ato dashuri që zgjasin aq sa fryma e njeriut në këtë botë, edhe nuk shuhen as me javët as me muajt, e jo as me vitet…
Një dashuri të tillë e gjeta në Namur të shtetit belg. Në qendër të këtij qyteti një çift i bukur shqiptarësh kishin ngritur folenë e tyre të dashnisë. Një fole e fortë lidhur me ashklat e shpirtit e të zemrës, e bashkuar nga bekimi i të madhit Zot.
Arta edhe Cemi Umit, një çift për t’u marrë shembull, e për t’u pasur zili ishin ata që edhe një herë tjetër më vërtetuan se dashuria është gjëja më e shtrenjtë e njeriut edhe më e madhja pasuri që njeriu mund të ketë.
Arta e bukura e dheut, një bijë e Ferizajt me origjinë të largët nga Shkodra ishte dashuruar me djaloshin serioz e me sytë e qeshur, me prejardhje nga Maqedonia. Shumë vite më parë zë vend histora e tyre e bukur e dashurisë, një marrëdhënie e sinqertë që do kororëzohej me martesë në vitin 1998 e prej atëhere deri sot do ishte si ditën e parë, e çiltër e bukur! Do ishte historia e atij çiftit të ri që Zoti më pas i bekoi me dy fëmijë të mrekullueshëm ashtu siç edhe prindërit e tyre.
Një djalë edhe një vajzë ishin frytet e kësaj dashurie të madhe të cilët prindërit i kishin quajtur Emir edhe Ema.
Emiri, një djalë i gjatë me trup të rregullt, fill në paraqitje tregonte se ishte një sportist e pasi u prezantuam me të më tregoi se pasioni i tij i madh ishte futbolli. Madje suksesi në këtë fushë nuk kishte munguar edhe i talentuari shqiptar. Emir Umit ishte një lojtar shumë i preferuar në Belgjikë që aspironte për Ligat Europiane. Emri i tij lakohej në merkato edhe premisat ishin shumë të mëdha për të ardhmen.
Ema, një vajzë e bukur e çapkëne, nxënëse shumë e mirë i ngjante shumë prindërve të saj, si në pamjen e jashtme ashtu edhe në shpirtin e saj… Nxënëse ekselente, një shembull për t’u marrë.
Të dy fëmijët e tyre e flisnin bukur e pastër shqipen, madje kishin mësuar edhe ta shkruanin atë. Dashuria për tokën e të parëve i kishte bërë të ishin krenarë edhe ta donin prejardhjen e tyre, madje ta tregonin me kokën lart se ishin shqiptarë!
Takimi im me këtë çift e familje të mrekullueshme ishte në lokalin e tyre Metropol Arta e Cemi. Ata mirëprisni shqiptarët që vinin në Belgjikë në folezën e tyre, që ishte njëkohësisht një nga bizneset më të mira në vend sa i takon fushës së kulinarisë. Metropoli, një lokal i madh edhe i arreduar me shije kishte në qendër një tavolinë të rrumbullaktë të veçantë nga të tjerat. Binte në sy jo vetëm nga forma por edhe nga një tufë e madhe me trëndafila e vendosur mbi të. Në fillim mendova se kjo tufë me lule ishte vendosur për arredimin e mirëmenduar të lokalit, por më pas e mësova se lulet ishin nëj treditë e bukur e Cemit edhe Artës.
Çdo të shtunë, pa asnjë përjashtim, Cemi blinte një tufë me trëndafila për të dashurën e zemrës së tij… Trëndafila të bardhë si ngjyra e shpirtit, me një aromë dehëse si ajo e dashnisë, si për t’i thënë faleminderit që ishte krah tij… Si për ta falenderuar që i kishte dhënë dy fëmijë të mrekullueshëm… Që kishte qenë një partnere në jetë edhe në biznes për të qenë krah njeri-tjetrit në çdo moment të jetës së tyre sëbashku.
Kjo tufë me lule ishte një ritual që përsëritej çdo të shtunë për një jetë të tërë!
Ishte si një premtim dashnie që më mbeti në mendje një tufë me trëndafila!
Prill 2023.