Albspirit

Media/News/Publishing

Shpallet Qytetar Nderi i Tropojës (pas vdekjes), Ibrahim Rexhë Hajdarmataj

 

Ibrahim Hajdarmataj

Këto ditë në fshatin Zogaj, njësia administrative Bytyc e Tropojës zhvilloi ceremoninë e dhënies së titullit Qytetar Nderi i Tropojës me vendim të këshillit bashkiak të Tropojës, Ibrahim Rexhë Hajdarmataj, pas vdekjes. Në qendër të fshatiit piktoresk Zogaj ishin mbledhur bashkëfshatarë të Zogajve dhe të ardhur nga fise të tjera të Tropojës, Hasit, Gjakovës, Prishtinës, Tiranës dhe Zvicrës.

Rexhë Byberi, kryetari i bashkisë Tropojë dorëzon këtë titull, djalit të Ibrahimit, Avniut, i cili u shpreh: “Duke marrë këtë titull për babën tem Ibrahimin (pas vdekjes), po kujtoj se mu ngjall edhe një herë baba, falenderimet pa kufi për këshillin bashkiak dhe për bashkinë e Tropojës në veçanti”.

Ibrahim Rexhë Hajdarmataj lindi në fshatin Zogaj më 14.03.1924, në një familje patriotike, atdhedashurie, fisnike dhe bujare. Kushëriri i tij Hoxhë Zog Hajdarmataj, pasi mbaron studimet e larta në Stamboll të Turqisë kthehet Hoxhë në krahinën e Bytyçit dhe bie në kontakt me Bajram Currin, i cili u bë bashkëpunëtor i ngushtë i tij, por regjimi zogist e arreston hoxhën dhe e varin në litar në Krumë të Hasit, në Janar të vitit 1925, në moshën 37 vjeçare, sot Shkolla e Mesme në Zogaj, mban emrin e Hoxhë Zog Hajdarmataj. Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare familja e Ibrahimit bashkohet me Brigadën 25 S. Më 4 Shtator 1944 ushtria gjermane pasi djeg fshatin bie në pritë me babën e Ibrahimit, Rexhë Mehmet Hajdarmataj dhe vëllezërit Musli Mehmet Hajdarmataj, Kadri Mehmet Hajdarmataj dhe kunatën Rushë Mehmet Hajdarmataj, këta me sakica e pushtuesit me armatim, të katër i pushkatojnë dhe trupat e tyre i hedhin në flakën e zjarrit të shtëpisë së vet.

Kjo ishte një tragjedi që nuk do të harrohet për jetë të jetës. Ibrahimi kishte dy motra, Xhemilen të martuar në fshatin Shipshan dhe Zaden të martuar në fshatin Hoxhaj të Tropojës, të dyja në familje të mira patriotike. Gjithashtu Ibrahimi kishte një vëlla Shabanin i cili tërë jetën e tij ia kushtoi punës në kooperativë bujqësore. Sëmundja e detyroi Shabanin t’i bënte operacion dy këmbët, por Shaban Rexhë Hajdarmataj edhe pa dy këmbë u bë më i fortë se guri, bënte mbi 400 norma pune në kooperativë bujqësore në Zogaj, kryesisht në kultivime perimesh, ku më vonë u shpall Hero i Punës Socialiste. Ibrahimi sot ka tri vajza familjare Elmijen në fshatin Markaj, Rushen në Babin dhe Luljetën në Durrës.  Gjithashtu, sot Ibrahimi ka katër djem: të madhin Avniun, i cili pasi mbaron shkollën e lartë mori drejtimin e Gjellogjise të sektorit Zogaj, ndërsa kushëririi i tij Bajram Hajdarmataj drejtonte sektorin e Gjellogjisë ne Has, më vonë Bajrami shpallet Hero i Punës Socialiste. Djali tjetër është Kujtimi i cili punon në mirëmbajtjen e rrugës, ndërsa djali i tretë Astriti për një jetë më të mirë është i punësuar në Londër të Anglisë, ku dihet nga të gjithë që vazhdimisht i ka përkrah atje krahinorët. Djali i katërt Bujari, i cili punoi disa vite mësues, më vonë në Gjakovë mbaron universitetin dhe në Prishtinë Masterin Shkencor, ku punon me përkushtim drejtor i Gjimnazit Zogaj, një ndër shkollat më model të Tropojës dhe shumë janë vendet e para që ka zënë kjo shkollë në takimet zonale, kombëtare e më gjerë.

Ibrahim Rexhë Hajdarmataj ishte mjeshtër i lindur, për ndërtimin e shtëpive, të gjithë e thirrnin ‘Mjeshtër Ibrahimi’’, ai bënte mbi 400 norma në kooperativë bujqësore, kryesisht me mjeshtrinë i cili në moshën 90 vjeçare me 22 Maj të vitit 2014 ndërron jetë për të ngelur në kujtesën e të gjithëve si një njeri gojëëmbël, punëtor i palodhur, bujar, fisnik, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë për punën e tij u shpërblye me disa medalje dhe urdhra nga Presidentët e Shqipërisë. Me hapjen e shkollës së parë Shqipe në vitin 1937 në fshatin Zogaj, në moshën 13 vjeçare Ibrahimi kur mbeti jetim nga vdekja e nënës, u regjistrua bashkë me fëmijë te moshave te ndryshme Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u angazhua në rindërtimin e shtëpive të djegura dhe të shkatërruara nga lufta. Më pas në vitin 1947 iu përgjigi thirrjes për ndertimin e hidrocentralit të Selites (sot Hidrocentrali i Lanabregasit, Tirane), ku ishte Komandant i Brigadës së Tropojës dhe së bashku me vullnetarët e tjerë sollën ne Tropojë flamurin e Kantierit të ndërtimit te hidrocentralit. Me aftësite e tij ai mori vemendjen e inxhinierëve të huaj që punonin në ndërtimin e këtij hidrocentrali. Ata i ofruan alternativen për shkollim në drejtim të ndërtimtarisë që të vazhdonte më pas në ndërtimin e veprave të tjera në Shqipëri. Kushtet famijare nuk ia mundësoi fillimin e ëndrrës së jetës.

Me kthimin në vendlindje vazhdoi aktivitetin në sektorin e ndërtimtarisë , për riaktivizimin e mullinjeve të blojës më uje, Ibrahimi me aftësite e tij i rindërtoi mullinje me dy gurë (një për miser dhe nje për grurë). Më vonë sikurse këta mullinj i ndërtoi edhe në bjeshken e Sylbicës duke bërë që të ishin mullinjte e parë të ndërtuar në Zogaj dhe Sylbicë. Ibrahimin e angazhuan në luftën kundër analfabetizmit dukë e caktuar mësues për të mësuar lexim dhe shkrim moshave të rritura në fshatin Zogaj. Veprimtaria e tij vazhdoi në sektorin e ndërtimtarisë duke u shquar si mjeshtër i gurit, hekurit dhe drurit. Në vitin 1979 udhëhoqi Brigadën e Bytyçit në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i datës 15 prillit në fshatin Tpla. Brigada e Bytycit perfundoi në një periudhe rekord prej 28 ditësh ndërtimin e shtëpisë së Hysen Shytit duke i mundësuar edhe hyrjen në shtëpine e re. Ibrahimi ishte një individ që nxiste dhe angazhonte edhe të tjerët të merreshin me ndërtimtari duke ndërtuar dhe dhuruar vegla të ndryshme pune si: komplete zdruthki për punimin e drurit, farka, (kovacane) për përpunimin e hekurit etj, ku këto vegla pune gjënden akoma në duart e një pjese të banorëve të Tropojës, Hasit, Pukës e më gjerë. Për të gjitha këto Ibrahimi, pas vdekjes këshilli i bashkisë tropojës e shpall “Qytetar Nderi Tropojes” me motivacion: “Për kontibutin në zhvillimin dhe përparimin e komunitetit, si nxitje për punë të dobishme për brezat në vazhdim, për fisnikërinë, bujarinë, traditat, dhe virtytet e tij te larta”

Të shumtë nga pjesmarrësit e morën fjalën, duke treguar kujtime për jetën dhe punën e Ibrahimit. Një urim i vecante vjen edhe nga Terbaçi i Vlorës nga Iljaz Gani Habazaj, i cili dërgoi përshëndetje në vargje. Shkrimtari gjakovar Tahir Bezhani dhuroi për biblotekën e gjimnazit Zogaj disa nga veprat e tijë. Astrit Hajdarmataj i dhuroi për shkollën e Zogaj një fotokopje të re. Shkrimtari kosovar i cili kishte ardhur nga Zvicra, qe është me banim atje, Rexhep Rifati dhuroi veprën e tij ‘ Arbëreshët’. Nga qyteti Bajram Curri këngëtarja 12-vjecare Klara Hasanukaj me këngën e saj e elektrizoi sallën. Kryetari i Lidhjes Shkrimtarve Tropojës, Lulzim Logu bëri një përshëndetje mbreselënse. Grupi i rapsodeve Folklorik “Brataj” të Hasit kënduan një kënga kushtuar enkas për punën dhe jetën e Ibrahimit. Veterani Gani Hysen Aliaj solli kujtime për periudhën e punës në ish kooprativën bujqësore Zogaj. Nga familjarët u organizua një drekë për pjesëmarrësit në lokalin e punëtorit të palodhur Zenun Aliaj. Kënga e vallja u përcoll jehona e tyre në tërë “Malësine e Gjakovës”.

Please follow and like us: