Albspirit

Media/News/Publishing

Azem Shkreli: PARA ELEGJISË

 

Një ditë do t’i marrësh në gji

gjethet e rëna të stinëve të tua

dhe do të kërkosh kot veten

shtigjeve të harruara të një moshe

e nuk do të kesh më as flokë ere,

as shikim ylberi ta matësh fillin

dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.

 

Një ditë do t’i shpalosh vjetët e tua

si pajën e nuses së vdekur

e do të numrosh fluturat e shkuara

t’agsholeve t’prenduara

e s’do të kesh më as zjarr në buzë,

as lot në sy të qeshën ngrohtë,

të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh

djelmoshat.

 

Një ditë do t’i hash buzët e tua,

gjurmët e tua do t’i pështysh

dhe secilin muzg do ta pagëzosh

me nganjë pendim që dhemb

e s’do të kesh më as sy deti,

as hap të hedhur sorkadheje

të shohësh si t’përqeshin gonxhet

dhe të ikësh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat më të bukura

i vret bukuria e vet.

Please follow and like us: