Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Të shkruash apo të lexosh në epokën e “merimangës sociale”!

Intervistë me dr. Iris Halilin rreth librit të saj të fundit ‘Letёrsia nё psikanalizёn e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale’!

 

Dritare. net: Pёrshёndetje zonja Iris. Herёn e fundit jemi takuar nё nёntor tё vitit tё kaluar me rastin e promovimit tё librave tuaj nё Panairin e 25-tё tё librit nё Tiranё, ku keni qenё e pranishme me takime dhe intervista tё ndryshme nё mediat shqiptare. Keni patur mirësinë tё bёjmё edhe njё intervistё interesante sё bashku. Këtë herë, intervistën dua ta nis me librin tuaj të fundit, “Letёrsia nё psikanalizёn e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale”, botuar vetёm pak ditё para panairit. Sot, kur kanё kaluar disa muaj, a mund tё mё thoni nёse libri ka patur jehonёn qё prisnit?

 

 

Dr. Iris Halili: “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale” u botua në Nëntor 2022. Ky libër është një përmbledhje studimore me ese që i takon më së shumti kohës kur unë jepja mësim si pedagoge në Universitetin e Tiranës, pranë Departamentit të Letërsisë. Pa modesti mund të them se ky mbetet i pari libër në letrat shqipe që i afrohet interpretimit letrar me ndihmën e metodave psikanalitike. Këtë metodë studimi literar s’e gjejmë shpesh edhe në botën bashkëkohore të studimeve letrare dhe kjo më bën të ndihem edhe më e kënaqur. Të interpretosh letërsinë nëpërmjet frojdizmit është të ndjekësh pak a shumë të njëjtën rrugë që përshkoi vetë Dr. Freud kur krijoi psikanalizën. Vetë psikanaliza, sikundër thotë Freud-i, lindi nga tërheqja që ky i fundit pati për karakteret letrare, ndaj edhe sot si shpërblim ajo është një shkollë e madhe për të zbërthyer personazhin që ndërtohet artistikisht në veprën letrare. Deri në atë kohë, dmth deri para lindjes së frojdizmit karakteri letrar lexohej së jashtmi, ndërsa me lindjen e psikanalizës ai filloi të lexohej së brendëshmi, domethënë aktet e tij nuk shiheshin vetëm si kundërveprime të krijuara nga shoqëria apo mjedisi rrethues, por më së shumti nga instiktet e fshehura të pavetëdijes që nxirrnin krye apo shfaqeshin përmes akteve që edhe ishin domethënia e tyre kryesore. Letërsia është jetërsim. Dmth është arti që merret me jetën tonë në lëvizje. Të mos lidhësh apo të mos interpretosh letërsinë me psikanalizën është sikur t’i heqësh karakterit literar pikërish atë pjesë të pavetëdijes që në fakt është edhe pjesa më dominuese e veprimeve tona në jetë. Metoda psikanalitike në studimet letrare është një shkollë shumë e arrirë, por kërkon njohje të thellë të të dyja disiplinave.

 

Dritare. net: Shumё interesante ёshtё pёrqasja qё kёni bёrё. Keni pёrdorur ca dylbi qё studiuesit shqiptarё, sot e kёsaj dite, ose kanё frikё t’i pёrdorin, ose s’dinё nga ç’kah t’i vёnё. A kemi mёsuar ne ta duam Freud-in, apo kemi mbetur te “çikёrrimat” e realizmit tё Balzakut?

 

Dr. Iris Halili: Dr. Freud është paksa vështirë të duhet. Bile është më e lehtë të urrehet. Nuk di pse ndodh kështu por ndoshta për faktin se ajo që nuk kuptohet apo që kuptohet me vështirësi, nuk pranohet më lehtshëm. Ende sot Freud-in e kundërshtojnë, ndonëse ai mbetet shkolla e parë e vërtetë nga ku burojnë të gjitha teoritë e mëpasshme psikanalitike. Personalisht, mua më ka tërhequr vepra e Freud-it por edhe ajo e pasardhësve të tij dhe kjo ka ndodhur që në fillesat e para kur u ndesha me punimet e tyre. Unë besoj se Freud-i më shumë është keqinterpretuar sesa është dashur, më shumë është cituar sesa është kuptuar totalisht dhe më duket se edhe në çastet që flasim ende, fatkeqësisht, nuk është arritur të depërtohet në thelbin e gjenisë së tij që e bën njeriun më tolerant ndaj njeriut, e bën atë më pak gjykues dhe më shumë detajues. Unë mendoj se jo vetëm shoqëria shqiptare por edhe ajo më liberale botërore do ta kishte patur më të lehtë pranimin e të ndryshmes nëse do kishte përdorur si argument teorinë psikanalitike. Freud-i ka një studim për çdo devijancë të veprimeve tona humane. Duket sikur ai ka shkruar rrëmbimthi që të mos na lërë pa thënë asgjë që ai përfytyronte, kuptonte apo zbulonte mbi natyrën njerëzore. Ashtu si edhe Einstein-i, ai më shumë se testin shkencor përdori imagjinatën dhe ndoshta këtu qëndroi talenti i tyre i papërsëritshëm, talent që ndryshoi një herë e përgjithmonë jo vetëm shekullin e 20-të kur ata jetuan, por të gjithë mënyrën sesi shohim botën rreth nesh si edhe njeriun brenda nesh që asnjëherë nuk është ai që duket së jashtmi.

 

Dritare. net: Ky libёr ёshtё njё pёrmbledhje leksionesh tё dikurshme, qё kanё edukuar me dhjetra breza studentёsh nё auditoret e Fakultetit tё Gjuhёs dhe Letёrsisё; pёrmbledh gjithashtu studime, shkrime dhe ese tё botuara nё shtypin e kohёs, në një hark kohor nga viti 1994 e deri më sot. Mos kemi të bëjmë me një fryt të nostalgjisё? Apo është thjesht njё kёrkesё për t’i vёnё emrin e pёrfundëm njё periudhe me studime inovative?

 

Dr. Iris Halili: Janë të gjitha bashkë. Është nostalgjia apo kërshëria për t’iu kthyer studimeve të shkruara me aq dashuri dhe përkushtim, por mbi të gjitha për të përmbledhur në një botim të vetëm të gjitha ato studime të shkruara ndër vite dhe që janë shfaqje reale e një shkolle studimore të letërsisë që i mungon kritikës letrare shqiptare sot e kësaj dite. Dmth nëse 25-vjet më parë kur filluan të shkruhen këto ese apo studime, çdo hap ishte një sfidë dhe avangardë më vete, sot, është një konfirmim i vërtetësisë së tyre dhe i faktit që ato i rezistuan kohës. Atëherë, intuita dhe informacioni akademik nuk shkonin hap pas hapi. Shpesh intuita nuk arrinte të gjente mbështetje të burimeve akademike pasi jetonim në një kohë kur magjia e klikimit të informacionit nuk ishte kaq e shpejtë si sot. Po sjell një shembull: kur unë studiova novelat e Stefan Zweigu-t me metodën psikanalitike nuk e dija që këta dy gjeni kishin qenë miq shumë të ngushtë të mjedisit vjenez, por e shtyrë nga intuita shkrova “Një nolelë sa një teori” pasi çdo novele të tij mund t’i afrohesh në studim me një teori frojdiane dhe mendoj se kjo është medota më e plotë për të zbërthyer ngjarjet dhe karakteret unikale të këtij shkrimtari. Vite më vonë njohja e historisë së miqësisë të dy kolosëve e vërtetoi punimin tim të cilit edhe sot nuk i heq asnjë presje prej asaj që është shkruar në ditën e parë kur u botua tek gazeta “Drita” në mars të vitit 1996.

 

Dritare. net: Nё libёr ka disa “xhepa” tё ndryshёm qё s’kanё tё bёjnё me teorinё psikanalitike. E kam fjalёn pёr autorёt ekzistencialistё: Camus, Sartre, shpesh edhe Kafka. Dikur, nё vitet ’90, kёta autorё na tregonin rrugёn drejt lirisё individuale, qё ne e pёrkthenim sipas nevojave tona pёr njё shoqёri masivisht tё lirё. Ju mendoni se këto kohët e fundit, sidomos pas periudhës së rëndë të pandemisë që kaluam, kemi sërish nevojë për një filozofi të tillë ekzistencialiste?

 

Dr. Iris Halili: Shkrimtarët ekzistencialistë ishin dhe mbeten, në gjykimin tim, super realistë, ndaj dhe sa herë na duhet ta pranojmë realitetin pa zbukurime (dhe kjo është një gjendje që me siguri, secili nga ne e ndien edhe në kohën që jetojmë), natyrshëm na vijnë në mendje eksistencialistët me frazat e tyre si: “ne jemi dënuar me liri”, “njeriu ky pasion i pamundur”, “ferri janë të tjerët”, apo “realiteti me real është se ne të gjithë do të vdesim një ditë”. Eksistencialistët na dënojnë me vërtetësi, ndaj sa herë do të duam të dimë fatin tonë sizifian, do t’u kthehemi atyre dhe do t’i pranojmë edhe më shumë, jo se na bëjnë pesimistë, por se na përgatisin pak nga pak për atë që ne e dimë por nuk duam ta dëgjojmë apo rikujtojmë çdo çast, në një realitet që siç e përshkruante Franz Kafka, sa më shumë përparon qytetërimi, apo avancon morali, aq më shumë kufizohet liria ime sepse me sa duket më shumë se për veten duhet të kujdesemi për lirinë e tjetrit. Nuk ishte rastësi që për gjatë muajve të kovidit eksistencialistët duket sikur ishin shkrimtarët më pranë nesh, pasi përgjatë atyre ditëve ne kuptuam se jeta jonë nuk është asgjë më shumë se një hap larg absurdit që mund të na shfaqet papritur në çdo çast dhe të na ndryshojë rutinën tonë monotone që i përngjan ditarit të Rokantenit tek romani “Neveria” e Zhan Paul Sartre-it.

 

Dritare. net: Letёrsinё shqiptare aktuale e shihni nё “pikё tё hallit”, apo vini re atё zhvillim gradual e tё shёndetshёm qё kanё dhe kanё pasur simotrat e saja mё tё mёdha nё botё? A mendoni se politikat kulturore tё shtetit dhe institucionet e tij, siç ёshtё edhe Fakulteti ku ju keni dhёnё mёsim pёr dhjetё vjet, qё duhet tё jetё kuvlija e kulturёs, bёjnё mjaftueshёm pёr artin shqiptar dhe promovimin e librit nё veçanti?

Dr. Iris Halili: Letërsia shqiptare brenda dhe jashtë truallit amë po ecën në rrugë shumë të mbarë. Lexojmë poetë apo prozatorë shumë të talentuar por me keqardhje them se kritika e vërtetë letrare mungon dhe katedrat e letërsisë nga ku duhet të burojnë të gjitha kërkimet shkencore nuk janë në nivelin e duhur novator, apo “kuvlija e cultures” siç do të donim t’i shihnim. Departamenti i Letërsisë pranë Universitetit të Tiranës apo Akademia e Shkencave duket sikur riciklojnë vetveten me studime apo promovime të stërnjohura dhe po i përngjajnë një laboratori të vjetëruar që bën gjithmonë të njëjtat eksperimente me shpresën se një herë edhe mund të arrijë rezultate të kundërta. Ky është dhe fakti që po të pyesësh sot një lexues shqiptar kush është poeti apo shkrimtari më i mirë bashkëkohor apo i dekadës se fundit, do të të përmendë emra që kanë qenë lancuar 30 apo 50 vjet më parë dhe që duken si të marrë parafabrikatë. Ky padyshim është një shfazim në kohë dhe na bën të besojmë se ndërkohë që letërsia në gjuhën shqipe e të gjitha trevave ka një zhvillim progresiv, kritika akademike që duhet ta shoqërojë atë është ende në përhumbje pa qenë në gjendje të edukojë lexuesin për të zgjedhur autorët shqiptarë apo dhe të huaj. Të mos harrojmë se detyra e parë e çdo studimi kritik është të edukojë, të drejtojë dhe të orientojë lexuesin në zgjedhjet e duhura. Si mund të imagjinohet që Departamenti i Letërsisë në UT nuk pranon të zhvillojë asnjë promovim libri? Kjo është deri në kufijtë e të pabesueshmes. Një departament libri që nuk promovon libra! Kështu duket se pasionin më të madh e mbyt meskiniteti i atyre në dorë të cilëve ka rënë dhe është privatizuar ai departament apo ajo akademi që mbahet me taksat e lexuesit shqiptar. Ndaj dhe jemi këtu ku jemi. Me një kritikë letrare që shënon më pak rreshta të botuara në tri dekada liri mendimi sesa kishte kritika moniste në një vit kalendarik.

 

Dritare. net: Sa e vёshtirё ёshtё tё ndjekёsh mbarёvajtjen e botimit tё njё libri nga larg?

 

Dr. Iris Halili: Është e vështirë se largësia të pengon ta përjetosh jetën e përditshme të librit. Po marr një fakt të thjeshtë: nuk ke mundësi të shohësh librin tënd që shitet diku në një librari qëndrore apo periferie. Dmth është më shumë një mungesë e bashkëjetesës reale me librin. Më mungon promovimi i librit hap pas hapi, reklamimi i tij në mjedisin shqiptar ku libri edhe është botuar. Por dua edhe të shtoj këtu se marrëdhënia e autorit me librin i takon një dashurie krejt tjetër, duhet të jesh autor për ta kuptuar këtë raport. Libri është i yti deri në momentin që botohet, më pas ai është i gjithkujt që e lexon, përpin apo kritikon. Autori mbetet i lidhur pafundësisht me veprën e tij, por nga ana tjetër nuk mund as të kontrollojë dhe as të imponojë ndjenjat e lexuesve për veprën e tij. Dmth raporti i autorit me veprën duhet të jetë një raport i pasforcuar, sa soditës aq edhe gjakftohtë, apo më saktë nëse është i tillë atëherë mund të themi se është raport i shëndetshëm. Kjo është si një dashuri që s’e ke më në dorë, që e ke dhuruar me shpresën që do të të kthehet mbrapsht. Nëse autori përpiqet artificialisht të imponojë librin e tij, bën padashur efekt të kundërt tek lexuesi, ndaj dhe unë them se tashmë e kam dhuruar këtë libër tek lexuesit siç kam bërë edhe me librat e tjerë dhe besoj se ato kanë arritur tek lexuesi apo dhe do të vazhdojnë ta gjejnë hap pas hapi lexuesin që i përshtatet.

 

Dritare. net: Meqë jemi te libri, si dhe në fund të intervistës, do të doja t’ju pyesja se çfarë mendimi keni për lexuesin bashkëkohor dhe raportin e tij me librin?

 

Dr. Iris Halili: Në kohën e tiktoizmit dhe googlizmit dihet se ka rënë shumë numri i lexuesve. Unë mendoj se librat blihen masivisht, por nuk lexohen imtësisht apo denjësisht. Ndërkohë që bibliotekat personale mbushen me libra gjithshfarësh, numri i faqeve që lexohet është gjithmonë edhe më i vogël. Jetojmë në një botë ku tërheq më shumë imazhi sesa thelbi, më shumë dukja se përmbajtja. Unë besoj se në përgjithësi rrjetet sociale e kanë rritur nivelin e dijes në përgjithësi, dmth kemi më shumë lexues të informuar dhe të ditur në krahasim me 20 -vjet më parë, por nga ana tjetër është ulur edhe numri i lexuesit elitar, pasi edhe ai padashur është bërë pjesë e kohë- vrasjes së merimangës digjitale. Momentalisht libri ka humbur forcën që ka pasur dhe kjo pasi kinemaja në masë, TV në masë dhe mbi të gjitha rrjetet sociale e kanë zëvendësuar librin gati në 80% të rasteve. Megjithatë unë sërish besoj se kjo nuk është një humbje finale.

Libri do të vazhdojë të mbetet madhështor, pasi ai është dhe mbetet i pazëvendësueshëm në llojin e tij. Njeriu nuk ia njeh vetes forcën e imagjinatës deri në çastin kur është ulur të lexojë një libër të mirë. Libri nuk është vetëm informim, në fakt në ditët e sotme kjo nuk është ndoshta vlera parësore e librit se këtë e kanë zëvendësuar shumë burime të tjera, por libri është padyshim frymëzuesi më i denjë i fantazisë njerëzore. Kjo është edhe arsyeja kryesore që njeriu duhet të edukohet të lexojë të paktën një libër në muaj. Që kjo të arrihet masivisht në kohën tonë është e vështirë pasi libri mbi të gjitha do dedikim dhe vëmendje të veçantë.

Libri do që ta përjashtosh veten nga mjedisi përreth dhe të hysh në botën e leximit vetvetishëm, ndërkohë që televizioni dhe rrjetet sociale apo merimanga sociale, siç kam dëshirë ta quaj shpesh, të lejojnë të jesh më i çliruar tek gjen apo merr informacionin. Libri kërkon bashkëkomunikim me autorin, ndërsa rrjetet sociale kërkojnë më shumë bashkëpunim me mjedisin përreth që komenton autorin. Libri të bën më individualist, rrjetet socile më grupist. Në leximin e librit bota imagjinohet siç e do ti dhe jo sesi do të të gjykonin të tjerët për përceptimin që ke apo shkruan ti; kurse në merimangën sociale duhet të themi atë që na bën të dukemi mirë tek të tjërët. Librin e prek dhe në atë çast duket sikur e pushton, padashur ai bëhet tërësisht i yti; këtë s’e bën do as me kinemanë dhe as me informacionin e pafund digjital, pasi asnjë prej tyre nuk krijon atë “romancë” marrëdhënieje që lexuesi mund të krijojë me librin sidomos kur nënvizojmë rreshtat që mbeten ndoshta fanarët që na tregojnë vite me vonë faqen ku duhet të kërkojmë atë frazën qe na ndryshoi dikur veten dhe pse jo, vetë jetën.

Në fillim të librit tim kam vendosur citatin e një prej autorëve më të famshëm bashkëkohorë, me të cilën dua ta mbyll edhe këtë intervistë: “Kush lexon ka një mijë jetë, ai që nuk lexon ka vetëm një”, (George R. R. Martin).

———————

Nё pranverёn e vitit 1990, atёherё kur demokracia ende nuk kishte ardhur nё Shqipёri, Iris Halili fitoi vendin e dytё nё Olimpiadёn e parё Kombёtare tё Letёrsisё, çmim qё i dha edhe tё drejtёn e studimit nё degёn Gjuhё-Letёrsi, pranё Fakultetit tё Historisё-Filologjisё, nё Universitetin e Tiranёs. Nё vitin 1994, pёrfundoi studimet me rezultate tё shёlqyera dhe me medalje ari.

Nё vitet 1995-2002, punoi si pedagoge e letёrsisё sё huaj moderne, nё Departamentin e Gjuhёs dhe Letёrsisё, Universiteti i Tiranёs. Gjatё periudhёs 2000-2006, vazhdoi tё punojё si pedagoge e jashtme, po pranё kёtij departamenti, si pasojё e aktivizimit tё saj nё disa detyra shtetёrore: shefe kabineti e presidentit tё Republikёs (2002-2005), kёshilltare diplomatike e ministrit Olldashi etj.

Prej vitit 2009, vendoset nё Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs, ku pёrfundon Doktoratёn pёr Lidership dhe Zhvillim Organizatash. Aktualisht, jeton dhe punon nё Miami, Florida.

Autorja ёshtё aktive nё shtypin e ditёs dhe opinioniste nё gazetёn mё tё vjetёr shqiptare, “Dielli”, botim i organizatёs panshqiptare “Vatra”.

Libri i saj i parё ёshtё “Takim me letёrsinё e huaj tё shekullit 20-tё”, (1999).

Nё vitin 2020, boton librin “Lideri nuk lind… bёhet”, i pari i llojit tё vet nё letrat shqipe. Ky libёr ёshtё vlerёsuar nga lexuesit e Bukinistit (portali mё i madh i librit online), si libri mё i mirё i mendimit, pёr atё vit. Libri “Letёrsia nё psikanalizёn e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale” ёshtё libri i saj i tretё.

Please follow and like us: