Brunilda Spiro: Si guxove të më puthësh?
Mbrëmë në ëndër më pështjellove shpirtin. Kush je ti i panjohur? Dy herë më more frymën dhe goja ime e hapur nuk thithte dot ajrin, por lagështinë e mishit të buzëve që nuk shqiteshin të miave.
Duke u dridhur zgjata duart drejt errësirës… Dëshira më përshkroi deri thellë në kocka… Më the pastaj frazën më të padëgjuar më parë: “Të shoh me buzë”.
Diçka e dridhshme, e prekshme, tokësore, befas mundësoi atë që nuk i shkonte aspak një ëndrre!
-Si guxove të vish në ëndërr dhe të më puthësh?
-Ne kemi vite që pimë së bashku kafe dhe çaj, ulur përballë njëri-tjetrit dhe lujamë lojën e miqve të mirë. Aq bukur e luajmë, sa e kemi besuar edhe vetë. Sot duket nuk durova dot më dhe erdha aty ku jemi të lirë të thyejmë rregullat e lojës sonë.
Pastaj lehtë, mes flokësh që ngatërroheshin në gishtat e tu, më pëshpërite, si një këngë pa zë: “E di çfarë ka thënë Dante për Ferrin”?
-Hë, hë, mos ka thënë gjë: ”Që në ëndërr nuk jemi mëkatarë”?
-Ha,ha, sa për të qeshur! Ka thënë: “Afrimiteti pa intimitet është Ferri”.
-“P”…
-?…
-Shenja që vendosin redaktorët kur duhet të fillojë një paragraf i ri
-Jo,ne nuk do nisim asnjë paragraf të tillë… Ne vetëm në ëndërr mund të shkruajmë ndonjë paragraf. Në ëndërr ku shpëtohen (sipas babait të psikanalistikës), dëshirat e shpirtit.
Buzëqeshi dhe më tërhoqi flokët deri në dhembje: “Mos ler dukjen e gjërave dhe brengat e zemrës të të bëjnë të besosh se është natë kur dita tashmë ka dalë”.
Hapa sytë, një dritë e ndrojtur po ulej si me faj në dritaren time. Kisha qenë në ëndërr? Apo kisha ëndërruar? Sido që të qe, kisha vjedhur një ëast lumturie që nuk më takonte, por më dëshironte…
18 shtator 2016.