Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Vetmia…

Më kërkuan t’u bëj një foto dhe djali i hodhi krahun vajzës, e cila natyrshëm u afrua pranë tij. U kërkova ta përsërisja foton edhe me telefonin tim. Më panë pak me dyzim, por sapo qesha, pranuan. Unë qesh shpesh, edhe kur shpirtin e kam copë dhe njerëzit e duan të qeshurën.

Më pas u thashë të më bënin edhe mua një foto në stol. Unë ngrita dorën si djali dhe pushtova dikë.

Mos prisni të më kenë pyetur që isha vetëm? Isha e mërzitur? Jo! Askush në këtë vend nuk çuditet me vetminë. Vetmia këtu është status.

Pastaj unë qesha njësoj dhe e qeshur u largova.

Unë i di pritshmëritë dhe e di mirë që njerëzit, njësoj si edhe unë ndjejmë shumë keqardhje për dikë që ikën nga kjo botë dhe aspak për të gjallin. Mbaj mend që gjyshja nga nëna, ose më saktë nëna që më rriti, kur isha e vogël më ka traumatizuar pa dashje. Sapo sëmurej pak, më thoshte që do vdes. Unë akoma fëmijë qaja mënjanë dhe mendoja më mirë të vdisja unë, pasi nuk do duroja dot dhëmbjen për të.

Ne e kërkojmë vetminë nga dhimbja, por edhe nga fakti që nuk kemi kulturë për vdekjen dhe mënyrën si mbijetojmë pas humbjes së dikujt që duam.

Prandaj po ndaj disa ndjesi që ose i besoni, ose talleni, zgjedhja është juaja:

Sigurisht që ka një fazë për zinë, sepse do kohën e saj, por një ditë kur e pamësuar me idenë e vdekjes, humbjen dhe mallin për njeriun që nuk e ke më, kërkon të vetmohesh apo të mos jetosh, të gjitha forcat mistike që ne pak i dallojmë, pasi nuk i njohim, bashkohen dhe të ndihmojnë.

Ka disa mënyra si e bëjnë.

Sa më afër dhembjes, aq më shumë komunikon me ato forca. Një natë e dëshpëruar qaja dhe i thosha Dolfit të më jepte një shenjë që e shihte sa vuaja unë e vajzat për të. Në mëngjes u zgjova e tronditur. Më doli qartë në ëndërr ose në komunikimin mistik që kishim krijuar që në natën e tretë që kish ikur, duke qarë me zë dhe qartë më tha, që vuante shumë që ishte larg meje dhe vajzave.

Netët më ndihmuan më shumë se sa ditët në këto vite. Komunikojmë me mënyrën tonë. Kam mësuar të përkthej mesazhet që më dërgon, sa ndonjëherë kur pres një përgjigje për diçka dhe nga vajzat, unë e di më parë se sa të ma komunikojnë. Çfarë nuk njohim na tremb. Vajzat më thonë shpesh pas kësaj që kanë frikë nga unë.

Kur më ndodhi aksidenti e dija që do ndodhte. Më doli sikur Dolfi u godit me makinë në të pasmet e tij dhe nuk pati dhembje. Atë pasdite do ikja për në punë, para se të dal ndeza një qiri dhe doja ta puthja mamanë që po dremiste në divan. Nuk e putha, sepse mendova ëndrrën dhe thashë mos ndjell keq. As dy milje dhe ndodhi aksidenti. Lutja pas paralajmërimit më shpëtoi, pasi makina doli jashtë përdorimit.

Unë e ndjej që e kam pranë natën dhe ditën. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Dolfi më jepte vëmendjen maksimale. Ndërsa unë e mësuar me këtë vëmendje, nëse e shihja që venitej pak, bëja edhe idiotësi të mos e humbja asnjë çast.

Po kursej shumë detaje nga ëndrrat e komunikimi që mos trembeni edhe ju nga unë ose më quani të lajthitur.

Një njeri jeton disa jetë. Unë pata këtë fat, të mirë dhe të keq, jetova një jetë si fëmijë, pastaj vajzë e re dhe pastaj e martuar plotësova një mision, misionin për ripërtëritjen e jetës me dy vajza të mira e të bukura, tashmë jetoj për Brunin dhe jam tjetër njeri, ose jam ajo vajza përsëri, por me thinja, mbase…

Një gjë është e sigurt, gjithçka që bëjmë, jetojmë, gabojmë e bëjmë në një fazë të caktuar dhe me njerëz të ndryshëm pranë. Më është dhënë mundësia të jetoj pas dhembjes që të ndryshon dhe të bën të kuptosh vlerën e jetës dhe të vërtetës. E mohoj tashmë dhembjen dhe vetminë. Edhe kur mërzitem, rri pak në qetësi, pastaj them do kalojë dhe qesh.

Mos dëgjoni psikologët dhe thëniet për vetminë. Sidomos paragjykuesit, të cilët flasin në ajër pa e provuar në kurrizin e tyre!

Psikologu paguhet të na mësojë të duam vetminë. Udhëheqësit shpirtërorë na mësojnë si ta dashurojmë veten, në fakt vetminë.

Nëpër rrjete sociale lexojme pa fund për vlerën e vetmisë.

Truri ynë i zvenitur nga kjo jetë gjithë helme, helme në ushqime, helme në komunikim me njerëz plot helm, helme në ajër, helme në ujë, helme në punë, po e humb dëshirën të euvolojë, fatkeqësisht po kërkon të pushojë, të çlodhet dhe si rrjedhim të bëjë regres.

Vetmia vjen si rrjedhojë e lodhjes së trurit, e frikës ndaj lëndimeve, e vetëmbrojtjes ndaj të keqes, por më pas shoqërohet me depresion dhe sëmundje. Njeriu është qënie shoqërore. Truri ynë nuk e duron dot një gjë për shumë kohë, akoma edhe lumturinë nuk e duron dot gjatë, sepse euforia rrit adrenalinën dhe vjen rraskapitja edhe prej lumturisë, imagjinoni nga trishtimi.

Please follow and like us: