Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: NJË MBRET EDHE PËR SHQIPTARËT?

Nuk kam shumë durim për mbretëritë. Ideja që kurora është e trashëgueshme është diçka që nuk e përtyp dot. Njeriu duhet ta fitojë privilegjin e nderimit.
Kam besuar gjithmonë se Shqipëria duhet të mbetet një republikë e që shpirti republikan e ai i të drejtës të triumfojë edhe në shpirtin e shqiptarit.
Mirëpo, në këtë ditë të ditëlindjes së Mbretit Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të ceremonisë së kurorëzimit më të ndjekur në historinë e njerëzimit, atë të Mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, me duhet të pranoj diçka.
Shqiptarët më duket se kanë një nevojë të dëshpëruar për një mbret. Në mungesë të tij përpiqen ta gjejnë kudo që munden. Te një kryetar partie, te një kryeministër, te një drejtor në vendin e punës, te një bos firme private, te një i fortë të lagjes, te një ambasador i huaj, te një sharlatan me podkast apo kanal video në youtube, te një konkurrent në Big Brother, te një premtues pasurimi të shpejtë etj.
Nevoja për dikë, një person që qendron mbi të gjithë. Një zot në Tokë, ndoshta për shkak të mungesës së besimit te një Zot në qiell, ose për shkak të besimit te një Zot në qiell. Kanë nevojë për një udhëheqës të pagabueshëm, të pakritikueshëm, për një spirancë të pashkulshme shpirtërore e ideologjike.
Individët janë në gjendje të artikulojnë dëshirat e tyre. Por për turmat në përgjithësi, për masat e njerëzve, apo edhe popujt, dëshirat dhe nevojat shprehen në mënyrë të të tërthortë. Të gjitha mjerimet e kontradiktat e gjithë këtyre viteve, të gjitha kufizimet e zhgënjimet, ndoshta kanë qenë një thirrje e brendshme masive për diçka tjetër. Për një njeri me kurorë.
As nuk mund të thuhet se nuk na pyetëm nëse donim një kthim në mbretëri. Në vitin e marrë 1997 edhe Shqipëria mbajti një referendum ku u votua në favor të republikës. Disa thonë që vota u manipulua, por nuk është çudi që shqiptarët, në atë moment, mund të kenë zgjedhur vërtet republikën.
Mbase ngaqë shqiptarët thellë-thellë besojnë se nuk mund të meritojë të jetë mbret dikush që të pyet nëse e pranon për mbret. Mbret është ai që ta bën të qartë se është i tillë.
Mbase është edhe arsyeja se pse shpërblejnë sjelljen e keqe, abuzimin e pushtetit, arrogancën dhe paturpësinë. Sado e keqe dhe imorale, njerëzit shpresojnë fshehtas se mbase pas kësaj sjellje do të vijë akti akoma më i keq por që sjell me vete pagëzimin dhe purifikimin përfundimtar. Mëkati që lan e justifikon të gjitha mëkatet e mëparshme. Vetëshpallja mbret. Fundi i torturës së pluralizmit, i banalitetit të demokracisë, i shakasë së shëmtuar se gjoja qenka vetë populli mbret. Ardhja e shpëtimtarit që pastaj ndëshkon të gjithë abuzuesit e mëkatarët e tjerë. Kur thonë “çohu o Enver” mbase nënkuptojnë, le ta marrë njëri kurorën a pushtetin absolut. Të na japë dikush justifikimin për t’i dhënë fund farsës së demokracisë dhe meritokracisë.
Nga ana tjetër, mbase i kam keqkuptuar. Mbase turmat që rrotullohen në sheshet publike me kandidatët e tyre për mbret në krahë, janë shenja të një kohe që po ikën ngadalë, jo të asaj që po vjen me shpejtësi. Jo ekzistenca e tyre, por fakti që nuk triumfojnë janë treguesi më i rëndësishëm. Pati dikur mbretëri edhe këtu, por për mirë apo për keq, nuk do të ketë më. Ai Zog ka fluturuar.
Please follow and like us: