Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

PA HILE

 

Ju pyes pa hile me blerimin veshur

Pse shiu i verës bie i buzëqeshur?!

 

Mollët verore me ndonjë bli,

Kur del hëna pse nuk dalin në sheti?!

 

Gati harrova, si dallëndyshja e gjumit,

Në ç’livadh kullosin kuajt e lumit?!

 

Kam edhe një pyetje, s`është e vjetër,

në planet të kanjushave

a ka lejlek me setër?!

 

ZOGJTË E ZEMRËS

 

ATA më bëjnë kalë pa shalë e fre!

Më shalojnë si erën

edhe përmbi re!

 

Si në pemë më fryte ATA, në krahët e mi!

Vjelin puthje përditë,

përqafime pakufi!

 

Ndodh ndonjëherë pahiri t`më përmjerrin,

me buzëqeshje lulesh

më sjellin ylberin!

 

Janë zogjtë e zemrës , unë gjysh me pranverë,

në dhomën time hyjnë

pa trokitur në derë.

 

KUR TË SHKOSH NË PUNË

 

Kur të shkosh në punë,

baba,

mos e mbyll dritaren, të lutem!

Vijnë pëllumbat me pranverë,

bashkë me mua

këndojnë në piano.

 

Edhe dielli  vjen

me kapelën mbi sy,

kukafshehtas luajmë

si trumcakët.

 

Baba,

dritaren mos e mbyll,

derisa të kthehesh,

të pi ujë ylberi

edhe në kroin tonë.

 

MOLLËT

 

Mollët janë goca

Me faqe të ëmbëla.

 

Vetullat i kanë

Krahasim ylberor.

 

Sytë

Metaforë buzëqeshjesh.

 

Janë poezi që lexohen

Nën ombrellë gjethesh.

 

Fluturat pëshpërisin

Dielli i puthë përditë.

 

PETALE BUZËQESHJESH

 

Zambaku është

liriku i kopshtit.

 

Në petale buzëqeshjesh

shkruan vargje

për fluturat e bukura.

 

Janë si faqet e ylberit!

I kam lexuar me puhizën

kur u bëra mollëkuqe!

 

Lirik të tillë

s`ka në asnjë planet

të verës.

 

MELODI E RIMËS

 

Bora fije-fije

në flokët e mia s’bie

kënga e kitarës sime

i bëhet çadër.

 

Po të qeshin sytë

me të gëzoj përditë

fëmijët e planetit të mrekullisë

ku rritet buzëqeshja.

Tash po e kupton

jam melodi

e rimës kur bleron.

 

E DIELLTA

 

Në 30- vjetorin e ikjes së Nënës

 

AJO fliste me lulet

si me mua,

e dinte kur u pihej limonata,

kur u duhej kënga

e përrallat e blerta.

 

Për ditëlindje të tyre

bëhej flutur.

 

NANA,

e diellta.

 

Kur e mashtroi gjumi

lulet dënesën

si unë e motrat.

 

Fustanet e dhembjes

i veshën.

 

UNË TË BESOJ

 

Unë të besoj kur thua

Dielli fle në skaj të detit

Edhe kur tregon

Atje mbledh perla

Për gjerdanet e kumrive

E kopsa për këmisha të reve.

 

Nuk di pse qesh Aria

E ma mbyll syrin

Duke bërë detyrat.

 

Nuk kërkon më njëqind përralla

Si ti

Kur bie të fle.

 

KRUJA

 

Kruja prekte qiellin

Me babin e pashë dje.

 

Pak u bëra Gjergj

Pak Skënderbe.

 

Vesoi shi papritur

Një shi ylberisht.

 

Kur pita ujë në krua

U rrita për një gisht .

 

Shqiponja na shkeli syrin

Fluturoi sipër Drinit.

 

Njërin krah në Tomor

Tjetrin n`zemër t`Boletinit.

 

ATDHEU S`ËSHTË MAL I BABËS

Atdheu

s`është mal i babës

të shitet kur të duash,

as livadh që kositet

për kuajt e tu.

 

Është gjaku i të gjithëve,

Atdheu.

 

Emri ynë

që s`lam të shkelet.

 

Po e vure në pazar

zgjohet Avni Rrustemi.

Please follow and like us: