Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Humbje e Partisë Socialiste në Librazhd

Shqiptarët shquhen për mitizim të figurave politike, por periudha 30 vjecare ndën autokraci dhe varfëri, i ka bërë më pragmatistë, “Më jep, të të jap”. Mitizimet dhe çmitizimet e një politikani, janë një trend për shqiptarët, por stomaku i shqiptarëve është tejngopur me mite dhe demagogji politike. Me sa duket kjo qasje po reflekton në Librazhd.
Në një remineshencë kthehemi në vitin 2005, asokohe një fushatë e qetë dhe pa incidente, për zgjedhjet e përgjithshme. Në qytet rikthehet një djale i ri që pak kush do e kujtonte, pasi prej shumë vitesh ishte larguar nga vendlindja, per studime dhe nuk ishte kthyer më. Taulant Ballën, ish kryeministri Nano, gjatë prezantimit të tij e pagëzoi “Djali ynë nga Librazhdi”. Askush nuk e di se si u njoh me Fatosin. Akush nuk e di se si u lançua drejt kryeministrisë së atëhershme. Thashethemnaja tregon, që ai i shkruante fjalimet Fatos Nanos. Por edhe kjo nuk dihet saktësisht. Nuk është ndonjë cudi, kur Lorenc Vangjeli deklaron në media që unë i kam shkruar fjalimet gjysmës së parlamentit, majtas dhe djathtas, duke shkërmoqur, cdo idealizëm, ideologji dhe zell partiak.
Por një fakt është i sigurt që Fatos Nano e nxorri në garë, kundrejt një kandidati tjetër, Skënder Çotës. Në përplasjen kokë me kokë me Çotën, (ashtu sië ishte sistemi parlamentar i asaj kohë, shumë më i drejtë se sa sot me sistemin proporcional rajonal), fiton Taulanti, por jo me një diferencë shumë të madhe me kundërshtarin demokrat. U reklamua student i ekselencës në Rumani, (a thua Rumania ka ndonjë cilësi shkolle, si p.sh Anglia, vend ku të gjithë politikanët, shkollojnë fëmijët e tyre). Në gjimnazin e Librazhdit, Taulanti mbahej për nxënës me nota të larta, por dëftesa e tij nuk gjendet. Fenomeni ”dëftesë e zhdukur”, po na shoqëron shumë kandidat Bashkie apo Parlamenti. Balla bëhet deputet, por për cudi edhe Cota shpërblehet për “humbjen’. Skënderi në fillim bëhet zv Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Rrugëve dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm në këtë drejtori. Nuk dihet se si arriti deri atje, por cuditërisht u shpërblye për humbjen. Në fakt Skënder Cota, inxhiner ndërtimi, nuk konsiderohej për merita, apo kontribute ndër vite, fakt ky që e coi PD drejt humbjes. Vendosja e individëve pa merita është një karakteristikë e kryetarokracisë, apo vizioneve dritë shkurtër të tyre, është fuqia e karriges, për tu shndërruar më pas këta individë në shkatërruesit e këmbëve të këtyre karrigeve.
Taulanti impenjohet fort që të fitojë, megjithëse Lirazhdi ka qenë kryesisht i majtë. Edhe pse në opozitë ai mblodhi shumë votues, të cilët më pas i favorizoi me punësime në Institucione Shtetërore. Por ajo që e mitizoi Ballën përpara elektoratit të majtë, ishte përplasja me Berishën në parlament, ku ky i fundit i përmendi të motrën, Fjoralbën, (një vajzë simpatike). Ky është konsideruar një gabim i Berishës asokohe, duke e ngritur fiktivisht figurën e Ballës. Nuk ishte parë kurrë që një deputet i Librazhdit të fliste në foltore, jo më të përplasej ashpër me Berishën. Pas përplasjes, Balla morri famë dhe fiton pikë, nga populli i Librazhdit, si dhe kredo politike për shumë vite. Librazhdiotët për herë të parë u ndjenë të fortë politikisht dhe krenarë. Jo gjthmonë sulmi verbal ndaj kundërshtarit konsiderohet i vlefshëm, pasi në vend që ta fundosë, mund ta ngrejë në mite të rreme. Balla përgjatë viteve rezultoi figurë e kulisave, e bisedave dhe e marrëveshjeve të fshehta, nëpër apartamente (kryesisht Basha Rama), sic po del edhe në media këto ditë me filmime. Një figurë që bëri pazare përgjatë pushtetit, të cilat sot i faturohen si korrupsion nga bashkëqytetarët e tij, duke ja ulur ndjeshëm këtë kredo politike. Këto ngritje politike ai i fitoi me ujra të nëndheshëm, me përplajse kundërshtarësh, jo me vlera reale të një politikani vizionar. Ai nuk u ka shtruar asnjë metër asfalt zonës së tij, të cilët mendon se e ka në “xhep”, duke qenë një zonë thellësisht e majtë. Këtë imazh të rremë politikani, kanë kuptuar Librazhdiotët tashmë, duke e mënjanuar nga preferencat e tyre. Kjo është kaq e vërtetë saqë edhe vetë PS e ka spostuar në Fier. Pra ka nisur cmitizimi Balla, për pazaret e Taulantit.
Me ardhjen në pushtet në vitin 2013 të PS, Taulanti futi në punë të gjithë mbështetësit e tij, nga më i madhi deri më i vogli, nga i shkolluari te injoranti e rrugaci. Kjo i rëndoi përgjatë viteve, duke ju kthyer në një bumerang, pasi ai humbte vota pas cdo fushate të bërë mbas vitit 2013. Socialistët e Librazhdit nuk e shprehin publikisht, për shkak të frikës së pushtetit dhe pushtetarit Balla, por e vërteta është që PS e Taulantit, ka humbur së pari besimin në Librazhd dhe për rrjedhojë ka humbur vota. Fakti që Rama e transferoi në Fier, është një sinjal i fortë dhe domethënës, i zbehjes së një figure sharlatane politike. Gabimet e tij duke futur në punë njerëz të gabuar me sjellje prej gangsterësh, i kushtuan shtrenjtë imazhit të tij, të një europianeisti ekselent. Gangsterët e rrugës, krimi të sjellin në pushtet, me mënyrat që tashmë i gjithë publiku shqiptar i di, por edhe të rrëzojnë me kokë poshtë. I avantazhuar nga PD e Bashës, ndejti gjatë në pushtet. Kjo për faktin që incidentet e vazhdueshme të ndodhura përgjatë fushatave, kurrë nuk e shikonin ekranin dhe kronikat televizive (as PD e Bashës nuk reagonte). Një incident i ndodhur në vitin 2013, midis bodyguardit të Taulantit dhe kandidatit të PDsë, gati degjeneroi në shkrepje armësh. Çuditërisht asnjë lajm nga asnjë televizion, të cilët ishin të informuar për incidentin. Kështu mbretëronte Taulanti, i pa cënuar nga asnjë krah politik. Filmimet e fundit Basha, Balla po vërtetojnë këtë tezë.
Jemi në vitin 2023 dhe Taulanti nuk është më deputet i Librazhdit, por ka mbetur hija e tij. Ata të fortë që i shpërbleu me punësime, sot bëjnë tifo për Damian Gjiknurin. Librazhdiotët tregojnë se si po e mbajnë pushtetin Partia Socialiste në atë qytet, duke punësuar njerëz, duke blerë ushqime, duke shpërndarë para e cfarë të mundin. Shpresa e tyre e fitores, janë shitblerjet e votave, me të gjitha format, si dhe një opozitë e dobët, duke i vënë ndën rrota kandidatin e Alibeajt, për një pushtet të përhershëm.
Ndërkohë po ringrihet një figurë shumë popullore, aktualja e kandiduar nga aleanca opozitare ”Bashkë fitojmë”, Shefki Çota. Është një figurë që ka fituar më parë në Librazhd, në vitin 2011, i kandiduar nga Partia e Çamëve dhe e mbështetur nga Partia Demokratike. Çota është figurë me një pëlqim përtej spektrit të djathtë. Ky rikandidim i tij e ka frikësuar vërtet PS, sepse ndjen përmbysjen, në një bastion të majtë. Gjithsesi e djathta ka fituar tre herë Bashkinë në Librazhd dhe me një fitore të ngushtë në rastet e fitores së PS.
Por në zgjedhjet e vitit 2023, kundërshtari politik i Partisë Socialiste, përbën një frikë dhe panik për ta. Ata përdorin mënyrën e tyre tradicionale duke sharë, ofenduar, denigruar, kundërshtarin politik, me termin ”karrocier”. Shefki Çota, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, është shumë e vërtetë që nuk ka arritur të shkollohet në kohën e diktaturës, kohë që diktonte se kush do të shkollohej dhe ku do të shkollohej. Por mbas viteve 90, kur u mundësua shkollimi për të gjithë, ai diplomohet. Ky kandidat, prej 32 vitesh është biznesman. Ai ka fituar një mandat në Bashkinë e Librazhdit në vitin 2011, por i mënjanuar nga PD e Bashës, në vitin 2015. PD e Bashës, konsiderohet me mjaft mëkate në librazhd dhe Shefki Çota është një nga ata, që njihet si njeri i mirë dhe punëtor. Ai po ringrihet nga koalicioni opozitar ”Bashkë Fitojmë”. Gjatë mandatit të tij 4 vjecar në Librazhd, ai rezulton nga bashkiakët më të mirë të atij qyteti. Në të kundërt bashkiaku aktual në ikje, nuk ka lënë tender pa i dhënë miqve të Taulantit nga Librazhdi dhe qytete të tjera (si tregojnë Librazhdiotët).
Partia Socialiste, aktualisht kandidon me Maringlen Dishën, i cili njihet shumë pak në Librazhd, pasi është i shpërngulur në Tiranë. Dihet shumë pak për të, thjesht që është njeri i përgatitur. Por prezantimi i tij në fushatë, ishte një e folur e calë, duke i vënë një minus. Nuk pritej ky calim, nga një figurë që shitej si intelektual me përvojë, dhe drejtor i Aluiznit në Elbasan me vite. Ai e ka ndryshuar emrin nga Hysni në Maringlen, duke i vendosur vetes një pikëpyetje shumë serioze në elektoratin e Librazhdit, të cilët hedhin dyshimin që emri ndryshohet kur je dënuar për dicka.
Për të githa këto arsye pritet që Librazhdi të dënojë Partinë Socialiste me humbje në këto zgjedhje lokale. Librazhdiotët kanë një inteligjencë, që të dalin përtej pëlqimeve partiake, kur i vendoset një individ i saktë. Shefki Çota në vitin 2011 mori vota edhe përtej së djathtës, të cilët e votuan si individ, sepse ka bërë mirë edhe jashtë politikës, për qytetarët e tij. Çota, bëri investime, rrugë , shkolla, rikonstruksione. Ai mundi të punojë për qytetarët vetëm dy vite, pasi dy vitet e fundit, me ardhjen e PS në pushtet, ju prenë fondet nga Pushteti Qëndror.
Përballemi sërish me të njëjtin fenomen, me prerjen e fondeve nga Pushteti Qëndror, në pushtetin lokal që është një shkelje e Kushtetutës. Mbas deklaratës antikushtetuese të Ramës që kush voton për koalicionin opozitar, nuk do i dërgojë fonde, ai u detyrua ta korrigjojë në një farë mënyre, duke deklaruar që nuk bashkëpunon me “non gratën”. Rasti i Librazhdit apo Shkodrës, tregon me fakte që edhe më parë, Pushteti Qëndror, nuk ka dërguar fonde, vetëm për shkak të votimit kundër Partisë Socialiste. Kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës, që duhet denoncuar fort, në të gjitha nivelet dhe pushtet, gjyqësore, mediatike, në Institucionet Ndërkombëtare. Është politika më e shëmtuar që luhet kundër shqiptarëve, bastioneve të djathta, pasi Bashkitë janë jeta dhe buka e përditshme e tyre. Ky është intimidimi më i shëmtuar që i bëhet qytetarëve shqiptarë.
Fushata deri tani është e qetë. Për kete qytetarët e Librazhdit hedhin idenë që vjen për shkak të shpopullimit masiv në këtë qytet./gazeta standard
Please follow and like us: