Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: ARRATISJE NGA PËRDITSHMËRIA

 

Kush është arratisja më e përkryer nga e përditshmja e mërzitshme, nga monotonia e të njëjtit vend dhe të njëjtit qiell, që të mbulon përsipër natë e ditë?

A mjafton shpirti i aventurës?

Magjia e librit, botët e ndryshme që shpalosen përpara teje, a do të mbushnin atë zbrazëti që të krijohet dhe përshtypja se jeta jote ka humbur kuptimin apo motivimin dhe diçka ndryshe do te të shkundte, për të rivlerësuar përsëri atë që kishe apo që ke akoma?

A do të na mjaftonte pak nga poezia dhe rebelizmi i Rembosë të na shkundte nga gjumi? Apo një shëtitje me Bukovskin në kërkim të grave dhe të fatit? Bile të ishit bashkautor të ndonjē tregimi mbi jetën e natës?

Apo duke kërkuar rrugët e pikëtakimit të shpirtit me sublimen, një shëtitje nëpër tokën e Budës, Konfucit, apo Rumit do të kishte qenë më e arsyeshme?

Apo do të kërkoje për Borgezin dhe pasi ta gjeje në nje bibliotekë të madhe sa një qytet, do ta pyesje, nëse nxuri në kokën e tij mjaftueshëm nga gjithë kjo njohuri e huazuar?

Apo me preferencë larg botës së librit, do të kërkoje alternativa më argëtuese?

Elvis Presli, për shembull, do të joshte me muzikën e tij gati hyjnore dhe rikthimi pas në ato vite?

Kjo a do të mjaftonte?

Do të mjaftonte të ishe nëpër rrugët e kafenetë e Parisit me piktorët që bënë stile, rryma, vepra dhe histori?

Apo asnjëra prej ketyre, por një shi i rrjedhshëm dhe i qetë në një fushë, ku ti pa çadër dhe pa pasur mundësi të mbrohesh, lëshohesh në krahët e natyrës dhe i falesh asaj si një shenjt? Apo dëshira e fshehur për ti përngjarë Odiseut, ikja nëpêr udhetime nëpër dete e varka shpresash, me dêshirën për tu rikthyer përsëri triumfator një ditë, më i virtytshëm dhe i pasuruar në vetdijen dhe ndërgjegjen tënde?

Apo do ishte më e udhës, që mes xhunglës së metropoleve, rrugëve dhe dritave, të ritakosh dashurinë, nën shembëlltyrën e një qenie njerëzore, por që mund të jetë edhe një engjëll, apo vetë perendite greke të mishëruara posaçërisht në forma tokësore për të të joshur, gllabëruar shpirtin dhe skllavëruar?

Sa shumë elemente, sa skenarë dhe qenësi ekzistenciale e shpirtërore do të brofnin në kēmbë, të të vinin në ndihmë e të të shpëtonin nga mërzia e përditshmërisë. Po a do të mjaftonin të gjitha këto?

Savona, 7. 5. 2023.

Please follow and like us: