Dr. Vlora Obertinca: Urrrejtja helmon gjenerata të tëra
“Urrejtja ndaj njerëzve të aftë është helm që vështirë do të mund të pastrohet edhe për gjenerata të tëra“, Dr. Vlora Obertinca.
Shekulli 21 do të duhej të shënonte për të gjithë një shekull briliant për shumë inovacione dhe avancime teknologjike. Por, për fat të keq, jo edhe për popullin tonë.
Derisa popujt e botës krenohen për bashkëkombasit e vet që marrin çmime prestigjioze për arritjet jetike, ne shqiptarët nuk guxojmë të flasim lirshëm, e as ta shprehim mendimin e lirë qoftë për aftësitë meritore të një shqiptari kushdo qoftë ai.
Shprehja e mendimit pozitiv për një person, çon deri te urrejtja edhe ndaj personit që jep vlerësimin. Çuditërisht e pranojmë çdo lloj vlerësimi pozitiv për të huajt, por kursesi t’ua njohim vlerat bashkëkombasve tanë.
Pse ndodhë kjo vallë ? Pse nuk marrim shembull popullin hebre që janë koka gjeniale shtet ndërtuese, por marrim kënaqësi në intrigat e serialeve turke?!
Kur do të mësohemi ta largojmë xhelozinë e sëmurë, që është predikuar në mënyrë tinzare nëpër shtëpi dhe janë helmuar mendjet e ndritura ndër gjenerata që hipotetikisht kishin mundur të ndriçojnë me mençurinë e tyre, e jo të shuhen në inate dhe xhelozi.
Kush i ka fajet që dikush mëson tërë jetën dhe avancohet në karierë, e dikush rri koti dhe në fund s’mbetet gjë përveç urrejtjes.
Çdo sukses dhe pësim na atribuohet ne sepse ne e krijojmë suksesin apo dështimin.
Ne ia bëjmë jetën ferr me kritika tjetrit, pse është i sukseshëm, e kur vjen armiku në derë bëhet vonë të mbushemi mend!
Ligjet e Universit kanë ekzistuar që nga ekzistenca e njerëzimit, ligje të cilat ngadalë, me mahnitje për përpikmërinë e tyre po i vërtetojnë edhe shkencëtarët amerikanë të epigjenetikës dhe neuroshkencës.
Pse nuk e mendojmë të mirën për tjetrin ashtu siç do ta donim për vete, kur e dimë se energjia që e lirojmë na kthehet ne!
Të dashurit e mi, mos villni vrer për askënd, sepse ashtu siç mendojmë e veprojmë për të tjerët, ashtu i kemi punët!