Mbrëmjet poetike të qytetit të serenatave 2023
Arjan Kallço
Nga data 6 – 7 maj 2023 u mbajtnë Qytetin e Serenatave, Korçë, Festivali i Poezisë, dhe këtë vit koinçidon me vitin e 28 radhazi (një ndërprerje e detyruar për shkak të pandemisë), një traditë jo e vogël pas viteve ’90 në një qytet që ka rrënjë të thella kulturore dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë kombëtare. Sivjet për arsye të zgjedhjeve vendore, drejtuesit e kulturës vendosën ta zhvendosin atë në fundjavën e parë të majit, muajit më të bukur të pranverës. Puna për organizimin e festivalit kishte filluar qysh herët me përzgjedhjen e poetëve të ftuar në këtë edicion të vitit 2023, por edhe gjithë përkujdesi që ky event të kishte gjurmë në këtë traditë mbi njëshekullore, por edhe të promovohet qyteti i festave. Ditën e parë të hapjes, e shtunë 6 maj, pas zakonit të mikpritjes shqiptare, në mjediset e Shtëpisë së Artit, salla multimediale promovuar vetëm disa muaj më parë, u çel nata e parë e festivalit. Mirëseardhjen e poetëve të ftuar, 25 poetëtë ardhur nga vende të ndryshme dhe nga faktori shqiptar, ua uroji drejtorja e Festivalit dhe drejtore e bibliotekës publike znj. Jorida Dhëmbi e cila në fjalën e saj theksoi vazhdimësinë e traditës dhe falenderimet për të gjithë poetët që u bënë pjesë e Festivalit, edhe pse ndonjëherë udhëtimi drejt Korçë e bëjnë disi të vështirë, për arsyet që tashmë dihen, por kjo nuk e pengoi ardhjen e tyre. Me vargjet e tyre ata do u lënë adhuruesve të fjalës së magjishme mesazhe të fuqishme shprese e paqeje. Në emër të Bashkisë dhe kryetarit Sotiraq Filo, përshëndeti nënkryetraja znj. Benila Tërova që në kujtimet e saj solli vitet kur vetë ajo ishte pjesë e organizimitë të festivalit. Gjithashtu u uroji qëndrim të këndshëm dhe suksese në këtë edicion të ri që ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e bashkisë Korçë. Këtë vit poezitë u frymëzuan nga Muzgu në kuptimin më universal të saj dhe përzgjedhja e tyre ishte një kënaqësi jo vetëm estetike, por edhe shpirtërore. Në këto kohë të turbullta, kur jo shumë larg, është ndezur nëj zjarr urrejtje dhe thirrjet poetike për paqe të poetëve, janë gjithmonë një dëshirë për një botë më të mirë dhe më të drejtë.
Poetët pjesëmarrës në “Netët Korçare të Poezisë”
Dalia Hioau Marok, Lusila Trapazzo Zvicer, Mirsada Krasniqi Kosove, Xanthi Hondrou Greqi, Hussein Habasch Pakistan, Todorce Tasevski Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai Tetovë, Anton Goçaj Mali i Zi, Elsa Ballauri Shqipëri, Dimitris Kraniotis Greqi, Migena Arllati Kosovë, Rakela Zoga Greqi, Margherita Pavelli Itali, Borce Panov Maqedoni e Veriut, Daniela Andonovska Maqedoni e Veriut, Shqiptar Oseku Suedi, Denata Ndreca Itali, Anna Hoffman Gjermani, Entela Tabaku Suedi, Adem Xhelatini Kërçovë, Rozafa Shpuza Shqipëri, Besnik Camaj Zvicër, Alfred Moloholli Shqipëri.
Më pas të ftuarit shpalosën përmes poezive shpirtin e tyre në vargje, poetë të ardhur nga Ballkani, Europa e më gjerë, në një maratonë gati dy orë që ngjalli interes të madh tek të pranishmit, njerëz të letrave, dashamirës të letërsisë dhe mësues që përcjellin tek brezat e rinj shpirtin e thellë të letersisë. Në këtë event përshëndetën dhe anëtarët e jurisë, kryetarja, poetja dhe drejtuesja e Pen Shqipëri, znj. Enetla Kasi, poeti dhe dramaturgu nga Salamina z. Dinos Koubatis, si dhe drejtuesi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë z. Albi Lushi.
I ftuari i nderit këtë vit ishte Drejtori i Festivalit të Strugës, më të madhi i poezisë në Europë, z. Teodorce Tasevski që gjatë takimeve me drejtues të festivalit shprehu dëshirën që në pellgun rreth liqenit të Ohrit të krijojmë një traditë poetike ballkanike.
Miqtë e ftuar shprehën kënaqësinë që janë pjesë e këtij festivali dhe shprehën konsideratat më të mira për mikpritjen e qytetit të kulturës. Mes tyre poetë që kanë qënë edhe herë tjetër në Korçë dhe që shohin transformimet e këtij qyteti të bukur juglindor.
Më pas maratona u zhvendos në orët e vona të natës në një nga lokalet e Pazarit të Vjetër, ku veç këngëve të bukura të trevës sonë, por edhe tëtrevave të tjera u përcollën me forcë e dashuri, me moton një komb, një kulturë. Por kënaqësi falën edhe miqtë e tjerë me tingujt e këngëve të tyre të bukura dhe plot frymëzim. E kënga arbëreshe nuk mund të mbetej larg vëmendjes. Falë mirësjelljes së administratorëve të lokalit dhe të orkestrës miqtë u mrekulluan me traditat tona të këngës.
Por mbretëresha e festivalit nuk mund të mos timgëllonte sërisht me vargjet e bukura që përcollën të gjithë poetët e mirëseardhur që vazhduan deri vonë pas mesnate.
Dita e dytë filloi me mbjelljen simbolike të Pemës së Poetit dhe këtë herë nderi i takoi poetit lirik devolli Skënder Rusi në lulishten Th. Gërmenji, vend ku edhe personalitete të tjera të letrave kanë pemën që u dedikohet atyre. Një fotografi me të gjithë pjesëmarrësit në ceremony hapi siparin e një dite që do të kulmojë me Natën mistike në ish Hani i Elbasanit. Më pas poetët e ftuar vizituan disa nga muzetë unikalë në llojin e vet. Fillimisht u ndalën te muzeu i fotografisë Gjon Milli ku u njohën nga afër me korçarin që bëri histori në fotografi. Ata shprehën konsideratat më të larta për këtë personalitet me famë ndërkombëtare dhe kujdesin që bashkia tregon për vlerat historike të kulturës sonë. Ndalesa e dytë te muzeu i piktorit të mrekullueshëm korçar, Vangjush Mio ku mikpritësit i njohën poetët me historinë e jetës së tij dhe studimet e kryera Itali. Më pas vizituan mjediset ku janë të ekspozuara veprat e tij më të arrira, pikturë e vizatim. Por surprizat nuk mbaruan këtu, pasi poetët u ftuan të recitonin poezi në oborrin e shtëpisë muze. Mbresëlënës takimi me të bijën e piktorit tonë të madh që pavarësisht moshës, ruan ende energji që të tregojë e të flaës për figurën e atit të vet.
Në mbrëmje aty ku dhe vëmendja ishte drejtuar më emicionuese filloi rreth orës 19 te Hani i Pazarit parade e mbrëmjes së dytë të poezive. Këtë herë u takoi artisteve korçare të teatrit që të përcillnin me mjeshtëri vargjet e poetëve miq. Çaste të bukura muzikore të ndërmjetme, të kënduara me zërin e saj të bukur, solli këngëtarja korçare Lazarela, por edhe instrumentistë të shkollës së muzikës dhe një këngëtare e brezit të ri. Poezi dhe serenatë në një mjedis të magjishëm me spektatorë të fushave të ndryshme që u emocionuan dhe entuziasmuan me vargjet e mrekullueshme të autorëve. Pas paradës i takoi detyra e vështirë jurisë që të përzgjidhte poezitë dhe emrat fitues të edicionit të 28 të festivalit nga më të rëndësishmit në Shqipëri.
Një punë të jashtëzakonshme dhe kontribut të vyer dhanë dhe stafi i përkthyesve duke i sjellë poezitë edhe në gjuhën tonë të bukur. Falenderimet shkojnë për përkthyesen nga gjuha angleze, Jola Mane, Eliona Gjergon nga greqishtja, Marsida Qirjaj nga gjermanishtja etj.
Si edhe herë të tjera, poezia dhe çmimet, duhet vlerësuar serioziteti dhe skrupoloziteti i anëtarëve të jurisë, flet me gjuhën e femrave, pasi të 5 çmimet u fituan nga poete.
- Kurora e Poezisë Lucilla Trapazzo
- Poezia më e mirë Rozafa Shpuza
- Çmimi special Dalila Hiaoui
- Çmimi ‘Dritëro Agolli’ Daniela Andonovska Trajkovska
- Çmimi ‘Asdreni’ Denata Ndreca
Mes një atmosfere krejt të veçantë dhe plot sharm poetet morën vlerësimet e merituara dhe i takoi fitueses së kurorës interpretimi i poezisë Nënës, një metaforë e bukur e muzgut të moshës, një interpretim që la te spektatorët një shije tepër të këndshme. Festa vazhdoi më pas me kafen e mesnatës në njëmjedis tjetër të qytetit për t’ia lënë vendin disa orëve çlodhje pasi të nesërmen pelegrinazhi drejt Korçës do të merrte kahun e kundërt.
Në agimin e ditës së hënë të gjithë poetët e ftuar nisën udhëtimin drejt qyteteve dhe vendeve nga vinin, por në mendje dhe në mbresa është Korça dhe festivali, janë dashamirësit e fjalës poetike dhe mikpritësit e festivalit. Mbresa që te ne dhe tek ata që janë ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre do të mbeten të pashlyeshme.