Albspirit

Media/News/Publishing

Diktatorët po fitojnë epërsi në spiunazh

William Hague, “Sunday Times

Ku është sot Edward Snowden? Ish-kontraktori i CIA-s që zbuloi 1.5 milionë dosje të shërbimeve sekrete në emër të mbrojtjes së lirive themelore” jeton aktualisht në Rusi, ku mungojnë liri të tilla. Pasi nxiti frikën e publikut ndaj mbikëqyrjes qeverive, ai ka pranuar shtetësinë e një vendi që ka mbikëqyrjen më të pamëshirshme nga të gjithë.

Dhe pavarësisht entuziazmit të tij mbi vlerat e ndershmërisë dhe të vërtetës, ai është dukshëm një burracak, përderisa nuk denoncon luftën e agresionit dhe krimet e pafundme që ka kryer dhe po kryen në Ukrainë mbrojtësi i tij, Vladimir Putin. Dëmi që i shkaktoi Snowden SHBA-së, ishte sipas një komiteti të kongresit i jashtëzakonshëm”.

Ai zbuloi se shumica e asaj që bëri publike Snowden, ​​kishte pak të bënte me privatësinë individuale dhe më shumë me “programet ushtarake, të mbrojtjes dhe të inteligjencës, me një interes të madh për kundërshtarët e Amerikës. Shumë nga zbulimet e tij lidheshin me GCHQ, agjencinë tonë të inteligjencës së sinjaleve, për të cilën unë isha përgjegjës në atë kohë si kreu i diplomacisë britanike.

Ajo ngjarje më detyroi të kaloj disa orë të pakëndshme në parlament, duke u përpjekur të siguroj deputetët mbi mbikëqyrjen politike dhe gjyqësore në lidhje me mbledhjen e të dhënave nga shërbimet sekrete britanike, ndërsa as nuk e konfirmova dhe as mohova natyrën dhe shtrirjen e saj.

Por unë kisha parë mjaftueshëm nga puna e shkëlqyer e GCHQ, puna e përditshme e së cilës për mbrojtjen e këtij vendi është e vështirë të mos vlerësohet nga shumica e njerëzve. Dhjetë vjet më vonë, kemi një sasi të re dokumentesh të zbuluara, për të cilat është arrestuar 21-vjeçari Jack Teixeira, një specialist IT në Gardën Kombëtare të SHBA-së.

Nga ajo që dimë deri tani, motivimi i tij është shumë i ndryshëm nga ai i Snowden. Jo një brejtje ndërgjegje naive, por një mburrje tek miq e tij në internet për rëndësinë e njohurive dhe të punës që bënte. Edhe një herë, kjo ngjarje po i dëmton disi marrëdhëniet e Amerikës me vendet e tjera.

Më e rëndësishmja:një kosto e mundshme mund të paguhet nga ukrainasit në frontin e luftës. Sepse Moska do të ketë analizuar çdo vlerësim të forcave të armatosura të Ukrainës, dhe do të hetojë çdo lloj të infiltruari në radhët e saj. Në Uashington do të ketë me siguri një fokus urgjent se si të parandalohen rrjedhjet e tilla në të ardhmen.

Në pamje të parë është shumë e habitshme, sesi një operativ i ri mund të ketë një qasje kaq të gjerë në të dhënat e inteligjencës dhe në një informacione kaq shumë të klasifikuar, duke qenë në gjendje ta qarkullojë atë për disa javë përpara se të zbulohet. Ne në Britani jemi gjithmonë mirëkuptuar për dështime të tilla.

Sepse tek e fundit, jemi vendi që prodhoi Philby, Burgess dhe Maclean, një nga rrjetet më famëkeqe të spiunazhit të gjitha kohërave. Ne u ndërgjegjësuam jo pak pas rastit Snowden. Ne e dimë se bashkëpunimi midis nesh dhe SHBA në fushën e inteligjencës është më i afërtinë botë, dhe themelor për sigurinë tonë.

Megjithatë, ministrat tanë do të ishin të justifikuar nëse habiten për neglizhencën e Pentagonit në rastin konkret. Po ashtu, ata mund të habiten mbi mënyrën sesi Trump mund të mbante në rezidencën e tij private raportet sekrete të shërbimeve të inteligjencës pa pyetur askënd.

Sigurisht, rrjedhje informacioni dhe sikletet që e shoqërojnë atë, do të ndodhin gjithmonë. Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar me të drejtë se kjo rrjedhje nuk do të ketë “pasoja të mëdha. Por përpara se të gjithë ta harrojmë dhe të kalojmë në histori të tjera, vlen të përmenden të paktën tre prirje të rëndësishme në botë, mbi të cilat hedhin dritë këto rrjedhjeinformacioni, të gjitha të rëndësishme për mbijetesën dhe suksesin e ardhshëm të demokracisë.

E para është se teknologjia e re po e ndryshon me shpejtësi të madhe spiunazhin, dhe në disa mënyra në avantazh diktaturave. Spiuni i modës së vjetër do të kapej nga kamerat ÇTV, njohja e fytyrës, të dhënat biometrike, gjurmimi i telefonit celular, të dhënat financiare dhe historia e lundrimit të tij në mediat sociale.

Dhe dikush i pazbuluar nga ndonjëri prej këtyre mjeteve, do të ishte vërtet shumë i dyshuar. Inteligjenca që çon në ndalimin e një terroristi, pengimin e krimit të organizuar, ose zbulimin e synimeve të Putinit ka të bëjë shumë më tepër me grupet e të dhënave, analizat dhe kombinimin e informacionit nga burime të hapura dhe metodave sekrete që mund të vijnë nga hapësira ose interneti.

Në një shoqëri demokratike si e jona, është e drejtë që ne të bëjmë një punë të tillë me masa mbrojtëse, firma ministrash dhe kontrolle gjyqësore. Gjithsesi, duhet të kujtojmë se jemi kundër sistemeve rivale autoritare, për të cilat nuk kanë aspak rëndësi privatësia apo liritë civile, dhe do të vendosin pak kufizime në epokën e ardhshme të mësimit të makinerive për të shfrytëzuar të gjitha të dhënat që mund të mbledhin.

Aleatët perëndimorë duhet të reflektojnë mbi aftësitë që iu besuan të riut Jack Teixeira. Ata do të kenë nevojë për një autoritet të mjaftueshëm për të kërkuar nga ofruesit e mesazheve të koduara të ndihmojnë në monitorimin dhe heqjen e materialeve të rrjedhura, të ngjashme me kompetencat që i jepen OFCOM në Britani në rastet e abuzimit me fëmijët dhe materialet me përmbajtje terroriste.

Prirja e dytë është përhapja në rritje e dezinformatave, me synim nxitjen e përçarjes në shoqëritë e lira. Rrjedhja më e fundit tregon se operatorët rusë janë shumë më të suksesshëm sesa mendohej më parë në manipulimin e mediave sociale dhe renditjen e motorëve të kërkimit në një mënyrë të tillë që të shtojnë gënjeshtrat për ushtrinë e Ukrainës, apo mbi efektet anësore të supozuara të vaksinave.

Pretendimi i tyre se operatorë të tillë zbulohen vetëm 1 për qind të rasteve është ndoshta një ekzagjerim. Por mburrja për shkak të pasjes së qindra mijëra llogari të rreme në internet është një paralajmërim. Nuk është koha që Elon Muskcensurojë Twitterin për mbrojtjen nga propaganda dhe urrejtja. Britania po miraton një vepër të re penale për ndërhyrjen e huaj. Dhe SHBA-ja duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Prirja e tretë dëshpëruese është se të marra së bashku, rrjedhjet e ndryshme të informacionit në lidhje me luftën në Ukrainë, tregojnë të gjitha rrezikun në rritje se kjo tendencë mund të zgjasë për shumë kohë. Thuhet se Egjipti po mendon furnizimin e fshehtë me raketa për Rusinë.

Ndërkohë Kina po planifikon dërgimin e armëve për Moskën të maskuara si produkte civile.Ndërsa Shtetet e Bashkuara druhen se kundërofensiva e ardhshme e Ukrainës mund të arrijë vetëm “përfitime territoriale modeste. Këto rrjedhje ndihmojnë për të marrë masa për një rritje të mëtejshme të mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën, si mënyra e vetme për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës.

Në vitin 2013, demokracitë ishin dominuese, dhe zbulimet e Snowden synonin të tregonin sepo abuzohej me këtë dominim. Në botën e vitit 2023, demokracitë janë shumë më të kërcënuara, nga keqinformimi, agresioni dhe teknologjia që po kthehet kundër tyre. Rrjedhjet e fundit nga Pentagoni, mund të duken si skandali i radhës në këtë fushë. Në realitet, ato po hedhin dritë mbi një botë tjetër, në të cilën ne duhet të rrisim aftësinë tonë për të mbrojtur veten.

Please follow and like us: