Albspirit

Media/News/Publishing

Filozofi 101-vjeçar Edgar Morin: Sa herë që më pushton forca e jetës, fantazma e vdekjes tërhiqet

Nga Jaime Villanueva

Edgar Morin është një njeri me një mision. Një mision i papërfunduar, që nuk mund të shtyhet dhe që është i pashmangshëm: transmetimi i ideve të tij dhe shkëmbimi i njohurive. Prodhimi intelektual e mban filozofin francez të kthjellët dhe të gjallë në moshën 101-vjeçare. Ai e ushqen dhe e ruan atë, e sheh veten si të “zotëruar” sa herë që përballet me një libër ose një artikull në kompjuterin e tij. Në librin e tij të fundit “Leksione nga një shekull jetë”, ai rrëfen se ka qenë një djalë i keq dhe një baba i keq. Por jo një burrë i keq, dëshiron të saktësojë dhe as një mendimtar i keq. Morin është pjesë e një specie në zhdukje: intelektualëve të mëdhenj të shekullit të 20-të. Ka shkruar më shumë se 20 libra dhe në Francë sapo ka botuar librin “Nga lufta në luftë: Nga 1940-a tek Ukraina”. Në këtë ese prej “disidenti”, ai shkon kundër rrymës që është dominuese në mediat perëndimore, duke bërë një lutje të qartë për paqe në një luftë që ka tronditur botën që nga shkurti i vitit 2022.

Ju e nisni librin tuaj të ri duke kujtuar bombardimet e para të Luftwaffe që rrafshuan Roterdamin në majin e vitit 1940. A ju nxitën tmerret e luftës që përjetuat të shkruani një libër që mbron paqen?

Imazhet e luftës në Ukrainë… ndërtesat e shkatërruara, kufomat e civilëve… të gjitha këto më kujtuan luftërat që kam jetuar, veçanërisht Luftën e Dytë Botërore. Në atë kohë, pashë qytete si Hamburgu dhe Mannheim të shkatërruara plotësisht.

Ju shkruani se çdo luftë në emër të së mirës përfshin në fakt edhe të keqen. A po ndodh kjo edhe në Ukrainë?

Po, por jo në një nivel kaq masiv. Edhe pse Rusia e Putinit është fajtore që ka sulmuar dhe madje ka tentuar të aneksojë Ukrainën, krime lufte janë kryer nga të dyja palët. Po ashtu, edhe propagandë nga të dyja palët. Lufta favorizon gënjeshtrat, informacionet e rreme, fshehjen e asaj që është negative për anën tuaj… Unë dua që bashkëkohësit tanë të jenë të vetëdijshëm për këtë.

Në libër, ju bëni një lutje të qartë për paqe. Por paqe do të thotë të bësh lëshime ndaj një pushtuesi, ndaj Putinit….

Kur forcat e dy kundërshtarëve janë të barabarta, mund të arrihet kompromisi. Në vitin 2014 Krimea kishte 1.400.000 rusë, 500.000 ukrainas dhe 400.000 tatarë. Duke pasur parasysh historinë dhe demografinë, mund të arrihet një marrëveshje në këtë fushë. Donbasi është një rajon jashtëzakonisht i pasur me minerale, që nisi të industrializohej nga Rusia cariste në fundin e shekullit XIX. Dhe ishte BRSS e Stalinit që e hiper-industrializoi. Një pjesë e madhe e inxhinierëve dhe punëtorëve atje janë me origjinë ruse. Ndoshta pasuria e Donbasit mund të shfrytëzohet bashkërisht nga të dyja vendet.

A duhen bërë këto lloj lëshimesh?

Kjo mund të jetë një zgjidhje kompromisi për të fituar sovranitetin e Ukrainës, anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe neutralitetin e saj ushtarak. Mos harroni se amerikanët luajtën një rol kyç në të gjithë kronologjinë që çoi në luftë, me zgjerimin e NATO-s. Ka një imperializëm të ri rus me karakter pansllav… Por ka edhe një imperializëm amerikan që është i pranishëm në një mënyrë politike, ekonomike dhe ushtarake.

Si i ruani kaq mirë aftësitë tuaja intelektuale në moshën 101-vjeçare?

Unë ngulmoj në qenien time, siç do të thoshte Spinoza. Sigurisht mosha ndikon. Tani eci më keq se më parë, kam probleme të ndryshme fizike. Por për fat të mirë, mendërisht jam ende i njëjti. Kam ruajtur gjithë kuriozitetin tim, interesimin tim për të ardhmen e njerëzimit.

Dhe si e shihni këtë të ardhme?

Nuk mendoj se po shkojmë drejt një të nesërmeje më të ndritshme. E ardhmja është e errët. E di që shpeshherë ndodhin gjëra të papritura. Unë jam i vëmendshëm dhe vigjilent, por edhe shumë i shqetësuar për të ardhmen e njerëzimit.

Në librin tuaj “Leksione nga një shekull jetë”, ju shkruani se është thelbësore që një person të ketë një jetë poetike…

Nuk mund të jetosh në mënyrë poetike gjatë gjithë kohës. Jeta është një luftë mes prozës dhe poezisë. Proza është gjëja e mërzitshme, gjërat që duhet të duroni. Poezia është ajo gjendje e magjepsjes, e bashkimit, e kënaqësisë… Të jep dashuri për tjetrin, për një miqësi kolektive, një vepër arti… Secili nga ne duhet të përpiqet të kultivojë pjesën poetike të jetës, sepse kjo është domethënia e jetës. Pjesa tjetër është vetëm mbijetesë.

Çfarë ju befason më shumë në jetën bashkëkohore?

Në qytetet e mëdha anonimiteti. Rininë time e kam jetuar në një kohë kur fqinjët jo vetëm që flisnin me njëri-tjetrin, por edhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Sot jemi dëshmitarë të shkatërrimit të bashkëjetesës. Sigurisht një pjesë e saj mbetet, me miqtë, me familjen. Përveç anonimitetit, është edhe robotizimi i jetës; detyrimet gjithnjë e më të rrepta dhe me afate të ngushta në punë. Dhe e gjitha kjo çon në një degradim të qytetërimit, civilizimit dhe marrëdhënieve njerëzore.

Shpeshherë ju thoni se në shoqëritë tona po ndodh një metastazë e egos…

Individualizmi modern ka zhvilluar aspekte pozitive, si autonomia. Por ka edhe aspekte negative, si p.sh vënia në plan të parë e vetes ndaj të tjerëve. Nga njëra anë njeriu është egocentrik: ai duhet të mbrohet, të ushqehet dhe të mendojë për veten e tij. Por njeriu është gjithashtu i përbashkët, i hapur ndaj të tjerëve, i dashur me të tjerët. Egocentrizmi duhet të reduktohet në minimumin jetik… Marrëdhënia me të tjerët është thelbësore.

Në një intervistë me filozofin italian Nuccio Ordine, ju jeni shprehur se “zhvillimi ekonomik kapitalist ka nxjerrë në pah problemet e mëdha në planetin tonë”. Cilat janë ato?

Hegjemonia e fitimit po shfaqet në të gjithë botën. Ajo po çon në degradimin ekologjik të planetit. Ne duhet të rezistojmë duke provuar të jetojmë në një oaz vëllazërimi dhe bashkëjetesë, sepse për momentin, nuk ka asnjë forcë politike të aftë të krijojë një rrugë të re.

Në një intervistë që keni dhënë gjatë pandemisë, jeni shprehur: “Në moshën time vdekja është gjithmonë në horizont. Prandaj, është më mirë të mendosh për jetën dhe atë që po ndodh”. Vdekja është tabu në shoqërinë tonë, por a është gjithashtu tabu në moshën 101-vjeçare?

Mendoj se kjo tabu është dobësuar pak. Kur shkrova librin “Njeriu dhe vdekja” në vitin 1951, ishte një temë që dukej e turpshme. Por është e vërtetë që kur njeriu i kalon 100 vitet, arrin në një territor që është pak i njohur dhe i banuar. Nuk ka shumë njëqindvjeçarë. Është e qartë se afërsia e vdekjes është e përhershme. Është diçka që mund të më ndodhë çdo natë; është e panjohur. Por ndërsa unë jam i pushtuar nga forcat e jetës, pjesëmarrjes, kuriozitetit dhe veprimit, fantazma e vdekjes tërhiqen. E pranoj se përjetoj momente zbrazëtie në të cilat më shfaqet papritur vdekja. Dhe në atë moment unë them me vete: A është kjo? Vdekja është fati, jo vetëm i të gjitha qenieve të gjalla, por i gjithçkaje në botë. Edhe yjet vdesin një ditë. Pra ideja e vetes time që do të vdesë një ditë më jep një ndjenjë zbrazëtie; Unë e ndjej praninë e asgjësë. Por nuk jam i fiksuar pasi saj. Sepse ato janë thjesht ndenja momentale. Unë jam shumë më i fokusuar tek forcat e jetës./bota.al

Please follow and like us: