Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: “Leksionet” që jep votuesi shqiptar…

-Reflektim nga larg rreth zgjedhjeve lokale 2023 në Shqipëri-

 

Jetoj larg vendlindjes sime dhe më duket se duhet të jem  i fundit që të flas për situatën e atyshme. Por, ja që nuk mund të hesht. Falë faktit që fizikisht isha i pranishëm në Shqipëri vetëm pak javë para zgjedhjeve, ku jetova nga afër një realitet fushate, ndiej se diçka mund ta them. Dua të them diçka që nuk përputhet kurrkund me “ekranistët e paguar”, as me “dhunën” editorial të disa televizioneve. Thjesht dua të them diçka nga larg për atdheun që dua të prosperojë…

I vetmi politikan që “përkëdheli” popullin e vet, që si të thuash evidentoi instiktin votues të shqiptarit ka qënë Edi Rama që nuk e kam takuar kurrë. Me mjeshtëri ai u tha votuesve, ndryshe nga “armiqtë  e përbetuar” se populli shqiptar përherë ka ditur të votojë në “kahun e duhur”. Me një mjeshtëri elektorale, ai  iu dha të drejtë shqiptarëve edhe kur votuan “Armikun” politik, madje edhe kur bashkia iu mor “me  llërë të përveshura amerikane”.  Ishte një nga taktikat më të goditura të një njeriu që sheh “përtej çastit”. Të gjithë e sulmojnë këtë kryeministër, të gjithë, por një gjë që nuk e ka “ai nuk është idiot”. Jo vetëm kaq, në “ushtimat elektorale” ai rrëfeu bukur se e do Shqipërinë më shumë se të tjerët në ‘krahun tjetër”. Si askush në fushatë, ai iu adresua “të pakënaqurve” të së djeshmes duke iu kujtuar Amerikën si “Shpesa e madhe” që nuk u shua kurrë që kundërshtarët e tij përherë e kanë përdorur si “komardare” drejt pushtetit duke harruar më pas. Fjala e Ramës në Kamëz ishte “bombë elektorale” që i afroi të majtës “të djathët tradicionalë” që për një lloj utopie përherë kanë besuar vetëm një njeri që tashmë ka “humbur kredencialet” me perëndimin.

Fushata e zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vijimësnë e saj, ka qenë një fushatë e “tipit amerikan”. Të gjithë ishin të lirë të bërtisnin dhe shpalosnin programet e tyre. Të gjithë kahet u dukën në TV dhe në podiume. Kjo është thelbësore në demokraci: Askush të mos pengohet për të shpalosur para  votuesve programet e veta. “Miti” i diktaturës apo zhurmaja se “iku pluralizmi politik” i ideve dhe alternativave, u varrosën nga vetë mënyra se si fushata shkoi drejt “finishit” të vet. Gjithë panorama parazgjedhoire, dëshmoi se Shqipëria nuk është diktaturë, nuk është pa ide të lira, nuk është  “pronë e Edi Ramës”. Me fushatën e vet të zgjedhjeve lokale vendi im dëshmoi se është në “rrugën e lirisë”. Se si është kjo rrugë, se a lehtë apo sa e vështirë për të “marrë pushtetin” kjo nuk mund të përcaktohet nga “Ekranistë të paguar”. Kjo vendoset nga votuesit. Ata janë  “Ultimatumi” që jepet me votë, me votë dhe vetëm me votë…

Nëse kthehemi dhe kujtojmë thirrjet politike para zgjedhjeve, të gjithë shprehën në mënyrë ultimative se “fitorja është me ne” se “rikthejmë pluralizmin”, “përmbysim diktaturën” etj., etj. Këtë e thanë sa e sa herë “statujat” politike Berisha, Meta dhe të tjerë. Ndërkoh që “diktatori” Rama bërtiste “Më jepni pushtet të qeveris më tej”. Sikurse ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në vitin 1985, “në letërsi njeriu futet për t’u bërë i madh”, edhe në politikë njeriu futet për të fituar. Thënia Kadare ka një “pushtet universal” në çdo fushë ku njeriu do të ndihet profesionist dhe ambicioz. Madje Rama nuk fshehu egon e vet pushtetmbajtëse se donte të fitonte “të gjitha bashkitë”. Kjo është një “ego amerikane”. Këtu kur fillon fushtat të gjithë shpresojnë se do fitojnë Kongresin, Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë. Është kjo “ambicje borgjeze” që të bën të jesh një luftëtar aktiv në fushën e betejës elektorale. Por ndërsa Meta dhe Berisha shprehnin një dëshirë të tillë duke luajtur me “urretjen popullore” ndaj qeverisjes aktuale, nuk kishin “valencat” e duhura që ta bënin votuesin të besonte se “ata ishin shpëtimi”. Përkundrazi, prania e “martesës elektorale” Berisha-Meta ishte një simbiozë urrejtje. Ata jo vetëm nuk mund të galvanizonin askënd, por me hipokrizinë e pështirë ndaj njëri-tjetrit, me “thartësinë” e ideve qeverisëse, me “gagaçësinë” politike, dyshja në fjalë vetëm ka çuar ujë “në mullirin socialist”… Votuesit shqiptarë nuk kanë parrë kurrë qysh nga rrënimi i PPSH, një koalicion më të pasinqertë, më të poshtër dhe më “të mplakur” se sa dyshja “Berisha-Meta”. Ata në fakt  i shtuan pikët Qeverisë Rama gati 25-30% tek ata votues që vërtet “nuk dinë kë të besojnë”.

Nuk dua të bëj as analisitin, as ideologun. Në ekrane të tillët janë “5 lekë tufka”. Mendimi im është se sikurse “përkëdheli” votuesit Edi Rama-shtylla e këtij aksoni politik të partisë në pushtet, votuesi shqiptar ka instiktin e vet, ka gjykimin e vet dhe në heshtje të “lexon kartat në xhep”. Në këto zgjedhje më shumë se “kartat e Ramës”, elektorati shqiptar lexoi “kartat e errëta” të opozitës që në përçarjen e vet falë  një “Egoje komuniste” i dha shansin qeverisë të “fitonte përsëri”. Sepse votuesi shqiptar nuk mund të votonte “kundër Amerikës”. Tani është koha e “revolucionet” në opozitë që “Me referendum” të largohen “uzurpatorët” e opozitës duke e përgatitur atë për “Zgjedhjet e ardhshme”. Pushteti “rrotullohet” jo vetëm se duhet, por edhe “kur je gati”. Opozita shqiptare duhet të bëjë “Kataklizmën e vet”, pa “ata”, me veten e vet.

 

Minneapolis, 15 Maj 2023.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: