15 minuta duartrokitje për Saimir Pirgun, çfarë shkruan The New York Sun për tenorin
“Eugene Onegin”, vepra më e famshme e repertorit rus është rikthyer në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Palermo pas 24 vitesh. Shtëpia e artit Massimo Vittorio Emanuele mirëpriti një kast të shkëlqyer sopranosh dhe tenorësh të cilët çelën më 19 maj siparin e natës së parë të veprës ruse.
Tenori shqiptar Saimir Pirgu është pjesë e këtij kasti, me një ndër rolet kryesore, atë të romantikut Vladimir Lenskij të cilin e veshi mjeshtërisht për ta përçuar në zemrën e publikut Italian.
I njohur për diksionin e tij sa elegant, aq edhe potent, interpretimi i Pirgut u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje që zgjatën për më shumë se 15 minuta. Me një axhendë tejet të ngjeshur, në teatrot më prestigjozë në botë Saimir Pirgu vijon të magjepsë publikun anekënd globit me interpretimin brilant.
“Qielli është limiti i tij”; ka qenë një prej vlerësimeve që artistit shqiptar i kanë bërë kritikët e The New York Sun ndaj këto 15 minuta duatrokitje pa ndërprerje për virtuozin shqiptar.
Nën drejtimin e Omer Meir Wellber i cili është një interpretues i jashtëzakonshëm i Çajkovskit, publiku në sallë ka shijuar këtë spektakël klasik i bazuar në novelën në vargje të Pushkin. Për rreth 190 minuta artdashësit përjetuan emocione drithëruese nga interpretuesit virtuozë në tri aktet e veprës./bordo