Ndahet nga jeta legjenda e muzikës, Tina Turner
Këngëtarja Tina Turner, hitet klasike të së cilës, sikurse The Best dhe What’s Love Got to Do With It, e bënë atë një superyll, ka vdekur në moshën 83-vjeçare. Turner ka pasur një sërë problemesh shëndetësore viteve të fundit, përfshirë edhe kancer, sulm dhe probleme me veshka. Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin e saj, Ike, në vitet ’60, me këngët sikurse Proud Mary dhe River Deep, Mountain High. Ajo u nda nga Ike në vitin 1979 dhe korri edhe më shumë suksese si solo këngëtare në vitet ’80. E cilësuar si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj të zjarrta dhe energjike, si dhe për vokalin e fuqishëm. Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar tetë çmime Grammy dhe është futur në Rock ‘n’ Roll Hall of Fame më 2021 si solo këngëtare, pasi paraprakisht kishte qenë e përfshirë së bashku me Ike-n më 1991. Hall of Fame kishte thënë se Turner “zgjeroi idenë, dikur të kufizuar, se si një grua me ngjyrë mund të pushtonte një skenë dhe të ishte një person i fuqishëm dhe shumëdimensional”. Këngëtarët e rinj që kanë thënë se janë inspiruar nga Turner përfshijnë edhe Beyonce, Janet Jackson, Janelle Monae dhe Rihanna. E lindur në Tenesi, ajo fillimisht kishte filluar të këndonte së bashku me grupin muzikor të bashkëshortit të saj të quajtur, The Kings of Rhythm. Më pas çifti vazhduan karrierën së bashku dhe shumë këngë të tyre u renditën në top-listat muzikore në fund të viteve ’60. Në vitet ’70, këngëtarja ndryshoi emrin e saj të lindjes, Anna Mae Bullock, në Tina Turner. Turner në vitin 2013, u martua me bashkëshortin e saj të dytë, Erwin Back. Çifti jetoi në Zvicër, dhe Turner kishte edhe shtetësinë zvicerane.