Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Jorgji Kote: Mbi librin “Antitabu” të diplomatit dhe publicistit Shaban Murati

 

Librin e ri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”, i kalonte kufijtë e lajmit. Kjo falë unikalitetit të autorit Shaban Murati, si gazetar i marrëdhënieve ndërkombëtare për gati 5 dekada, ambasador karriere, ish-drejtor në Ministrinë e Jashtme, publicist brilant me mbi 20 libra, me qindra shkrime në të përditshmet tona dhe më gjerë.

Këtë interesim e shton dhe fakti se “Mjeshtri i Madh” nuk është vetëm vëzhgues i kujdesshëm, ai nuk mjaftohet me gjurmimin e ngjarjeve dhe me komente “pas pilafit”.

Me lupën e një kryeanalisti, ai depërton thellë në dukuritë dhe ngjarjet politikedhe diplomatike, me përfundime që koha i vërteton dhe me sugjerime konkrete për politikbërjen dhe diplomacinë tonë.

Këtë radhë, autori ndalet me theks të veçantë të tabutë e shumta të trashëguara, të krijuara dhe të zhvilluara në shumë fusha deri në ditët e sotme. Shqetësimi i tij i madh është se pa u çliruar prej tyre, nuk mund të bëhet dot përpara në realizimin e objektivave tona madhore gjeopolitike.

Autori jep shumë shembuj nga përditshmëria jonë, por dhe e huaj në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkë me antitabutë përkatëse, disa prej të cilave përmenden shkurt më poshtë.

Një ndër filotabutë tona në fushën diplomatike është etiketimi nga liderët tanë politikë i marrëdhënieve me vende të ndryshme, me superlativa pozitive ose negative. Në shkrimin “Ruajuni nga marrëdhëniet e shkëlqyera me Greqinë”, autori i referohet deklarimeve të Kryeministrit Rama, pas një darke në Athinë, me homologun grek në shtator 2020.

Në raste të tjera ai ka përmendur termin “fantastike”, ndërsa ndaj ndonjë partneri tjetër si Bullgarisë “çmenduri, turp”, etj., si këto. Autori nënvizon me të drejtë se superlativat nuk përdoren në diplomaci për vetë natyrën e saj, e ca më pak kur janë jashtë realitetit. Edhe në rastin më të mirë, duke përfshirë Greqinë, ndonëse jemi vende aleate, nuk mund të flitet për “shkëlqim” dhe as “ vëllazëri” në marrëdhëniet tona!

Mjafton fakti se kemi tre vjet që nuk po e nisim dot në Hagë dosjen e Detit, kur jemi ende në gjendje lufte, kur nuk na lejohet as ta përmendim emrin Çamëri, e deri te rasti “Bejleri” në Himarë!

Në disa shkrime të tjera, autori fshikullon avokatinë e panevojshme me të tjerët, në kundërshtim me interesat tona dhe të Kosovës. Te shkrimi “Kryeministri shqiptar, si ambasador i vullnetit të mirë i Serbisë”. Autori i referohet intervistës së Kryeministrit Rama më 14 Shtator 2022, te e përditshmja austriake “Die Presse”. Si aty dhe në vijim, ai i bën një avokati të zellshme dhe të pakuptimtë Beogradit.

Në fakt, nuk gjen rast tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare, kur lideri i një vendi të mbrojë dhe justifikojë politikat e një vendi tjetër, qoftë dhe sikur “mjaltë ta ketë me të”, ca më tepër kur kjo avokati bie ndesh me qëndrimet e BE-së.

Padyshim që kjo avokati është dhuratë e çmuar për Vuçiç, ndaj dhe i bëhet goxha jehonë në median serbe dhe më gjerë!

Samiti i BE-së në Tetor 2020, nuk i njohu pretendimet greke në Detin Egje dhe përshëndeti vazhdimin e negociatave midis Greqisë dhe Turqisë. Ndërsa diplomacia jonë përshëndeti vendimin grek për 12 miljet detare, si të drejtë të tij ekskluzive.

Një ndër tabutë e reja në 10 vitet e fundit lidhet me bllokimin e emërimeve të Trupës së Ambasadorëve tanë. Për pasojë, nga 56 gjithsej, 50 ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm, nga 3-4 vjet që duhet të qëndrojnë jashtë sipas Ligjit të Shërbimit Diplomatik, i miratuar nga kjo mazhorancë në vitin 2015, kanë 8, 9 dhe më shumë vite, një megaskandal i vërtetë, por që as nuk do t’ia dijë njeri!

Kur vendet e tjera nuk i lenë asnjë javë më shumë, sepse veç të tjerash, kjo i familjarizon me vendet ku janë akredituar, duke u shërbyer më shumë atyre! Ndaj, autori në një shkrim të veçantë shprehet drejt se “Shqipëria nuk ka ambasadorë dhe as diplomaci”.

Ndërsa në shkrimin “Enveri dhe Lenini flenë të qetë”, autori shënjestron dëmin e madh që sjell “këshillimi kombëtar”, i zbatuar disa kohë më parë për aspekte gjeopolitike dhe tri projekt-ligjet që binin ndesh me vlerat dhe parimet europiane, Ballkanin e Hapur, negociatat, etj.

Ky “këshillim”, sipas autorit, ndonëse në rrethana demokratike, ngjan si dy pika uji me “vijën e masave” të epokës moniste. Një absurd, mbasi për ato dhe të tjera aspekte qeveria ka votën e elektoratit, të Kuvendit, MPJ-në, partnerët ndërkombëtarë, ekspertët vendas e të huaj, etj. Ca më pak ua prish mendjen partnerëve ndërkombëtarë me “vijën e masave”, ç’ka e tregoi dhe anulimi i tri projekt-ligjeve pas kërkesës së SHBA-ve dhe BE-së.

Një antitabu tjetër e dobishme sipas autorit, është që me të huajt të mos ulim kokën dhe të bëjmë lëshime pa kriter ose për përfitime afat-shkurtër, por të tregojmë guxim dhe veprim diplomatik. Kjo ide në libër ilustrohet bindshëm me shembullin e ish-Presidentit Thaçi, i cili çfarë lëshimesh nuk bëri ndaj aleatëve perëndimorë dhe ja ku e kemi prej tri vitesh në Hagë, bashkë me shokët e tjerë liderë të UÇK-së!

Po ashtu, Kosova ka 12 vjet që bën lëshime në vazhdim ndaj Beogradit dhe aleatëve perëndimorë, por deri tani shumë pak ka arritur. Pavarësisht nga eufemizmat diplomatikë, dakordësimi në Ohër e katandisi “kokoshin një thelë”, me “kryefjalë” asociimin që mund ta çojë dhe më thellë Kosovën në një udhëkryq fatal!

Duke shkuar jashtë kufijve tanë, vlen të përmendet mikroeseja “Mëkati fillestar i diplomacisë europiane”, më 5/8/2022. Autori qorton Europën, e cila nuk e kuptoi dhe e mori me të mirë Hitlerin, pastaj Stalinin, më vonë Milosheviçin dhe 15 vitet e fundit Putinin. Mirëpo, tani, ç’ka që mban me të mirë Vuçiç, ministër i Milosheviçit, që nuk jep asnjë shenjë dhe i tregon dhëmbët e muskujt Kosovës?

Autori përdor dhe krahasime pikante historike me vende anëtare themeluese të BE–së, për të bërë ballafaqimet e rastit. Në shkrimine datës 17/10/2021, ai komenton gjestin politik të Presidentit Macron më 16 tetor 2021, ku kërkoi ndjesë dhe dënoi dhunën e policisë franceze 60 vite më parë, ku u vranë 200 algjerianë të pafajshëm, me qindra u plagosën dhe 1200 të tjerë u arrestuan.

Mirëpo këtë ndjesë dhe këtë vendim nuk po e merr në konsideratë Vuçiç, ndonëse më 1999 kriminelët serbë ekzekutuan 20.000 të pafajshëm shqiptarë të Kosovës, përdhunuan 20.00 vajza dhe dëbuan mbi 1 milion vetë!

Madje, Vuçiç shkon dhe më tej, e bën të kundërtën. Ai organizon dhe sponsorizon protesta kundër 24 Marsit, dita kur NATO filloi ndërhyrjen e armatosur për të çliruar popullin viktimë të Kosovës. Me të drejtë në libër shtrohet pyetja nëse do lejonte kush në Europë dhe gjetkë të ngriheshin kundër 8 Majit 1945?

Në këtë botim të ri, në qendër të vëmendjes mbetet dhe çlirimi nga tabutë historike në dialogun Prishtinë-Beograd. Qysh në shkrimin e datës 21/02/2022, me rastin e Samitit të BE-së në Bruksel, autori paralajmëronte liderët e Kosovës që të mos lejonin Beogradin, si një vend i mundur dhe agresor të diktonte praktikisht axhendën e dialogut. Imagjinoni që Nurenbergun ta diktonte Gjermania e Hitlerit!

Autori me shumë fakte dhe guxim diplomatik denoncon disa gafa dhe gabime diplomatike të aleatëve tanë perëndimorë, duke filluar nga spostimi i njohjes së Kosovës, që Presidenti Biden e konsideroi çështje qendrore në dialogun Prishtinë – Beograd, ndërsa praktikisht tani ajo nuk figuron as te dakordësimi i Ohrit; shpresojmë të mos shtyhet në kalendat greke dhe “mbajtja me hatër” e Serbisë.

Po kështu, lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, autori argumenton se në asnjë nga vendet e Pesëshes Euro-Atlantike, që po ia kërkon me ngulm Kosovës, nuk ka pasur e as nuk ka një të tillë! Aq më tepër kur të drejtat e pakicave serbe në Kosovë mbrohen më mirë se dhe në disa vende anëtare të BE-së!

Në një shkrim tjetër pikant, të datës 12/9/2020, “Sekuenca serbe”, shprehet habia e ligjshme me BE-në, e cila ndërkohë që i bën presion Bjellorusisë edhe pse e di që nuk e merr dot në anën e saj, nuk bën të njëjtin presion mbi Beogradin për ta njohur Kosovën, ndonëse ky i fundit është në procesin e anëtarësimit në BE! Apo me Lajcak dhe Borrell, që nuk kanë bindur as vendet e tyre për ta njohur Kosovën!

Nisma “Balkan i Hapur” është një ndër temat ku filotabutë e të kaluarës dhe të tashmes rëndojnë goxha mbi gjeopolitikën tonë. Këtë temë dhe kundërshtimet e tij, autori i ka zbërthyer në botimet e mëparshme, por këtu ai nënvizon me theks të veçantë prejardhjen dhe sfondin politiko–historik të kësaj nisme gjysmake.

Shaban Murati risjell në vëmendje pohimin publik të Presidentit Vuçiç më 6 Prill 2017, kur ai e konsideroi idenë e Minishengenit ende pa lindur si “Jugosllavi e vjetër, plus Shqipërinë”, ndaj jo rastësisht ai shkon deri në hyjnizimin e “Ballkanit të Hapur”, që demek do na shpëtoka nga “kurthi i historisë” dhe si “projektimë i madh i paqes në rajon dhe nesër në Europë”!

Me të drejtë lind pyetja gjeopolitike, që nëse kanë dështuar mbi 20 nisma të tjera madhore rajonale me mbështetjen perëndimore, deri te Procesi i Berlinit, si mund të ketë sukses Ballkani i Hapur vetëm me tri vende, dhe ato “gjysma-gjysma”?

Me analizat e tij shteruese, Ambasadori Shaban Murati ndihmon të kuptojmë se është pikërisht ky sfond, prejardhje dhe besnikëri historike ndaj Beogradit, që shpjegon këmbënguljen “kokëmushkë” të qeverisë sonë, për mbështetjen e kësaj nisme, edhe pse ajo sipas autorit “ka lindur e vdekur”, kur atë nuk e ka mbështetur dhe as nuk e përmend asnjë dokument dhe lider i BE-së.

Kur shumica dërmuese, për të mos thënë të gjithë analistët diplomatikë dhe politologët e njohur në SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Bruksel, etj., e kanë skualifikuar Ballkanin e Hapur, si mbivendosje të padobishme, karshillëk i hapur ndaj Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së dhe Procesit të Berlinit, të cilat “na dalin dhe na teprojnë”!

Të gjitha këto Beogradi i bën në funksion të krijimit të botës serbe dhe të asaj ruse! Kjo del qartë dhe në shkrimin e radhës “Dy falenderime për Lavrov”, lidhur me pohimin e tij publik më 6 Qershor 2022, se Ballkani i Hapur “është nismë e Vuçiçit dhe se Rusia e mbështet plotësisht atë”!

Shqetësimi tjetër madhor është se te “Ballkani i Hapur” nuk merr dhe nuk ka se si të marrë pjesë Kosova. Kësisoj, ai kthehet në një tabu të rrezikshëm, në një makiazh për politikën e Beogradit dhe një “gjethe fiku” për të mbuluar problemet dhe telashet e mëdha gjeopolitike serbe; duke filluar nga mungesa e ndjesës së saj publike për krimet e të kaluarës në Kosovë, dëmshpërblimi për familjet e mijra viktimave, heqja e preambulës famëkeqe nga Kushtetuta serbe, e cila e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, njohja e Kosovës, antarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare dhe në OKB!

Nisur nga këto dhe konsiderata të tjera, ky botim mund të shërbejë si pikë referimi për të gjithë studentët, ekspertët dhe hulumtuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të diplomacisë, deputetët dhe politikbërësit tanë e më gjerë. Jashtë vendit, kryeanalistë të tillë ftohen të ligjërojnë dhe japin këshilla në institucione serioze shtetërore dhe publike.

Te ne për fat të keq, kjo nuk është bërë zakon dhe kulturë demokratike, kur në mbi 30 vitet e fundit, si në shumë fusha tjera dhe në atë të diplomacisë, kemi krijuar pëvojën tonë me një ekip ekspertësh, diplomatësh dhe analistësh brilantë, të cilët veç njohjes teorike, kanë punuar në terrenet diplomatike brenda dhe jashtë vendit dhe dinë përse flasin e shkruajnë.

Përvoja e MPJ-së sonë për t’i caktuar si udhëheqës temash do çuar më tej, duke i mbajtur pranë e duke promovuar idetë dhe përfundimet e tyre të mishëruara në botime të tilla serioze, siç është dhe ky libëri ri i Ambasadorit të karrierës, Shaban Murati.

Në përfundim, le ta theksojmë se Shaban Murati nuk shkruan nga pozitat e një kritizeri dhe të një opozitari politik. Ai nuk nguron të evidentojë me zë të lartë aspekte pozitive dhe arritje të pamohueshme të diplomacisë sonë, siç bën dhe në këtë libër.

Vërejtjet dhe kritikat ai i bën nga pozita konstruktive dhe dashamirëse profesionale, gjithnjë në funksion të efektivitetit dhe imazhit të diplomacisë sonë./gazeta dita

Please follow and like us: