Albspirit

Media/News/Publishing

MEHMETALI REXHEPI: DËSHMI PUBLICISTIKE DHE HISTORIKE

 

FATMIR SELIMI: KUJTIMET PËR  AKTIVITETIN  E SHHB “NËNA TEREZË”- DEGA NË GJILAN (1990-1991); QPKA-GJILAN, 2022

Miku i librit dhe dëshmitari i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, Doktor Fatmir Hysen Selimi, që në hyrje të librit tij pohon: “pas një periudhe kohore 30 vjeçare”, vendosi t`i nxirrte në mënyrë kronologjike gjithë këto shënime në trajtë libri prej 270 faqesh, me dëshmi faksimilesh, duke shtuar 199 foto për grupe dhe individë, shkëputur prej tubimesh të shumta, portrete veprimtarësh e bamirësish, 18 shënime gazetareske, kryesisht informative për pasqyrimin e veprimtarisë të Degës së SHHB-së “Nëna Terezë”në Gjilan, gjatë viteve 1990-1991. Kështu, autori pasqyroi nismën dhe aktet e aktorët e themelimit të Degës dhe, pastaj gjithë veprimtarinë e dendur për nën-degëzimin e kësaj Shoqate Humanitare e kulturore. Nga kronologjia e shënimeve që shtrohen në këtë publikim, shohim një përkushtim vullnetar të paparë deri atëherë! Themelonim, e thashnë shumës, meqë isha njëri nga veprimtarët themelues të këshillit nismëtar të Degës së SHHB “Nëna Terezë” në Gjilan, mandej  nëndegët me veprimtaritë gërshetuara kulturore: foljore, artistike-letrare e muzikore, të gjitha të pleksura njëkohësisht gjatë akteve të nën-degëzimit. Çështja e themelimit dhe e organizimit të një Shoqate Bamirëse Humanitare, erdhi si domosdo e rrethanave tejet shtrënguese të Serbisë pushtuese mbi shqiptarët. Prania e disa emrave të lakuar më shumë se sa të tjerëve në shënimet e këtij publikimi, dëshmon përkushtimin e tyre, pothuajse  të çdo ditshëm,për zgjerimin e nëndegëve në Gjilan dhe në vendbanimet e fshatrat përreth dhe më tej,si: në Stubëll të Epërme të Vitisë, në Dardanë (ish Kamenicë), në Preshevë, në Bujanoc e gjetiu, për të cilat autori i ka dhënëshënimet e përgjithshme në këtë libër.

Të dhënat që sjell libri i këtij autori, ndjekin kronologjinë e veprimtarisë së pandalshme të Degës së Shoqatës me nën-degët, për t`i gjetur mënyrat e ndihmës për nevojtarët,edhe ata të flakurit dhunshëm nga puna e përhershme, si pasoja të mos pranimit të masave nënshtruese ndaj Serbisë!

Në cilësi të vlerësuesit të tashëm të morisë së gjerë të ngjarjeve, që ngërthyen dhe zbërthyen veprimtarët, të cilët prekën ndjeshmërinë e bamirësisë në stilin e Gonxhe Kolë Bojaxhiut, të bamirëses tonë të mirënjohur në botë Nëna Terezë, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, e shpallur nga Vatikani e”Shenjtëruar”, përkatësisht Shën Tereza!  Nga kjo rrethanë shtrihej dhe doli në sipër-shfaqje mendësia e bamirësisë! Vështruar kahes së parashikimeve të së ardhmes, pjekjen e mendësisë për bamirësi në skamje e vështirësi, duhej të dëshmonte dikush për brezat e tashëm e të ardhshëm atë përkushtim, atë vrull, ato ritme, atë dinamikë, atë vullnet, ato zbutje zemrash, të cilat nuk arrinte t`i ndalte kurrsesi policia represive e okupatorëve serbë dhe, sivëllezërit e tyre sllavë: maqedonas e malazias.

Autori Fatmir Selimi për ta hartuar këtë libër me ritme të dendura veprimtarish, për përfshirjen, konsolidimin, përzgjedhjen e të dhënave, para këtij publikimi kishte tri botime librash, të miratuara nga kryesia e SHHB “Nëna Terezë”  e  Degës në Gjilan. Këtu shohim se ky autor ka cituar disa nga të dhënat nga publikimi “Bamirësia”, botuar në Gjilan, më 1990 dhe, pak nga botimi tjetër i SHHB “Nëna Terezë” “Flakërimë”; botuar në Gjilan, më 1992. Mirëpo, nuk është përmendur, as nuk janë marr të dhëna prej librit “Kohë-ngjeshje bamirësie”, të dy bashkautorëve, anëtarë të kryesisë së Degës, e publikuar në Gjilan, në vitin 2000,e miratuar nga kryesia e Degës së SHHB në Gjilan, në shenj rrumbullakimi të dhjetëvjetorit të funksionimit frytdhënës të Degës së SHHB “Nëna Terezë” në Gjilan, me mbi dyzetepesë nëndegë vepruese.

Dega e SHHB “Nëna Terezë” në Gjilan, kryetar i  së cilës ishte, që nga themelimi Fatmir Selimi, në secilin tubim për ngritjen e nëndegëve, padyshim i ka nënvizuar ngjarjet si shtytës dhe si autor gjithandej, në të gjitha faqet e këtij vëllimi, që shpërfaqshim gërshetime letrare-poetike, recitime, fjalime emocionale, këngë e valle, të cilat hartuesi i librit është kujdesur  dhe i ka pasqyruar si zhvillime të pandara të bamirësisë. Të gjitha këto pleksje humanitare, kulturore, poetike, artistike, zbrazje ndjenjash dhe euforish njerëzore përshkuar prej frymës atdhetare; nuk mund t`i tejkalonin mëtimet e motiveve politike-kombëtare për përballimin e pushtimit të rëndë dhe dhunën e vijueshme të shtetit të Serbisë. Serbia ushtronte dhunë, duke shtuar varfërinë, si rrethanë nënshtrimi e shpopullimitë popullit tonë. Mërgatës sonë i shtohej barra dhe përgjegjësia për t`i ndihmuar vatrat, familjarët, skamnorët e vendlindjeve të veta. Shtresimi  atdhetarë për shtet-bërje kërkonte mënyra, mundësi e mjete, njohje e përkrahje ndërkombëtare, që mëtimet fiktive për Republikën e Kosovës të përtrolliteshin me përmbushje faktike! Ishim para dy alternativave: t`i zbraznim vatrat tona ose të përballeshim me një luftë shfarosëse?!

Në kontekst të këtij libri kam të drejtë t`i shoh ngjarjet dhe rrjedhat e tyre, sipas dioptrisë time…Si?Ndoshta është dashur të përmenden tri publikimet e mëparshme të Degës së Shoqatës, me tërë faktet dhe mangësitë e tyre, ku e ku të plota, ku e ku të pjesshme, ku e ku të mangët, ku e ku me çiltërsi, ku e ku me gabime e, ku e ku me ndonjë hile?…

Sidoqoftë, libri që kemi në duar, që nga viti i kaluar 2022, gjithsesi është vijimësi e tri publikimeve të kësaj natyre dhe, si i tillë i plotëson disa mangësi, duke sjellë emra më të shumtë të veprimtarëve vullnet-mirë dhe bamirës, njoftime më të shumta ngjarjesh e vendesh dhe, një spektër më të gjerë lëvizjesh kulturore përkitazi veprimtarisë për bamirësi. Mandej, pa ngurruar autori i këtyre ngjarjeve spikatë ndërhyrjen partiake, kinse për t`i dhënë kahe Shoqatës nga politizimi i saj, kur politika gjysmë legale e atyre viteve ishte ende pasive dhe, e frikësuar së tepërmi e anemike.

Megjithatë, duke shkruar për këtë libër dokumentar të Fatmir Selimit, le t`ia tumirim vullnetin këtij veprimtari të palodhshëm, që mori përsipër mundin dhe guximin, ndonëse i pa-përkrahur por, i pandalshëm për t`i shtyrë qëllimet paravajtëse me vullnetin e zemrës e të gjoksit tutje, krejtësisht i vetëm?! Përse duhej të mbetej kështu i vetmuar ky veprimtarpër bamirësi; tashmë kur i kemi institucionet shtetërore financiare, kulturore, arsimore dhe shkencore?! Doktor Fatmir Selimi na e ka sjellë në tavolinë këtë libër, ku mungon era e djersëvetë tij dhe e bashkëveprimtarëve, pa përfilljen e tyre, së paku, me një mirënjohje institucionale të pushtet të drejtuesve të djeshëm e të sotëm?

Shohim këtu, që nga dhjetori i vitit 1990, prej faqes 110 deri në faqen 132 disa pasqyra tabelore me të dhëna financiare dhe të mira materiale nga nëndegët, hyrje-daljet… Më tej ndjekim shënime të grumbullimeve pa data, kontribute financiare të individëve me emra e mbiemra, kryesisht gjatë viteve 1990-1991. Nga faqja 131 deri në faqen 167, autori trajton në mënyrë të përgjithësuar portrete bamirësish të dalluar dhe, pasojnë shënime për ndërtimin e ambulancës e të shtëpisë së pleqve në kuadër të SHHB – Degës “Nëna Terezë” në Gjilan. Shënimi për themelimin e Degës së Partisë Shqiptare Demokristiane në Gjilan, në përbërje të këtij libri, i profilizuar për bamirësi, më duket bie ndesh me një profilizimi të këtillë.

Andaj, për t`u shprehur në mënyrë sintetike duhet të konstatojmë: publikimet e këtilla për ta arritur gjithë-përfshirjen e kësaj lënde kaq të gjerë, saktësinë e të dhënave, kompetencën argumentuese, bëhen kryesisht nga grupe autorësh e profilesh, që e plotësojnë njëri-tjetrin.

Gjatë veprimtarive të nën-degëzimit të Shoqatës Bamirëse, individët me ndikim i dhanë vullnet popullit të frikësuar e të kërcënuar. I jepnim besim njëri-tjetrit, mbase mëtonim të arrinim një njëjtësim synimesh të paparë… Ishin vite të afrimit mes profilesh të ndryshme, veçmas me bashkësitë e shtresimeve fetare; duke shpjerë më tej ngjeshjen etnike, ri-nderimin dhe konsideratën  për “bashkimin në ndryshime”, diçka thelbësore e përtej rutinës, që e riafirmonte veprimtari shpirtëror Don Lush Gjergji.

Shoqata u bë pikënisja e organizimit të një mjekësie paralele, kundrejt marrjes së spitaleve me policidhe mbylljes arbitrare, nga masat e dhunshme të pushtuesve serbë.

Libri i Fatmir Selimit “KUJTIME PËR AKTIVITETIN E SHHB “NËNA TEREZË” – DEGA NË GJILAN (1990-1991), solli lëndë të larmishme, të mjaftueshme për të rishkruar mbi themelin e këtij të tashmit, një ribotim libri më të konsoliduar në shumë pikëvështrime: formulime të drejta sintaksore e drejtshkrimore, me kujdes të shtuar të gjuhës e korrektimit të lëshimeve të shumta teknike.

Duke lexuar këtë libër të karakterit dokumentar e të publicistikës historike, lexuesit e nderuar, lehtësisht vërejnë disa  emra më të lakuar në rasat e gramatikës shqipe. Atëbotë, për dhjetë vjet, jam dhe unë njëri nga personazhet, njëri nga emrat më të lakuar në faqet e këtij libri. Autori asgjë nuk ka hiperbolizuar. E lypnin rrethanat ekzistenciale të ishim të tillë; të kishim mision për popullin tonë!

Autorit, Fatmir Selimit,  si dhe familjes tij, i dëshirojmë: shëndet e të mbara për shkrime të tilla   edhe më të pjekura,gjithsesi me interesim më të shtuar për publicistikën dokumentare dhe historike!

Gjilan, më  20 maj 2023

Please follow and like us: