Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (3)

KULLA PA RRUGË

 

“Shqiptari asht mbreti i maleve”!

Prof. Dr. G. STRAD

 

Njëditë gushti në vitin 1975, tue ecë në një rrugë pylli në anën lindore të fshatit Razëm, më dukej se po fluturojshe mbi pyje mbasi rruga kishte trajtën e një shkalle krejt afër majave të pemve të nalta pranë meje. Kjo shkallë nuk ishte aq thik sa ajo e Thethit por gurët ishin edhe këtu të lëmuet, ku nga patkojt e kalit, ku nga thundrat e tufave të bagëtive e ku nga opingat e malësorëve. Rruga midis atyne pemëve po më joshte aq shumë sa pa e kuptue më dukej sikur në atë tëposhte nuk po ecësha unë, por ngjitej rruga përpjetë dhe unë qëndroja në vend.

Unë veç kundërmojsha natyrën e stolisun të asaj zone që sa ma shumë tue vrojtue, aq ma shumë kambët më shtyjshin nga e panjohtuna. Dikund, aty mbas rreth një orë e gjysëm kur po afrohej mesdita takova të parin dhe të vetmin kalimtar, që mbasi më përshëndeti si zakonisht përshëndesin të gjithë malësorët njohtë e panjohtë më pyeti: “Shok, po të shoh se nuk je i këtij vendi dhe se nuk e njeh këtë krah mbasi nuk paske asnjë mjet mbrojtjeje me vedi, po due me të kallxue se këndej ka ujqë”. Ashtu si isha në këmishë e pak i djersitun mbasi rruga kishte fillue me e ba të vetën, m’u duk se nga frika, u freskova dhe në vend mora kthesën me gishta nga thembrat, tue falënderue fort e fort udhëtarin e panjohun. Pra, u kthyem bashkë. Biseda lidhej me rastët e shumta të fatkeqsive të çobajve që edhe pse e njihnin mirë atë vend, në ato kullota ishin gjetë copa e grima e shpesh ishin njohtë vetëm prej zheleve ose opingave të shkyeme nga kopetë e ujqve.

Malësori më printe, vetëm ai fliste mbasi unë pak nga lodhja pak nga frymëmarrja e sëpërpjetës dhe pak nga habia e bukurisë vendit që në ecje e kisha lanë mbas shpinës, ndigjojshe me vëmendje malësorin mbasi për mue ishte gjithshka interesante. Pak përpara se me ardhë në Razëm ai më tregoi se banonte në Vrith, një fshat aty afër. Emnin e kishte Zef. Kur po ndaheshim më tha: ”Po erdhe ndonjë ditë andej më kërko se aty ku të ndalon makina më njohin dhe shihemi, të pres me qejfë te shtëpia”.

Dukej rreth 45 vjeç afërsisht, mbasi jeta e vështirë ua ka shtue moshën atyne njerëzve për kah pamja.

Mbas 5-6 ditësh rastisi një makinë që shkonte ndër baxhat e Vrithit. Takova Zefin dhe i kërkova me pa ndonjë pejsazh ku të mund të vizatojsha dishka tërheqëse. Atje sa ishte hapë një rrugë e re. Ajo të zbriste në Vuçë, edhe ky një fshat piktoresk si të gjitha fshatrat e atyne krahinave. Midis malëve pyjet e gështenjave e pishat shekullore dukeshin si me kenë në një gropë. Shihej aty-këtu ndonjë pullaz që tregonte se ka njerëz që jetojnë aty. Ajo që më bani përshtypje në atë rrugë ishte vendosja e disa gurve të mëdhej mbi gur ma të vogjël. Gurët e mëdhej me format e tyne të sheshta më jepnin përshtypjen e tepsive të vendosuna mbi kokat e grave, që ecin aq në ekuilibër sa çdo çast pret kur po i bie tepsia në tokë. Kushdo mund të mendojë për ata gurë se i ka vu dora e njeriut me krijue imazhin e skulpturave moderne, po kur afrohesh e sheh madhësinë e tyne rreth 5-6 metër katrorë sipërfaqja e një guri e vendosun mbi gurët 2-3 metër të naltë dhe pa një shenjë dalte në ta, aty nuk gjen asgja me mend si janë vu, mbasi edhe malët prej nga mund të jenë zbritë janë mjaft larg. Mandej, me shka janë sjellë aty? Zefi më shpjegoi se këta gurë janë kenë aty edhe kur kishte le ai para 40 e sa vitësh, por pleqtë tregojnë se ata kanë ardhë në rrokullisje me ortiqet dhe kanë zanë vend këtu, të penguem nga trungjet e mëdha të pemëve të pyllit që ishin kenë aty para rrugës së re.Mbasi ecëm rreth 20 minuta në krahun e majtë, në zbritje jo ma larg se 10-15 metër prej rrugës së re, mbi një koder të ultë 6-7 metër mbi nivelin e rrugës ishin muret anësore të një kullës së vogël pa pullaz. Nga dritarët e hapuna shiheshin ndarje të mbrendshme gjysëm të rrënueme. Nuk shihej asnjë shenjë se ajo shtëpi ka pasë lëvizje njerëzish mbasi nuk kishte asnjë rrugë sado të vogël që lidhte shtëpinë me  rrugën kryesore. Dera ishte përballë meje me një hajat të vogël që zbriste me 4-5 kambë shkallë ndër ferra. Disa gurë të shkallës kishin rrëshqitë e ra. Edhe ndër vendet boshe të atyne gurve kishin bijtë ferra. Nuk afrohesha se gjithkah ishin kaçuba ferrash, madje, edhe mbrenda shtëpisë, që shiheshin nga jashtë. Nuk kishte shenjë jete as jashtë asaj kulle. As aty afër nuk kishte shtëpi tjetër. Ajo që më mbeti në krye e nuk më lente me u largue ishte dera kryesore e kryqëzueme me ferrkuqe, të vëndosuna për mos me hy asgja, ashtu ishin edhe dritarët me ferra si dera kryqetërthuer. Pa e kuptue unë kisha mbetë i shtangun. Qëndrimi im aty i tërhoq vëmendjen  Zefit, i cili më pyeti: “Pse po qëndron aty”?

– Unë iu përgjegja: -“Nuk kam pa ndonjë shtëpi kështu si kjo!” Zefi më tha: -“As mos të raftë me pa shtëpi si kjo!…”.

Atëherë, Zefi më shpjegoi: -“Një natë, këtu në këtë shtëpi rreth vitit 1946, ia kishin mësye tre vetë njerëz të malit krejt të panjohtun tue i thirrë të zotit të shtëpisë: “A pret miqë sontë?” Simbas  zakonit, ai ju asht përgjegjë: “Hajdeni, mirëse ju ka prue Zoti!” dhe u ka hapë derën. Nata kishte qëllue e ftohtë si netët e dimnit në këto ana. Binte borë që kur fillon nuk din me pushue një minut. Edhe kur kanë hy mbrendë udhëtarët i zoti i shtëpisë prap nuk  ka njohtë asnjenin, megjithatë, si mbas zakonit tonë i ka shtue dru zjarmit, u ka shtrue me hangër me shka i kishte dhanë Zoti dhe i ka vue me fjetë. Kah drita kanë fillue me lehë qentë. Forcat e Ndjekjes u kishin ra në gjurmë mbasi gjatë natës kishin kontrollue disa shtëpi të largëta po, edhe pse nuk kishin gjetë njeri ndër ato shtëpi kah drita kishin pushkatue katër vetë prej tyne që i kishin marrë me vedi gjatë kontrollit, tue u thanë: “Ju e dini nga kanë kalue të arratisunit por nuk na tregoni né!” Ata në të vërtetë nuk kanë dijtë gja por këta i kanë vra me frigue fshatarët për me diftue. Kur kanë mërrijtë këtu i zoti i shtëpisë nuk i ka lanë Forcat e Ndjekjes me hy në shtëpinë e tij për me kontrollue. Ata kanë ngulë kambë me hy por ky u asht përgjegjë: -“Nën Zotin, kjo punë nuk bahet! Njëherë kam lé, njëherë kam me vdekë!” Dy drejtuesit e Ndjekjes, kriminelët Asllan Lici e Xhemal Selimi tue pasë frikë me hy mbrendë, kërkuan dorëzimin e të arratisunve. Ai, prap ju asht përgjegjë: -“Nuk e ha bukën me marre me dorëzue mikun, mos e thashtë Zoti me u ba kjo punë në shtëpinë teme!” Forcat e Ndjekjes kishin rrëthue anë e kand kullën dhe kanë kërkue me dalë robtë e shtëpisë jashtë, pleqtë me gra e fëmijë. Kanë dalë vetëm gratë me fëmijë, ndër to edhe një nuse me foshnje ngrykë. Burrat kanë ndejë mbrendë me vazhdue qëndresën.

Porsa gratë me fëmijë kanë zbritë nga shkalla u janë afrue Forcat e Ndjekjes, dhe Asllani e Xhemali me dorën e vet ua kanë vra fëmijët, mandej nanat e tyne. Aty asht ndezë lufta. Mbas disa orësh i fundit ndër burra ka djegë shtëpinë dhe në prak të derës kur këta mendonin se ai po dorëzohet, ka vra një ushtar që i kishte kenë afrue e mbas tij edhe vedin.

Kështu, kjo shtëpi asht shue përgjithmonë!..

Prej asaj kohe kësaj kullë i asht vue ferra!..

Vazhduem rrugën. Zefi fliste me mue e unë i zhytun në mendime flitshe me vete: Po sa shtëpive si kjo u kanë  vue ferrën komunistët?!..

Ato ferra janë simboli i komunizmit që shuen fise të tana për me zhdukë bujarinë, me prishë besën dhe me turpnue burrninë.

Ajo kullë edhe sot tregon se si vdes malësori!

 

“KUSH  MË  NDALON  MUE  ME  DERDHË   GJAKUN, PËR  TOKËN  TEME?”

DEDË GJO’ LULI

“Vetmia asht martirizimi shpirtnuer, që kalon çdo dhimbje e varrë trupi. Dhimbja e Shpirtit nuk përshkruhet”!

Ndër këta pak rreshta do të kujtoj Ata shqiptarë, që kujtojmë se njëditë vdiqën!

Këta janë pikërisht Ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë me gojë se pa shqipe s’ka burra dhe pa burra s’ka Atdhé!

Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen.

Ata u kalbën  në qelitë e Sigurimit përsëgjalli. Varrët e Tyne kulluan vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët. Për né, asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të Tyne, mbasi na nuk kemi provue vetminë e Tyne, dhimbjet e plagët e trupit Tyne, zanin e mekun drejtë fikjes së Tyne që përshpëriste  thanjen e Mustafa  Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetve, e  dishrueme  prej atdhetarëve e këndueme prej rinisë”, por realiteti në fakt kje vetëm mjerim, vuejtje e sakrificë!

Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: “Mbasi  Fuqitë e  Mëdha kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet shumë të Shenjtë!”

-E, ashtu u ba!

KOL NURI SHELDIJA, vjeç 45, nga Sheldija e Shkodrës, deklaron: “Jam arrestue kur asht kapë Don Lazër Shantoja, kam strehue Don Lazrin për 26-27 ditë, nuk e ka dijtë kush se Don Lazri asht tek unë, vetëm Lush Hila. Kam kenë 17 vjeç shërbëtor në shtëpi të Don Lazrit. Në ditën e vjetit të ri më ka ardhë në shtëpinë teme Don Lazër Shantoja, dhe e kam mbajtë në shtëpi deri atë ditë që erdhën dhe e zunë partizanët në shtëpi, dhe i kam dhanë bukë gjatë qëndrimit. Ai ato ditë ka pritë me u dorzue.” (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945.)

Gjyqi zhvillohet me dt. 29-31 janar 1945, pra, dy ditë mbas arrestimit dhe trupi gjykues i përbamë prej: Kryetar, Esat Ndreu, antarë, Mustafa Iljazi dhe Hysni Lame, prokuror Sotir Dodona, japin vendimin me datën 31 janar 1945: “Me vdekje, me pushkatim.”

Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Usht. në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “…I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”.

Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë në shkresën nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës se, mori në shqyrtim aktet e të paditurit Kol Sheldija, i cili është dënuar me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945, Kryetari Gaqo Floqi d.v., antarë, F. Nosi d.v.  dhe V. Zejneli d.v., prokuror Myftar Tare d.v.

26 ditë mbas pushkatimit të Kol Sheldisë, gjykata aprovon ekzekutimin e tij…

Kol Nuri Sheldija u pushkatue vetëm pse i dha bukë Don Lazër Shantojës.

 

DON  NDRÉ ZADÊJA: Kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi, u thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, i cili, menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes.

Don Mikel Koliqi atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin,… ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”

Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet), të tre të fundit “dëzertor” nga ushtria. Njëkohësisht ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon:

“Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrine e urrej edhe unë.” (Dosja 667, deklarue më 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.).

Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”.

“I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit”.

Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën.

Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër.

Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty”?! Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rrëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve, dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993).

Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër muret e Shkodrës.

“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË E POPULLIT:

1.Prenkë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku 5. Ndrekë  Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli  8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami 13. Gjok Nikoll Voci  14. Pjetër Dedë Gjedashi”.

Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”

NDUE  MIRASH  PALI: vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës.

Per fat Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme ruen dosjen e Tij.

Dosja nr.1108 hapet kështu:

“ V.F.L.P.

Proçes- verbal

I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,

Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.

Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:

“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.

Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!

Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!

Të fala familjes.

Prokuror  (Aranit Çela) d.v.”.

Në proçes-verbalin e mbajtun në seksionin e mbrendshëm të Shkodrës nga komisioni hetues, i përbamë prej: Hetues, Koço Dilo, Nestan Ujaniku, Shefqet Dibra, Arif Gjyli dhe Haki Llazani, i arrestuemi Ndue Pali thotë: “…Kam agjitue për Ballin Kombëtar. Me gjermanë kam kenë oficer i ndërlidhjes në batalionin “Vërmoshi”. Kam punue me krenët e Malësisë së Madhe (“Besë-Lidhja”), kam kenë mandej në dispozicion të Komandës Shkodër. Kam marrë pjesë në operacionin e Llesh Marashit e Hasan Isufit, nga Shllaku e deri në Vrakë. Në këtë operacion u arrestuen: Faik Dibra, Rifat Muja, Nedime Baku dhe një partizan Halil. Gjoni i Markagjonit më tha me shkue në Dukagjin por unë nuk shkova, e din Riza Dani e Kol Prela…Faik Dibra ka kenë shoferi i makinës së Ndrec Prengës kur asht vra. Atëherë ishe i arratisun…Në listat e internimëve në Prishtinë nuk kam ba pjesë, ato i ka ba policia me Hasan Isufin…”

Në gjyq deponojnë kundër Ndue Palit: Vasil Kavaja, Selim Rama, Sadik Bekteshi, Beqir Ndou, Mark Prela, Arif Gjyli, Mark Uli etj.

Trupi Gjykues përbahej prej: Kryetar, Mustafa Iljazi, antarë, Orest Papadhimitri dhe Pjetër Daragjati, prokuror Aranit Çela. Vendimi u dha më 14 korrik 1945.

Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë të së cilës Ndou kërkon prej Rizasë mundësinë e ndërmjetsimit për me u dorzue.

Në dosje ruhet edhe mbrojtja që avokat Paulin Pali i ka ba Ndout, tue kërkue: “…ju lutëm ndryshoni vëndimin e caktuem, në burgim të përjetshëm, i sigurt në ndjenjat e drejtësisë njerzore të Gjykatës së Lartë. (më dt. 14 korrik 1945).

Mbrojtja e Paulinit ka titullin “Liri, Nderë e Burrni”, ku, ndër pesë faqe të daktilografueme, avokat Paulin Pali i len jurisprudencës shqiptare një thesar të vërtetë nga mendja e tij e ndritun.

Me datën 15 gusht, aty nga ora 3.30 e mëngjezit, kur rojet e burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët me marrë të dënuemit me vdekje për me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare.

Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e popullit të Shkodrës!

Akti heroik i vdekjës së tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën hekrat dhe murët e burgjeve komuniste në gjithë Shqipninë.

Më 2 nandor të atij viti, si gjithmonë, kujtonim të vdekunit. Ishim ndër vorret e Rrëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore dhe papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorreve janë rregullue disa vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit kur shka me pa?!… Një kortë i vërtetë. Drejt me çinarin e dytë ishin pesë vorre të bame me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga Penda ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet me fëtyra përballë atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat varëshin fotografi të mëdha (rreth 35×50 cm.). Ishin fëtyrat e Atyne djelmëve të pushkatuem në lule të rinisë. Te koka e secilit vorr ishte e ulun kacuk nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat dy a tre nga të afërmit ose miqë ua shpërndanin burrave që vinin aty.

Kujtoj, se mbi vorrin e Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit. Ishte zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografi kishte lule të bardha dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne nanava me futa të zeza e degërmia të bardha, ato vetem u merrnin erë atyne luleve, por jo, jo tue kja loçkat e zemrës së tyne që ua kanë tha shpirtin për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti.

Aty kuptova se Herojtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë!…

Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluan me vrritë si bishat e tërbueme. Kur filluen krizmat e automatikëve na ikëm me vrap prej frikës.

Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me pisllëkun e pusave të zezë të qytetit, që karrocat hillnin sipër me zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku Sigurimi solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje. Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të futun mbrenda në një kuti teneqeje  që mos të fikej. Ai qiri derdhte lotët e tij në atë vend të bekuem.

Po, sot, pse asht ashtu ai vend?!…

Mos harroni, historia përsëritet!

 

PJETËR GEGË GURAKUQI: “Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht i këtillë?

-Pse ka lé në Shkodër… më 2 janar 1912. Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd. Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve. Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri me shkue prap në Berat.

I përgjigjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.

Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit… Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje…”

Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare”.

Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “…Si paraqitet Pjertri ? – Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té… Vetëm, vendimin e Pjetrit me vdekje, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur.

Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.

I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun.Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.

Misto Bllaci d.v.

Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.

Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.

Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”….

Cila ishte përgjigja?

“Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare

Gjykata e Naltë Ushtarake

Tiranë 3 shtator 1945

Nr. 08-134/I-Prot.

 

GJYKATËS USHTARAKE – Berat

Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:

Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:

  1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
  2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashniku,
  3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashniku.

Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.

V.F.L.P.

Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”

Përgjigje me datën 1 tetor 1945:

“Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm.

Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË  SHQIPËRIA”

Kryetari i Gjykatës Ushtarake:

Kap. I  Bexhet Mema d.v.”

“Komandanti” për të gjithe donte me dijtë vullnetin e fundit!

 

PJESA E II

YJET E KOMBIT

Nuk shuhën me ujë…

e, as, nuk mbulohën me baltë!

 

Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me kalue edhe cakun e jetës e kur këtë ai e ban për Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk bajnë gjenerata të tana të një populli.

Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve të atij Kombi!

Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.

Nëse, sot duam me pyetë a e meriton apo jo këte nderim

DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjegjem se kjo nuk më përket  me e thanë unë, mbasi për mue asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës seme që me ligjëratën teme me përkujtue 50 vjetorin e pushkatimit të tij. E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës shqiptare që vdekja mizore prej katilëve komunistë, tue la me gjakun e tij tokën shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike.

Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut.

Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk  ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.

Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje, edhe i ngulnin ndër hunjë, mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata, ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.

Ndër ditët e para të këtij shekulli fituam lirinë… Një andërr!

Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njëriut, thotë një dijetarë…

Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë nazistët?

Shka do të thonte Bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik?

Si do t’i përgjegjej historisë Jusuf Alibali kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës e, nana e tij tek dera tue u thanë katilëve:

“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi… mos e leni kështu djalin!”…

Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në Botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon njerëzish (atë kohë)?

Cili evropian beson se:

Shkenctarët vetëm pse janë priftën i kanë mbytë për së gjalli në gropë gjirizi….

At Serafin Kodës i nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonj…

Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo, ku, e shkyjnë të çmendunit….

Papà Josif Papamihajlin e mbysin, tue e zhytë për së gjalli në baltat e kampit të shfarosjës së Maliqit të Korçës…

Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung me kokë të këputun me spatë…

At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për fëtyrë nën një të vdekun….

Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri  Çoku me shokët e tij katilë, e shkyejnë për gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: “Rrnoftë Krishti!”

Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?!

Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sëpse, ky i mjeri u la edhe me jetue si thotë populli: “Gjallë e për gazep”.

Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari.

Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.

Vetëm kështu, shpjegohët ajo që u ba mbi Don Lazër Shantojën të parin e, mbas tij mbi të gjithë klerin katolik shqiptar e të huej që ranë në duart e këtyne kriminelëve trathtarë.

Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej duhej zhdukë, ky asht “ideali” i çdo komunisti. Ky “ideal” ka shty komunistët me çvarrosë edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët e varrosun në Katedrale, në Kishën Françeskane, ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja etj.

Para vitëve 1930 kur ende nuk kishte fillue me binjtë në Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Gjergj Fishta, Shantoja e Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po binte e po rritëj shpejt e kudo!

Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.

Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!

Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.

Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.

Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “…letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.

E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:

Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.

Pra, njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen:

“…Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit…”

Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!

E, mbas njëzet vjetësh, nana e tij ju lutet gjymtuesve:

“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi…. mos e leni kështu djalin!”.

Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po!

Ky asht komunizmi!

Nanat shkodrane janë të gdhenuna nga gurët e Rozafës.

Don Lazër Shantoja mbetet në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.

Ja dhe disa të dhana pse u masakrue kështu publiçisti i njohun Don Lazer Shantoja: (Dosja nr. 174) vjeç 52, nga Shkodra, asht i biri i Kelit dhe i Luçes, ka krye shkollën e lartë teologjike për prift.

Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri ju tha atyne ndër sy: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë”!

Në një faqe proçes-verbal shënohet: “Kur kam ikë, një natë kam fjetë tek Don Nikoll Gazulli, në Dedaj kam ndejë 22 ditë tek Mark Tom Prela, ndërsa Sheuqet Çelkupa ka ardhë në Shkodër dhe ka bisedue me Cuf Lohën me u dorzue, e të dy bashkë, më duket janë takue me Riza Danin. Sheuqeti, me anë të mbesës seme Siles, e shoqja e Zef Prenkës, në rrugën Marvukej, e kjo nëpërmjet të malësorit Lekë Lulashi nga Grizhja, më ka çue lajm të pres edhe një javë se Sheuqeti kishte folë me Rizanë e Cuf Lohën. Riza Danin e Dan Hasanin i kam pasë miqë me kohë.

Si korrier për shpurje e ardhje lajmesh nuk kam pasë kurrë… Kur po pritsha përgjigje nga mbesa e ime Silja, nuk dij sesi u zbulova nga forcat e Ndjekjës.

Miku ma i ngushtë i emi ka kenë Beqir Valteri”. (proçes- verbal dt. 31 janar 1945).

Akt-akuza e bame nga prokurori Jonuz Mersini, ka dt. 28, 29 janar 1945, ku shënohet një faqe e daktilografueme me të gjitha vëprimet e bame prej gjyqit e deri tek pushkatimi.

Lexoni me kujdes këto pak rreshta:

– Ka ba marrëveshje për përmbysjen e Zogut në 1939, për me sjell Princin Savoja, që në vitin 1938 bashkë me M. Krujën.

– Ishte president i kulturës popullore në Institutin “Dante Aligheri”.

– Asht qenë inisiator i grupit indipendent.

– Në vitin 1940 ka mbajtë konferencë në Egjipt, me të mërguem kundër Aleatëve.

– Më 28 nandor 1939, ka mbajtë fjalim në Romë me rastin e dorëzimit të Flamurit me titull: “Shqipnia në kuadër të Përandorisë romake”.

– Ka shkrue artikullin: “Luftën e fitojmë na”.

– Ka shkue në Shën Naum, Strugë dhe Dibër e ka mbajtë fjalime.

– Ka shkue nga Jugosllavia në Zvicër si emigrant në kohën e Zogut. Atje asht takue me M. Krujën, i ardhun nga Italia.

– Ka pasë lidhje me gjeneralin Fistun, Kol Ashikun, e armiqë të tjerë në mal. Mbas prokurorit u pyet i pandehuri dhe kërkoi pafajsinë, mbasi nuk ka bërë ndonjë faj.

***

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.”

Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”.

Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën… Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme.

Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J. Alibali d.v.

“Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945”.

Ja një parandjenjë e tij:

“Sod kshtu t’shpërblen ty bota!  Po mizore

e padrejtë s’ sundon der n’ t’ sosun t’ motit!

Koh’ ka për t’ ardh’, qi ty kjo tokë Arbnore

Dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit”!

Edhe unë besoj… se po!

5 mars 1995

 

PROFESOR FILIP NDOC FISHTA

“Uria asht ma e pashpirtë sesa hekuri”!

Don Marin Barleci

“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”

Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në Universitetin e Sobonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”.

Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.

“E thrret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vinë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944.

Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945, ku la disa punime shkencore.

Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar. Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.

Prof. Filipi deklaron: “…Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik. Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSH-in (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij…”. (Dosja 7842).

Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.

Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail  Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.

Cila ishte “pasuria” e Profesorit?

“Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por nuk pat me shka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.

Ku bazohej akuza?

Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.

Prokurori thekson: “Vetë juve z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!…”

“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me At Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonëse vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi ai vdiq. Prof. Androkli Kostallari e “ndihmoi” profesorin kur doli nga burgu, i “premtoi” se do të riabilitohej dhe se do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija “prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”.

Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja përsonale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë me tregue), por më ka shtangue guximi i avokatit të tij, z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!

Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe ndoshta, tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej tradhëtarëve të paditun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithshka që shkatrron kulturën dhe shkencën ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit evropian.

  • Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sobonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij…

Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.

…Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare….

Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.

…Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941. Artikulli titullohet “Shqipnia jonë”…

Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.

Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.

Nga ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.

Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare”.

Avokat Kol Dhimitri d.v.

Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”…

Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq. Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Na atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun për tokë. Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë.

Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve. Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë vetëm, me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht Ata, që ndër këta libra kishin edhe artikujt e tyne.

Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati e Kostallari me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e bibliotekat e mëdha të tyne.

… Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen dhe u zhdukën me atë rasë.

  • Prof. Kol Alimhilli, thonte:

“Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958).

 

PARTIA DEMOKRISTJANE ISHTE VETËM NJË IDE

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.

Shpesh, bisedohej se “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor Mikel Koliqi, etj. me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “…se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni,“ por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943.

Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin “Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm e çpikun  e gjithmonë e pakenun, që hangri sa e sa koka njerëzish të pafajshëm.

  • I nderuemi z. Nino Kurti tregon se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor. Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, por sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë.

Atëditë, i kujtohej mirë Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun.

Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik.

Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet me Provinçialin  At Mati Prennushi, e as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve prandej si përfundim “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë françeskanët që “mos të përzihen në politikë!”

Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin.

Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do ta drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane.

Kjo ishte edhe arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark Çuni.

Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.

Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj. janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore kemi pasë besën.

Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë, po ku, me e gjetë sot një Andro Petroviq, apo Mark Çunin me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq nuk u pashë ma me Ninon, mbasi Ai vdiq ndër ato ditë.

Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut, asht kenë i dërguem për Partinë Demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

  • At Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen”.
  • At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristiane”?
  • Vetëm më 16 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas Meshës së Parë më 11 nandor, ka ba një përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue ngarkue Prof. Nush Radovanin me këtë detyrë.

Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhjetorit shpallë të formueme “Partinë Demokratike”. Kaluan ma shumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë.

Kur Prof. Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Pikoli i thotë: “Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!”. Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera… formohet edhe “demokristiania” që asht sot.

Kjo dhe vetem kjo, asht arësyeja që u vuna me dijtë “dishka” për Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”.

 

Please follow and like us: