Saimir Z. Kadiu: Njohja ndërkombëtare e Shqipërisë “Londineze”
30 maj 1913/110 vjet më parë…
Traktati i Londrës u nënshkrua 110 vjet më pare, më 30 maj 1913, në vijim të Konferencës së Londrës 1912-1913.
Ky traktat lidhet me armëpushimin midis palëve pas Luftës së Parë Ballkanike dhe korrektimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane.
“Personazhet” e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike që përbëhej nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha (Mbreteria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria, Italia) dhe Perandoria Osmane.
Austro–Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar qëndruan neutrale.
Roli i Kontit Leopold Berchtold (1863-1942), Ministër i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze në këtë periudhë ishte vendimtar për njohjen e shtetit të ri shqiptar…
Është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument të tij. Jemi mjaftuar me një rrugë në një zonë periferike të Tiranës që lidh Brrylin me rrugën Ali Demi (ky emërtim u vu në kuadër të 100 vjetorit të Pavarsisë) dhe me një bust në Shkodër…
Anëtarët e Ligës Ballkanike ishin kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar dhe kërkonin ndarjen e territoreve shqiptare midis tyre.
Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Fuqive të Mëdha duke e quajtur këtë traktat një padrejtësi për kombin shqiptar, pasi 40% e popullatës dhe më shumë se gjysma e territorit mbeti jashtë kufijve të saj. Kosova, Çamëria, viset në veri perëndim të Shqipërisë iu dhuruan Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.
Si të mos mjaftonte kjo padrejtësi, përcaktimi i kufijve sipas Protokollit të Firences (17 dhjetor 1913), u kundërshtua nga popullsia minoritare greke në Jug të Shqipërisë të cilët u ngritën në revoltë dhe me mbështetjen e plotë të kryeministrit grek Elefteros Venizellos deklaruan Republikën e Autonome të Epirit të Veriut të kryesuar nga Jorgos Zografi që u njoh si rajon autonom nën termat e Protokollit të Korfuzit (17 maj 1914).
Por këta terma nuk u zbatuan kurrë si pasojë e fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe u anulluan nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1921.
Komunistët shqiptarë në vitin 1945 si fitimtarë të pasluftës, duke injoruar historinë u lidhën ngushtësisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht me shtetet sllave që kishin qenë historikisht kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar!
Në vitin 1960, “Vëllai i madh i popullit shqiptar” dhe “Qytetari i Nderit i Tiranës”, lideri sovjetik Nikita Hrushov, pasi ishte takuar me politikanin dhe ish kryeministrin grek Sofokli Venizellos, (të birin e kryeministrit grek të përmendur më lart, Elefteros Venizellos) i kërkoi Enver Hoxhës që t’i jepte autonominë minoritetit grek…
Përfundimisht Traktati i Londrës pavarësisht kundërshtive njohu pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë që kemi sot.
Prandaj sot mund të themi që 30 maji 1913 është dita e Shqipërisë Londineze dhe njohja zyrtare ndërkombëtarisht e shtetit të pavarur shqiptar.
BARDHYL LONDO (1948 -2022)
“1913”
Anglia ishte tepër aristokrate,
Franca ishte tepër mondane,
Greqia ishte tepër dinake,
Rusia tepër cariste,
Gjermania ishte tepër filozofe,
Serbia më tej se barbare,
Italia ishte tepër diplomate,
Austria tepër e plakur.
Dhe Shqipëria, ah Shqipëria,
si gjithmonë tepër e përgjakur.