Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Emocione të lindura

Shprehjet emocionale janë të lindura – pjesë e biologjisë – thonë shkencëtarët. Studiuesi Paul Ekman vendosi teste të kontrolluara me njerëz nga më shumë se njëzet kombe të ndryshme, duke u treguar atyre fotografi të fytyrave emocionale. Të gjithë etiketuan shprehjet njerëzore pak a shumë në të njëjtën mënyrë, duke treguar pak variacione në njohjen e zemërimit, frikës, lumturisë dhe kështu me radhë.
Një e qeshur do të thotë e njëjta gjë në të gjithë botën.
Po sikur njerëzit kudo të prekeshin nga filmat dhe shfaqjet televizive të njohura të Hollivudit? A mund të llogarisë kjo për uniformitetin e reagimeve?
Ekman udhëtoi në një nga skajet më të largëta të planetit për t’i administruar testet e tij një fisi në Papua Guinenë e Re. Këta njerëz jo vetëm që nuk kishin dëgjuar kurrë për John Wayne ose Marilyn Monroe, por nuk ishin të njohur me televizionin dhe revistat. Megjithatë, ata identifikuan saktë shumicën nga fytyrat emocionale që Ekman mbajti para tyre. Të dhënat e Ekman argumentuan në favor të universalitetit sa që ndryshuan përgjithmonë pikëpamjen për emocionet njerëzore dhe shprehjen e tyre. Sot, ato konsiderohen pjesë e natyrës njerëzore.
Meqenëse çdo gjuhë ka fjalorin e vet emocional, përkthimi mbetet problem. E vetmja rrugëdalje është vëzhgimi i drejtpërdrejtë i mënyrës se si përdoren shprehjet. Nëse është e vërtetë që mjedisi formon shprehjet e fytyrës, atëherë fëmijët që lindin të verbër dhe të shurdhër nuk duhet të tregojnë fare shprehje, sepse nuk i kanë parë kurrë fytyrat e njerëzve përreth tyre. Megjithatë, ata qeshin, buzëqeshin dhe qajnë në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtat rrethana si çdo fëmijë tipik. Meqenëse situata e tyre përjashton të mësuarit nga modelet, si mund të dyshojë dikush se shprehjet emocionale janë pjesë e biologjisë?
Dhe i kthehemi kështu pozicionit të Çarls Darvinit në librin e tij të vitit 1872 “Shprehja e emocioneve tek njerëzit dhe kafshët”. Darvini thekson se shprehjet e fytyrës janë pjesë e repertorit të specieve tona dhe vuri në dukje ngjashmëritë me majmunët, duke sugjeruar që të gjithë primatët kanë emocione të ngjashme.
Please follow and like us: