Ruben Avxhiu: ASGJË E RE NË “SANKSIONET” AMERIKANE
Degradimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nuk e shkaktoi kriza në Veri – ai ka filluar prej vitesh
Ndëshkimet amerikane për Kosovën, të trumbetuara mbrëmë, do të kishin më shumë peshë nëse do të sillnin realisht diçka të re. Ato thjesht konfirmojnë hapur një degradim tashmë ekzistues të angazhimit amerikan ndaj Kosovës.
Së pari, SHBA ka thënë se nuk do të angazhohet më me vendet mosnjohëse për të siguruar njohje të reja. Mirëpo, me përjashtim të rastit të bujshëm të njohjes nga Izraeli me ndërhyrjen personale të Presidentit Trump, ka vite që njohjet kanë shterruar. Përkundrazi ka pasur sinjale për kthim pas të njohjeve.
Ose SHBA ka ezauruar mundësitë e saj në këtë drejtim ose ka humbur interesin.
Akoma më keq, në disa raste aplikimesh për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, SHBA ka pranuar që anëtarësimi i Kosovës të vonohet si kusht që ajo të bëjë më shumë hapa në normalizimin me Serbinë.
Së dyti, përjashtimi i Kosovës nga stërvitjet e Defender23 është vërtet një shpullë politike, mirëpo, vetëm aq. Pjesëmarrja e saj në këtë raund të ri stërvitjesh ishte përsëri më shumë simbolike se sa do të sillte ndonjë rritje masive të kapaciteteve ushtarake. Dëbimi i Kosovës nga stërvitjet, ndërkohë që NATO ka bërë manovra të përbashkëta me Serbinë është në dëm të interesave aleate dhe atyre amerikane në veçanti. Sa më shumë kapacitet kanë forcat e armatosura të Kosovës aq më shumë lirohen nga barra trupat amerikane të ngecura në Kosovë.
Së treti, ndalimi i proceseve euroatlantike, për fat të keq është një shaka e keqe. Nuk ka ende asnjë perspektivë serioze për Kosovën që të fillojë rrugën e integrimit në NATO dhe BE. Kosova ka në plan të aplikojë për në BE por të them të drejtën anëtarësimi në bllok është shumë larg për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Shumë nga këto vende kanë vite që sorrollaten përgjatë procesit oa mbarim dhe ende nuk e shohin anëtarësimin në horizont.
Së katërti, njoftimi se udhëheqësit e Kosovës nuk janë të mirëpritur në SHBA është gjithashtu diçka simbolike të them të drejtën. Presidenti Joe Biden konsiderohet si mik i Kosovës, por ai as që ka pasur ndërmend të ftojë ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë, udhëheqësit e Kosovës. Prej shumë vitesh është bërë e qartë se udhëheqësit e Kosovës tani mund të hynë në Shtëpinë e Bardhë vetëm së bashku me udhëheqësit serbë. Në mënyrë skandaloze, Kosova u përjashtua nga Samiti i Parë i Demokracive ndonëse është demokracia më funksionale në rajon dhe vetëm pas një kori zërash proteste iu dërgua ftesa e vonuar, por një e tillë iu dërgua njëkohësisht edhe Serbisë së autokratit Vuçiq. Ishte një tallje me vetë konceptin e Samitit. por edhe një kujtesë se Kosova në Washington pranohet vetëm në shoqërinë e Serbisë. (Degradimi i marrëdhënieve u zbulua padashje edhe nga korrespondenca diplomatike të kohëve të fundit që dolën në media.)
MIRËKUPTIM PËR ALEATËT
Pa diskutim, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë më të rëndësishmet për Kosovën. Prania e trupave amerikane është garancia më e madhe e sigurisë së kufijve. Mbështetja amerikane është kyçe në betejat diplomatike e politike në botë. Aprovimi amerikan hap dyert në institucionet financiare, qetëson dhe inkurajon investuesin e huaj. Përballë një Bashkimi Europian të përçarë, qartësia amerikane ka shërbyer rregullisht si kundërpeshë e nevojshme.
SHBA ka investuar shumë për paqen dhe sigurinë në rajon dhe janë të interesuar të pengojnë shtrirjen e ndikimit rus e kinez. Ne jemi të interesuar për të njëjtën gjë dhe kemi nevojë për mbështetjen prej tyre dhe mbrojtjen që ofrojnë nga kërcënimi serb.
Situata është serioze. Ndonëse diplomacia amerikane ka fajet e saj se ka trimëruar Vuçqin me deklarata të papërgjegjshme e të njëanshme dhe po vazhdon të ushtrojë presion më shumë mbi Kosovën sesa mbi Beogradin, kjo nuk është arsye për të shpërfillur irritimin amerikan.
Kosova është vend sovran por SHBA ka qindra ushtarë dhe shërbyes të gardave shtetërore që mund të jenë në vijën e parë të rrezikut nëse shpërthen një konflikt. Kosova ka të drejtë të marrë vendimet e saj por ajo duhet të tregojë ndjeshmëri për shqetësimet e aleatëve që nuk duan ta vënë në rrezik trupat e tyre për gjëra që mund të shmangen. Ata shpenzojnë për këtë prani ushtarake, jo vetëm financiarisht por edhe kapital politik në vendet nga vijnë. Në një kohë kur ngurrimi për angazhime ushtarake jashtë vendit ka ardhur duke u rritur.
Është shenjë respekti për forcat që mund të ofrojnë jetën në mbrojtje të Kosovës që t’i bësh pjesë të procesit vendimor aty ku siguria mund të cënohet. Le të mos ua përplasim në fytyrë argumentin e sovranitetit atyre që garantojnë në terren këtë sovranitet. Le të përqendrohemi në problemet konkrete më shumë se sa në deklarata epike.
Argumenti se demokracia duhet respektuar është shumë i mirë dhe ashtu si sovraniteti i jep epërsinë morale Albin Kurtit, mirëpo po ashtu si në rastin e sovranitetit që shkrova më lart, edhe ky argument duhet përdorur me modesti.
Vërtet katër kryekomunarët janë rezultat i demokracisë, por fitorja e tyre është më shumë një aksident i demokracisë. Ata janë përfaqësues të një periudhe kalimtare që do të mbarojë sapo shumica e popullsisë lokale të rikthehet në kutitë e votimit.
Së fundi, Kosova mund të refuzojë të ndryshojë qendrimet e saj, por artikulimi i qendrimeve ka gjithashtu rëndësi. Aleatët duhet të trajtohen me respekt dhe ndjeshmëri. Reagimet e diplomatëve duhen lexuar me kujdes për të gjetur pika të përbashkëta.
Kryeministri Albin Kurti ka të drejtë, por fakti që ka të drejtë nuk është arsye që të mos zgjedhë në fund epërsitë e ndonjë alternative praktike që i ndihmon edhe amerikanët që të justifikojnë tërheqjen nga retorika e ashpër dhe e njëanshme që kanë zgjedhur këto ditë. Nuk ka aleanca të përkryera dhe aleatëve shpesh u duhet të nxjerrin njëri-tjetrin nga situata pa rrugëdalje.
Si përfundim, degradimi i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës nuk ndodhi për shkak të krizës së fundit në veri. Kriza vetëm sa e nënvizoi duke hequr vellon diplomatike. Arsyeja pse ndodhemi në këtë situatë kërkon një analizë serioze dhe qartësinë se raporti nuk do të ndryshojë menjëherë edhe nëse qeveria e Kosovës zbaton të gjitha kërkesat amerikane. Përkundrazi, nxitimi për të pranuar disa kërkesa të diplomatëve të radhës, që sot janë larguar nga skena e Ballkanit, ka lënë pasoja afatgjata për Kosovën.