Mike Pence shpall kandidaturën për president të SHBA-së
Uashington, 5 qershor 2023 – Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, më 5 qershor e shpalli veten kandidat në garën presidenciale të republikanëve për pozitën e presidentit, duke nisur kështu një betejë kundër ish-presidentit Donald Trump.
Ekipi i fushatës së Pence e paraqiti një deklaratë kandidature në Komisionin Federal të Zgjedhjeve të SHBA-së.
Pence do ta nisë fushatën e tij me një video dhe një fjalim në Iowa më 7 qershor, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar tre burime të afërta me Pence.
Kandidimi i Pence e vë atë në garë kundër kandidatit kryesor nga radhët e Partisë Republikane, Donald Trump.
Pence kishte qenë zëvendëspresident i Trump, por kishte refuzuar ta mbështeste atë kur ai u përpoq t’i përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden.
Ish-guvernatori i Indianas është distancuar gjithnjë e më shumë nga Trump, duke thënë se veprimet e Trump që inkurajuan sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit më 6 janar të vitit 2021 e kishin rrezikuar atë dhe familjen e tij, të cilët kishin qenë në ndërtesë në atë kohë.
Pence i bashkohet një numri të madh të kandidatëve republikanë, që përfshijnë Trump, senatorin amerikan Tim Scott dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley. Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum po planifikon gjithashtu të hyjë në garë së shpejti, sipas burimeve të Reuters.
Edhe ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, do t’i bashkohet garës më 6 qershor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kandidatëve republikanë në dyshifrorë.
Numri i madh i kandidatëve ka shqetësuar shumë kundërshtarë të Trump brenda Partisë Republikane, të cilët kanë frikë se vota kundër Trumpit mund të ndahet dhe t’ia dorëzojë kështu nominimin e partisë ish-presidentit.
(REL)