Kryeministri hije dhe koalicioni në duart e Çezarit
Negociatat maratonë deri në arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi konfirmuan problemet e mëdha politike të koalicionit qeverisës, të cilat dolën në sipërfaqe, si dhe qartësuan peshën dhe rolin e faktorëve politikë në mazhorancë dhe opozitë.
E para, konsensusi mban firmën e Ilir Metës, duke nxjerrë tërësisht jashtë loje kryeministrin e Partisë Socialiste që përveç shëtitjeve në sallën e parlamentit dhe jashtë saj, nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi për të afruar palët dhe shfryrë tensionin politik, të cilin madje ia ka përcjellë në mënyrë permanente edhe opinionit publik. Nëse flitet për merita në këtë histori, ato i takojnë Ilir Metës dhe Çezarit në këtë rast duhet dhënë ajo që i takon.
Paradoksalisht, ai që ka 65 deputetë në parlament priste duke naviguar në Facebook sesi do të shkonin negociatat e Ilir Metës me ndërkombëtarët për të bërë komentin e radhës si kryeministër, që në të tilla raste ka kohë të lirë. Edhe përballë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Edi Rama humbi. Vijat e tij të kuqe u shkarravitën dhe pavarësisht intimidimit të opozitës dhe kreut të saj nga ambasada amerikane dhe Donald Lu, opozita rezistoi dhe ia doli t’i imponohet procesit.
Edi Rama nuk iu imponua dot askujt, hapi derën për ndërkombëtarët dhe thjesht tha “po” për çdo gjë. Diçka që mund ta bëjë çdo kush, edhe po ta marrësh nga rruga dhe ta vendosësh kryeministër.
Përsa i përket historisë së koalicionit, Edi Rama ka humbur çdo kredibilitet përpara aleatit të tij në letra Ilir Metës. Për kreun e LSI-së është i pabesueshëm dhe siç tha në seancë, “shumë konstruktiv me vendimin e tij për të mos u marrë fare me këtë çështje, por lër t’ua lënë ndërkombëtarëve në dorë“. Timonin e koalicionit tashmë do ta marrë në dorë LSI dhe duket se palët do shkojnë bashkë deri në fund të mandatit, në llogore të ndara. Të paktën këtë konfirmoi ministri i LSI-së Ylli Manjani për “Opinion”.
“Në dijeninë time më të mirë jo, s’kemi histori, skenarë me vijë apo prapavijë. Kjo është një histori që LSI është e njohur për respektimin e marrëveshjeve politike dhe s’kemi asnjë arsye të vëmë në dyshim afatet e respektimit të marrëveshjes politike“- tha Manjani duke shtuar se “shumë shpejt do vijë momenti, sepse ne do duhet të bëjmë një bilanc të funksionimit të gjërave në koalicion, se çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi dështuar. Besoj se reforma të mëdha janë bërë, vlerësimi i një koalicioni s’është me një pozicion të caktuar“.
Nga ana tjetër kemi socialistët që po përpiqen të buzëqeshin, për të mos rënë para kohe nga vakti, tani që reforma mori konsensusin e të gjithëve. “E ardhmja e koalicionit është ndikuar shumë nga kjo marrëdhënie e krijuara këto 4-5 javët e fundit. Ka lënë shenjë në mirëqenien e koalicionit. Natyrisht që u takon krerëve të dy partive kryesore në vend të ulen të diskutojnë hapur, pa mbajtur asnjë rezervë, sy më sy, e të vendosin për të ardhmen e këtij koalicioni. Me rëndësi që diskutimi të jetë i hapur, i ndershëm mbi të gjitha, i drejtë, sepse këto janë parime për të cilat kemi votuar edhe unë brenda partisë sime. Duhet një vlerësim i plotë se çfarë ka ndodhur brenda 3 viteve, sa përpara kemi ecur në këtë marrëdhënie koalicioni dhe në fund fare të merret edhe një vendim shumë i qartë”,- ishte prononcimi i dhënë nga Erjon Braçe për “Ora News”. Problemi është kush do jetë përballë Ilir Metës të flasë sy për sy për problemet e koalicionit?
l.mitro