Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Pëllumb Nako dhe libri i tij për sigurinë

 

Pëllumb Nako, ish zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit dhe tashmë profesor universitar del sërish para lexuesve me një botim të ri “Siguria dhe ndjenja e pasigurisë”, botimet M & B, 2023. I konceptuar në katër kapituj dhe me një aneks në fund me pjesë nga legjislacioni shqiptar, libri sjell një ndihmesë të çmuar në radhë të parë për organet e pushtetit vendor, për struktura policore e të gjyqësorit, për legjislatorët dhe partitë politike si dhe për publikun e gjerë.

Kapitulli i parë i librit bën një trajtim të konceptit të sigurisë, përfshi konsiderata të përgjithshme dhe përkufizimi i saj në elemente objektivë dhe subjektivë.

Po në këtë kapitull autori ndalet në ndjenjën e pasigurisë duke nënvizuar incivilitetin si presion i sjelljes së dhunshme, degadimi si presion mjedisor dhe paqëndrueshmëria si presion i shoqërisë.

Po ashtu autori trajton metodat e matjes së pasigurisë referuar profesorit të njohur Roshe me frikën, viktimizimin, ekspozimin cenueshmërinë dhe pranueshmërinë.

Në kapitulllin e parë, shtjellohen si nënkapituj më vete edhe anketa për kuadrin e sigurisë, ndjenja e pasigurisë e kohezionit social, dy qasjet aktuale për sigurinë dhe siguria e rendi publik.

Kapitulli i dytë i librit me tri nënkapituj fokusohet në shtetin klasik dhe atë liberal për sigurinë, raportet e privates dhe publikes në sigurinë publike dhe marrëdhëniet e aktorëve në qeverisjen e sigurisë.

Kapitulli i tretë i librit, titulluar “Karakteristikat e ofertave të sigurisë” analizon ofertat civile dhe ushtarake si dhe ushtria për sigurinë publike.

Gjithashtu në karakteristikat e ofertës private për sigurinë, Pëllumb Nako shkruan në mënyrë më të detajuar për doktrinën, funksionet kryesore, profilin e sigurisë dhe filozofinë e mirëkuptimit.

Kapitulli i katërt, i përqëndruar te sistemi i sigurisë së brendshme në Shqipëri, trajton sistemin e sigurisë në vendin tonë, veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake, agjencitë për mbrojtjen e mjedisit, kundër zjarrit e shpëtimit dhe mbrojtjen kombëtare, shërbimin privat të sigurisë dhe nevojën për hartimin e kodit të ri për sigurinë e brendshme.

Përpos sa më sipër, libri sjell përvojat më të mira perëndimore, sidomos ato franceze dhe italiane duke kontribuar në një rikonceptim tërësor të sigurisë publike në Shqipëria ku përgjegjës nuk është vetëm struktura qeverisëse, por edhe opozita, edhe qendrat universitare dhe akademike, pra jep një kuadër më të gjerë që rrit efikasitetin e saj në vendin tonë.

https://www.botasot.info/kultura/1971957/pellumb-nako-siguria-dhe-ndjenja-e-pasigurise/

Please follow and like us: