Afrim Qëndro: Shpirti yt u prehtë në paqe, Arben Lenja!
S’do të kisha dashur kurrë t’i shkruaja këto fjalë për mikun tim të ndjerë Arben Lenja për ikjen e tij të parakohshme nga kjo botë. Por kundër fatit dhe ligjeve të jetës nuk dalim dot. S’na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë forcë brenda vetes të përballojmë peshën e dhimbjes për ndarjen nga jeta të Benit.
Një qytetar i mirë, familjar i shkëlqyer dhe inxhinier profesionist me kontribut të çmueshëm derisa ndali frymën e fundit. Ekspertiza e tij e lartë në Reformën e Ujit dhe përgatitjen e dokumentave strategjik e planifikues është e vlerësuar gjerësisht. Misioni i tij i fundit i përmbushur me sukses ishte hartimi i Planeve të Menaxhimit të Baseneve Ujore Ishëm, Erzen dhe Mat, punë që forcuan më tepër bashkëpunimin e miqësinë tonë.
Fjalëpakë e punëshumë, buzagaz si gjithmonë, Arben Lenja do të na mungojë të gjithëve ne që e njohëm e punuam me të. Shumë më shumë do t’i mungojë familjes së tij të mrekullueshme; bashkëshortes Vito dhe dy vajzave për të cilat do të mbetet një këshilltar i pazëvendësueshëm ndonëse s’do të jetë më kurrë fizikisht mes tyre.
Zoti zgjodhi që ta merrte me vete në një banesë tjetër. S’na mbetet gjë tjetër veçse t’i japim kurajo vetes për të jetuar me plot kujtime të tij të bukura dhe me emrin e mirë që Beni ka lënë. Lamtumirë miku ynë i dashur. Shpirti yt u prehtë në paqe!