DY POETË QË NGRENË NJË MONUMENT ARTISTIK NË DHIMBJEN NJERËZORE!
NGA SPASSE THANASI
Nga qielli shqiptar u shuan dy yje – poezie të zjarrtë, që me portretin dhe talentin e tyre letrar u kthyen në një “ikonë” artistike në letrat shqipe…
U larguan nga jeta me plot dinjitet e dashuri, duke lënë për brezat një “thesar” të artë ndjenjash në piedestalin artistik të krijuesve të mbarë kombit!…
Lamtumira është e dhimbshme, e patreguar nga shpirti!
NJË ZË I FORTË POEZIE U SHKËPUT NGA JETA !…
DEMIR GJERGJI
Demir Gjergji, autor i një sërë vëllimesh poetike dhe gazetar i Radio Tirana, ishte një lirik i thellë i poezisë me vargje tingëlluese e profetike. Ai shkroi për “ ngjyrat e tokës”, për “mërgimin e bukurisë”, për “shtëpinë e shkrimtarit”, për “Verën në ikonë”, për “ishujt e mbrëmjes”, për “biblën e buzëve”, për “alfabetin e algave” etj. Që me botimin e parë në vitin 1970 e deri në vëllimin e fundit të pabotuar ende, ai iu përkushtua thellësisht letërsisë, sidomos poezisë si një “vigan” me zemër të zjarrtë ! Për 12 vjet që punoi si gazetar në “Radio Tirana”, realizoi një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim, Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.
Trishtimi në botën e poetëve dhe shkrimtarëve me vdekjen e Demir Gjergjit është i madh… Rudolf Marku shkruan: “U trondita nga lajmi i vdekjes se papritur te poetit dhe shkrimtarit brilant!… Në këtë botë vijnë disa njerëz për të qenë miq me të gjithë. I tillë do mbetet në kujtesën e krijuesve shqiptar Demir Gjergji! Një poeti i shkon një privilegj i tillë. Demir Gjergji do të kujtohet për poezinë që shkroi, po aq sa dhe për dashurinë e çilter, pasionate, të shpallur për poezinë dhe fjalën e shkruar!…
Librin e tij të fundit (ende të pabotuar) ma dërgoi t’ia lexoja. Me kërkesën t’i beja sa më shumë vërejtje dhe sugjerime. Ai qe vetë nuk dinte të bente kurr një vërejtje për krijimet e të tjerëve! Sepse e konsideronte poezinë si të shenjtë. Qoftë dhe poezinë e një fillestari!
Në fakt, libri më ka lënë shijen e mirë të poezisë së bukur dhe të mençur! Ashtu siç të linte prania e tij dhe bisedat me të.
Si vetë miresia e pabujë e vetë Demir Gjergjit!
Prehu në Paqen e përjetshme, mik i të gjithë poetëve të fjalës Shqipe!..”
Ndersa, atje në Korçë, Skënder Rusi, u ndje i pikelluar , e “ flet me dhimbjen” duke prekur “magjin” e fjalës së poetit Demir Gjergji. Si avangard në racën e poetëve të vendit ai “gdhend” dhembshurinë e bukur për një poet, që iku papritur nga jeta, e që do të mbetet “qiell i kaltër” në stinët krijuese të vendit.
————————–
Një emër drite në poezi, xhevahir i rrallë në fjalën shqipe!….
ARBEN DUKA
Iku plot trazira edhe poeti tjetër “gur – stralli”, ARBEN DUKA. Ishte poet i lirikës së dashurisë me fjalën- shpatë e zemrën- zjarr. Emnaku i tij Agim Xheka e përcolli ‘pishtarin” në lamtumirën e fundit me fjalën “Dhimbje”:
I dashur mik, i shtrenjti shok
Nuk të thënkam dot lamumirë
Sepse burrat si ti, more bablok
Janë diej në këtë errësirë !…
Ky xhevahir i rrallë i fjalës shqipe, i dritës së poezisë do të mbetet i gjallë në mendjet njerëzore, në zemrat e poetëve e krijuesve të vendit. Si avangard shpirtëror do të ndriçoj udhën e krijimtarisë për të vërtetën dhe njerëzoren. Ai nuk diti të përkulet kurrë, nuk shkeli e njollosi asnjë normë sociale në të vërtetën e fjalës dhe bindjes artistike. Arben Duka ishte poeti që të vinte me fllad në zemër, që të fuste thellë në mendime, të bënte të fluturoje lartësive të jetës jo i fantazuar, por realist dhe plot shpresë, kurdoherë gjallërisht. Me penën e tij artistike ai mbetet një poet kombëtar, që brezat do ta nderojnë dhe do mësojnë nga vërtetësia e tij e pamohueshme.