Artur Spanjolli: Mbasdite kafenesh
Mёngjesi i nёntё shkurtit kishte filluar me njё frenezi tё pashoqe. Mё duhej tё rendja pёr njё intervistё mёngjesore drejt pёr drejtё. Ndryshe nga dalldia emocionale e herёve tё para, tani gjatё intervistave, ndjehesha disi mё i qetё. E ç’mё gjeti me kёto intervistat, jam shkrimtar dhe jo gazetar televiziv, i thoja vetes. I doja, por me drojёn time, pasigurinё, edhe i trembesha atyre. Herё-herё, mendoja tё pija nga njё dopjo raki pёrpara, pёr t’u shkrythur nga mendja, por gjithashtu kisha frikё se mos pijes do turbullosha akoma edhe mё keq dhe pastaj flisja marrёzira.
Jashtё tё ftohtёt e shkurtit e kishin shtrёnguar si me darё, mbarё qytetin. Por, mbasi mbarova intervistёn, -mё e paqta -, i thashё shoferit tё taksisё, tё mё linte diku afёr bulevardit kryesor, ndaj kur zbrita, falenderova dhe fillova ta bёja rrugёn nё kёmbё. Mё dukej sikur po ecja nё njё qytet krejt tё tjetёrsuar. Tek rruga e Elbasanit, pёrbri ambasadёs; rrugё tё cilёn e bёja me aq dёshirё 30 vjet mё parё, tani gati nuk po e njihja mё. Realiteti e kishte superuar fantazinё. Nuk kujtoja gati asgjё nga rruga e dikurshme, veç Liceut Jordan Misja, ambasadёs Amerikane, -tё cilёn e kujtoja me kangjella hekuri tё zeza, tё larta, por nё tё vёrtetё, po shihja se kishte njё mur tё lartё rrethues, ngjyrё bezhё. Ja si kujtesa mund tё na mashtrojё me kapriçot e saj. Turbull, kujtoja se diku, nё njё nga rrugёt paralele nё tё djathtё, pёrtej ambasadёs italiane, do tё gjendej edhe bulevardi. Ndaj, krejt i hutuar, ndalova tё parin kalimtar i cili mё orientoi pёr nga anёt e UT-sё.
Para se tё shkoja tek shtёpia e njё miku bleva tek libraria ‘Onufri’ tre romane. Faulkner, Kadare dhe Ruth. Pastaj, meqё e dija shtёpinё, e mbajta frymёn drejt anёve tё Institutit.
Tek shtёpia e Kristit, kureshtja mё brente pёrbrenda. Ishte njё kohё, 33 vjet mё parё, krejt i refuzuar nga dashuria, e ёndёrroja njё gjё tё tillё. Kur Kristi lёvizte nga soxhorno, shihja pёrreth me habi dhe kёrshёri. Sa i çuditshëm është truri i njeriut. Vetëm idea se Xh. mund tё kishte shkelur tek ai apartament, i jepte atij vendi një ngjyrim krejt prej ëndërre dhe të pavërtetë. E ngrinte, e fisnikëronte, e lartësonte çdo detaj, çdo orendi, çdo send, çdo rreze drite dhe çdo objekt aty. Ideja se dikur, ajo, e paarritshmja, ishte ulur aty ku po ulesha edhe unë, se ka hedhur vështrimin përtej të njëjtit xham në ballkon ku edhe unё po hidhja vёshtrimin e heshtur, e bënte atë hapësirë, sikur të ishte një muzeum ndjenjash të mrekullueshme. Dhe kanë kaluar mbi 33 vjet. Mund të kalojnë edhe 333 vjet, asgjë nuk do tё ndryshonte në trurin tim. Jo më kot Dante, e kishte lartësuar një femër, duke u bazuar mbi një iluzion dashurie. I çuditshëm truri njerëzor, vёrtetё.
Mbas çajit me komoditetet nё ngrohtёsinё e poltronёs tek shtёpia e Kristit, nё 12 e dhjetё, mora rrugёn pёr tek bar ‘Juvenilja’. Ecja pёrgjatё segmentit tё fundit tё bulevardit. Me hap tё shpejtё, veshur krejt si pёr festё, bёja pёrpara nё bulevardin e gjerё, pranё dhe pёrbri kollonave tё Muzeut Arkeologjik tё Tiranёs. Sa ka ndryshuar ky qytet? mendoja. Si e ka ndryshuar shёmbёlltyrёn e saj?! Ah kapitalizёm, dobiç burrё je. E luan mёndsh njerёzimin. Dikur, s’kishte tjetёr veç rrugё plot pluhur me kalldrёm, shtёpi me qerpiç dhe pajtona. Pastaj Duçja i kish dhёnё shёmbёlltyrёn perandorake, me Pallatin e Fashios projektuar nga Bosio. Dhe vetёm mё vonё, kishin lindur pallatet nё stilin bolshevik. Ndёrsa tani gjithçka ёshtё sunduar nga betoni, çimentoja kryelartё dhe xhami xajs. I keq je, kapitalizёm. Sidomos nё grykёsinё e atyre, qё deri dje hanin me tallon, bukё tё zezё dhe fasule; visheshin njёlloj, tani me kollare dinё si ta bёjnё biznesin. I keq je, sistem shumёkokёsh, pёrbindёsh i gjallё. Kapitalizmi, edhe pse ka marrё emra tё rinj: konsumizёm, ekonomi tregu, demokraci, liri, pluralizёm, boom ekonomik, sёrish ka tё njёjtat parime. Ligjin e xhunglёs, ku mё i forti sundon dhe dikton rregullat. Gara pёr pushtet dhe pasuri, ky binomi ekzemplar, bёhet gjithnjё dhe mё i tmerrshёm. Po pse, kaq budallenj tё jemi ne njerёzit, sa tё mos jemi nё gjendje as tё mund tё shpikim njё sistem pёr tё qenё? Kaq tё paaftё? Gjithkund vё re prepotencё godinash, ngritur mbi njё prepotencё arkitektonike. Nejse. Kёtё zonё e kujtoja fare ndryshe. Ndaj dua tё kuptoj deri nё fund nёse kujtesa ime, me kalimin e viteve ёshtё trasformuar, modifikuar brenda kthinave misterioze tё trurit, aty ku rrijnё kujtimet, apo peizazhi rural i dikurshёm, u ka pёrçunduar kryekёput?! Pёr ne qё vijmё rrallё, kapriçot e kujtesёs pёrzihen krejt me dhunёn e re arkitektonike.
Shoh qiejt e fyer nga çmenduria e grataçelave; qiej tё cilёve po i mohohet kaltёrsia. Rrugёt transformohen, urbanistika deri diku, ёshtё bёrё mё e shёmtuar pёr arsye tё babёzisё sё pushtetarёve. Gjithkund pikas ndёrtesa pa asnjё respekt estetik. Ore, po ku e mёsuam ne stilin siçilian xhanёm?! Ne ishim njerёz tё besёs. Po, tё besёs jemi! Por biznesi ёshtё biznes. Aty tё hajmё tё gjallё. Dimё t’i bёjmё puçet duke shkelur syrin. Drita dinake nё bebe, dykuptimёsia, ryshfeti poshtё tavolinёs. “Hё vёllaçko, t’ia fusim popullit?! Tё hajmё sa tё kemi poltronёn. E kujt po i rruhet pёr tё tjerёt”, thotё gjithmonё dikushi, duke i shkelur syrin tjetrit.
Unё jetoj nё njё qytet mesjetar, i cili bёn krejt tё kundёrtёn e kёtij qyteti nё trasformim tё pёrhershёm. Nuk ёshtё se aty ku jetoj politikanёt janё shenjtorё! Por aty ku jetoj, jo vetёm nuk ke tё drejtё tё shfytyrosh urbanistikёn e tij 600 vjeçare, por me ligj shtetёror, titullarёt e ndёrtesave, nuk kanё tё drejtё as edhe tё ngulin njё gozhdё, nё fasadёn e jashtme tё godinёs. Quhet mbrojtje e kulturёs dhe traditёs. Jo dhunim i pamёshirshёm i saj. Tani ndodhem duke ecur nё mes njё çmendurie tё tillё betoni gjigand, ku ndjehem i vogёl, i parёndёsishёm, i papёrfillshёm. Krejt modest eci akoma, mes smogut tё benzava, xhamave tё zinj, mermereve tё bardhё tё stilit bolshevik. Kthej sytё nga e djathta.
Meqё jetoj larg, e kam mё tё lehtё tё shoh boshin 33 vjeçar, hendekun kohor mes kёtij tё tanishmit dhe atij tё dikurshmit. Si jemi trasformuar kёshtu?! Dikur synonim njё shkollё tё lartё, njё rrogё bazё dhe kёnaqeshim. Tani njerёzit e kanё humbur toruan. Gjithçka ёshtё pёrqёndruar tek ajka dy pёrqindshe. Grataçelat 100 metёrsh duken sikur mё shohin me mospёrfillje. Ore po ti kush je? duken sikur thonё. Unё jam dinaku, i zgjuari, i shkathti, i zoti. Unё jam ai qё vlen. Ai qё ja ka hedhur b… Ai qё din tё ecё. S’jam si ti, me atё kollaren tёnde qё flakёrin nё erё, qё ndjek njё ёndёrr tё kotё 30 vjeçare. Njё ёndёrr alkimiste librash. Mirё se tё vij mirёqenia, por ky ‘zhvillim’ ёshtё pёrçudnimi mё makabёr i estetikёs qytetare.
“Nuk jetohet me librat, ore ti mik. Ti je humbёsi, unё jam ai qё ka fituar”! Le tё jetё njё zgjidhje e imja, mendoj. Çfarё? Kultura? Emancipimi, dija, njohuritё? E ç’mё duhen! Aq sa mё nevojitet kollarja nё mejhane. Ah myku nё sirtar i njё ёndёrre tё vjetёr. Kollarja e njё ёndёrrimtari, alkimist, a i vlen ndoshta dy grosh nё kёtё botё Big Brother-ash dhe dukje boshe, por shkёlqimtare?! Ç’mё bёn tё qesh me pasionin tёnd! Ha, ha ha! duket sikur mё thonё, xhamat e zinj tё hoteleve gjigandё, ku unё arkaiku alkimist, reflektohem me tmerr nё ecje.
Prapё mё duket se dёgjoj zёra.Ne jemi fituesit! Ata qё ja kanё bёrё shah mat jetёs.Kemi ngritur njё perandori, nga asgjёja, por ta vodhёm tё ardhmen. Kёtu nuk bёhet shaka vёlla.Fituam! Çfarё? Ndershmёria, korrektesa, koerenca, detyrimi moral, impenjimi civil?! Qenke leshko fare ti?! Pse s thua?! Nuk e sheh. E ç’mё duhet mua. Ore vёlla, duket sikur mё thonё akoma kёto pёrbindёsha çementoje. Ti je alkimisti qё fluturon me pras, unё jam bosi snob me makinё tё zezё, tre bodygard. Unё vendos mbi ty. E kuptove?! Unё jam ai qё ta ka vjedhur tё ardhmen tinёzisht. Unё jam yshtёsi i emigrimit rinor. Nuk jam as skllavi i askujt, as preha e humbjes sё vetvetes. Jam fitimtari. E kujt po i rruhet pёr broçkulla ndёrgjegje, korrektёsi morale, lojё me rregulla tё respektueshme. Kёtu po s’ja fute, do tё ta fusin mor mik, e kuptove?! Ec ti tani, mahnitu. Mahnitu, humbёs! Ёshtё e çuditshme!Ne shqiptarёt, kemi njё adhurim dhe respekt gati diabolik pёr mё tё fortin. Ngadhnjimtarin, tё pushtetshim. Jo pёr dijetarin as pёr tё civilizuarin. Kjo matufёri adhurimi vjen nga injoranca, nga mungesa e civilizimit. Rrofshin dumbabistёt e kombit.
Tek sheshi ‘Nёnё Tereza’, pёr njё çast, feksja e çelikut qё ndrin nё diellin e shkurtit mё tёrheq vёmendjen. Ёshtё puna e mikut tim H. Xhixha. Skulptura bart titullin e Big Bang-ut, shpёrthimi i parё, eksplozioni gjigand i kozmosit. Por format mund tё interpretohen fare mirё si simboli i Covidit. Tutje, pёrtej feksjes lumturore tё çelikut, vezullojnё luspat gjigande tё sё kuqes sё errёt, tё veshjes sё Arenёs Kombёtare. Stadiumi i ri. “Je i madh miku im”, klith me vete, “i madh je, pёr Zotin”! Ky mendim mё vezullon nё ndёrgjegje. “U nisёm bashkё nё ato kohё tё turbullta, kur vendi ishte katrahurё dhe ja tani, tё shoh tek vendos skulptura plot dritё nёpёr sheshet mё tё bukura tё Europёs. Gjigand je! Tё paktёn ti ja dole”! Njё ngazёllim i çuditshёm mё tejshkon shpirtin. Ngazёllimi i triumfatorit i cili e realizon ёndёrrёn e tij. Shpejtoj hapin. “Mё falni, drejtimi pёr tek bar Juvenilja”?! Ma tregojnё. Gjendem tani tek pёrshkoj njё rrugё asfalti mes pishash, ku njё makinё e cila sapo kaloi, ka ngritur njё vorbull pluhuri rruge. Mё tutje bёjnё punime, hapin kanale. “Mё mirё tё kisha marrё taksi”, i them vetes. Mё vjen jo pak zor. Tё gjithё me makina, unё, veshur elegant, sapo kam dalё nga studjoja e televizionit nё kёmbё. Kur do tё rinovohesh mor arkaik i mjerё, qё nuk shkove mё tutje se mekanika ekologjike, i them vetes. Ah, harrova. Mendja ime punon pёr gjёra tё mёdha. Unё nuk realizohem dot me materje: makinё tё shtrenjtё, vilё me pishinё, elegancё kollarje, sekretare, varkё private, shkёlqim dhe raporte tinёzore. Unё realizohem me dije, kёrkime shpirti. Mё ka mbёrthyer njё babёzi pёr lexime, reflektime, hulumtime, sikur tё isha Sokrati vetё. Ç’ёshtё e vёrteta? Ku fshihet ajo? Po vyrtyti? Paguan gjithmonё ndjekja e sё vёrtetёs, apo, gёnjeshtra ёshtё e vetmja rrugё drejt realizimit tё objektivit?! Pse kёshtu e pse ashtu?! Brroçkulla?! Thuaj shyqyr qё fitoj mirё dhe i mbyll gojёn atyre qё komandojnё, se pёrndryshe, nga dritarja do tё flakёroheshin librat. Shtёpia mbahet me parà, jo me ёndёrra alkimike. Ishallah s mё shohin miqtё, se do tё mё vinte zor. Ç’mendoj kёshtu?! Isha veç dy hapa larg. Pёrse duhej tё paguaja taksinё pёr 100 metra.
I ngjitem rrugёs plot blerim. Eshtё hera e tretё. Tё jetё e fundit vallё?! Ndoshta, por shpresoj qё jo. Ёshtё rracё e fortё ai. Rracё guri, reziston. Njё stoik i vёrtetё. I mprehtё dhe i fortё. Nuk do tё jetё hera e fundit. Jam i sigurtё, sepse e di qё do tё shkojё gjatё. Kёtё herё jam mё pak i emocionuar. Ndryshe nga dalldia e parё, nga surpriza e bukur e dytё, sot, nuk e kam emocionin e herёve tё tjera. Edhe pse takimi me njё gjeni, ngjall pёrherё emocione tё forta. Kur i futem brenda ‘Kёshtjellёs’ shoh qё akoma nuk ka ardhur asnjeri. Dal jashtё. Tek tenda bojё kafe e tejshkuar nga dielli i shkurtit, aty ku u ulёm herёn tjetёr, pikas Loloçin. I afrohem, e pёrshёndes dhe ulem me çantёn e zezё nё dorё. Dukem si mё i shtёpisё kёtё herё. Loloçi mё duket çuditёrisht mё i plakur. I rreshkur dhe i heshtur, nga flokёt e bardha, lёkura i duket akoma mё e zeshkёt. Dredh cigaren e tij tё pёrhershme. Loloçi i ka sytё e mprehtё, veshur me njё vel trishtimi. Lёpin letrёn e cigares bёrё ulluk dhe flet ngadalё.
“Mё vjen keq qё ta bllokuan portalin”, them mes tjerash.
“Ç’t’i bёsh, e gjitha erdhi veç prej karikaturёs sё atij qё po bёn agresionin nё Ukrainё”!
“Morёn hak”!
“Po. Ma bёnё pёr inat”!
“E zgjidhe”?!
“Po”, pohoi Loloçi.
Heshtja sundon. Gjelbёrimi t’i gllabёron sytё. I ftohti mё krijon mornica nё trup. Afrohem dhe me zё tё ulёt, konfidencial, filloj t’i mёrmёris.
“Ajo qё bёri ai, ishte njё poshtёrsi burracaku”!
Mё shikon drejt nё sy. Me ato sytё e tij tejet tё mprehtё, tё errёt, tё kujdesshёm.
“Nuk bёhet. Ёshtё si njё goditje me thikё prapa shpine”, vazhdoi. “E din fare mirё ku e kam fjalёn”.
Loloçi shtrёngon buzёt e thata dhe i jep njё tё thithur energjike cigares duke picёrruar sytё.
“Ashtu ёshtё”, pohon.
“Tjetri ёshtё akademik. Pse pra, ti don ta tregosh ashtu? Pse? Pёr dy libra tё qelbur qё do tё shesёsh mё shumё. Pse? Se kuptoj”, pyes.
“Dёgjo”, vazhdoi, ёshtё shumё e hollё, dinake, por ёshtё e keqe. Ёshtё e lozur nё teh tё briskut”!
“S’ka ç’t’i bёjё! As nuk e njeh fare. As nuk ka ndёr mend ta njohi! As nuk i intereson ta njohi. Ai nuk merret me mediokrit”, ma kthen ai. “Ёshtё veç njё mediokёr qё s’vlen as dy grosh”!
“Habitem pёr besё me keqёsinё gratis kёtu. Tjetri njihet nё gjithё botёn. Pastaj s’e mora vesh, unё. E ka rregjistruar fshehurazi, me siguri. Ёshtё njёlloj sikur ti tё mё ftosh pёr darkё si mik dhe unё tё tё dhunoj sofrёn”!
“Ç’t’i bёsh! Kёshtu e kanё kёto punё”, Loloçi shkarkohet nё njё breshёri sharjesh, tё cilёt i mёrmёrit nёpёr dhёmbё sikur tё jenё kokrriza rёre gati pёr t’i pёshtyrё.
I afrohem prap dhe me zё tё ulёt, duke e parё drejt nё sy, vazhdoj. “Se kuptoj a ёshtё tinzarì apo naivitet! Sepse kur unё shkruaj i filtroj disi bёmat. Nuk shkruaj qesim. Sepse sinqeriteti i madh o ёshtё naivitet, o ёshtё keqёsi”.
“Keqёsi ёshtё. S’do mend ajo punё”!
“Ka bёrё, vazhdoj prapё, njё gjё fare tё padrejtё, pale, hiqet pastaj sikur po tё nderon. Tё grabit, duke tё lёnё pёrshtypjen se po tё ndihmon! Ёshtё njёlloj sikur tё tё vjedh nё shtёpi, tё marr shumicёn pёr vete dhe ditёn e nesёrme, tё tё jap kusurin duke tё thёnё: ja po tё bёj nder. Ta gjeta mallin e grabitur”?!”
Loloçi nuk flet.
“Hyjmё brenda. Bёn ftohtё kёtu”!
“Jo jo, unё do iki. Nuk do qёndroj”.
Tek flas, pikas njё makinё qё afrohet. Pёrtej avllisё, e shoh me kujdes. Ёshtё makina e zezё e editorit, e cila ndalet pranё hyrjes sё lokalit. Mjeshtri del jashtё me zor, si njё fokё e rёnduar nga mosha, me kёmbёt disi tё pasigurta, tё cilat i hedh shkujdesshёm. Afrohem. Ai ndalet tek dera e avllisё sё lokalit shik. Duke u prezantuar, i jap dorёn dhe buzёqesh. Ia shtrёngoj fort atё, sikur tё dua t’i komunikoj gjithё krenarinё, falenderimin dhe stimёn time pёr ç’i ka dhёnё vendit tonё. Shihemi nё sy. Unё me entuziazmin fuqiplot, ai me njё kuriozitet tё pёrmbajtur. Mё njeh? S’e di. Ёshtё nё njё moshё kjo e tij, kur njeriu kujton gjithçka, por edhe nuk kujton asgjё. Ёshtё njё moshё e cila mund ta kompromentojё disi kujtesёn e gjithkujt. Truri pas njё jete intensive, fillon dhe lodhet. Fosfori nё tru e humb pёrndritjen e tij rinore. I jap dorёn mikut qё mё ka ftuar. Pastaj e shoh mjeshtrin tek ngjit shkallёt, duke u mbajtur prej krahut nga botuesi Hudhri. Dua ta ndihmoj.
“S’ka problem, dёgjoj, por 87 vjet, janё 87. Matematika nuk ёshtё njё opinion”.
Ulemi nё tё njёjtёn skutё tё lokalit, nga ku janё shkrepur shumё foto tё publikuara nё facebook. Ёshtё njё cep i paqtё, prenotuar prej kohёsh pёr mjeshtrin. Vendi, nё çast, si me magji, merr vlerёn e çmuar tё historisё. Nuk e di a ёshtё sugjestjon i imi, apo me tёrё mend po e jetoj kёtё çast. Janё disa çaste, ku kondensohet e tёrё lavdia e njё njeriu. Jam i emocionuar. Ulem fare pranё tij. Pikas tё njёjtin vёshtrim tё mprehtё prej gjirokastriti, tё ftohtё dhe tё vёmendshёm. I ka flokёt e rёnё, fytyra ovale, linja e buzёve e cila ka njё shprehje mes mallёngjimit, heshtjes dhe njё lloj pёrçmimi tё rremё. Syzet ia rrisin hijen e intelektualit. Qёndron i mbёshtjellё nё njё vel misteri gati tё padepёrtueshёm. Tё kishim njё aparat ku si nё njё çip, gjenive t’ia shkarkonin memorjen e tyre tё tёrёn. Do t’i shёrbente brezave tё ardhshёm. Por jeta ёshtё njё mrekulli qё zhbёhet mbas njё rrugёtimi shumёvjeçar. Gjenitё e marrin me vete misterin e tyre krijues. Ofiçinёn e tyre shpikёse. Eshtё vёrtetё e çuditshme. Brenda atij truri pёr 65 vjet, janё krijuar botё paralele, fantastike tё cilat tashmё, janё pjesё e imagjinatёs tonё kolektive. Tani gjithçka duhet veç rrёmuar. Kam fatin ta kem pёr vete, me njё dialog intim, shpresoj tё mos jetё veç njё monolog entuziast, thjeshtё me vetveten. Kam aq shumё pyetje sa nuk di nga t’ia filloj. Emocioni shprehet me lёvizjet e mia disi tё pakontrolluara. Sikur tё isha djalosh, pranё njё vajze tё bukur dhe truri e humb kontrollin racional tё lёvizjeve.
Shtyva karrigen pa asnjё arsye, nuk dija ku tё ulesha, i ndёrrova vendin çantёs, u bёra gati tё hiqja xhupin, pastaj e braktisja vendimin.
“Si je”? e pyes mbasi ulemi.
Ai nё krye tё tavolinёs, unё nga e majta. Fare pranё.
“Si ёshtё zonja”?!
Pёrgjigjet me zёrin e tij disi tё mbytur. Truri fillon tё sugjestionohet. E kam menduar aq shumё njё takim kaq intim sa tani qё po ndodh vёrtet gati nuk arrij ta besoj. Nuk mё rreh zemra si herёn e parё. Pastaj heshtje. Njё heshtje e shkurtёr, armike pёr mua. Ndjehem i lumtur qё nuk ka tё ftuar tё tjerё, tё cilёt mund ta vjedhin skenёn duke llomotitur, apo duke iu drejtuar mjeshtrit me pyetje tё pafunda, jam vetem. Sot mund tё jem pёr dy orё, shoku i tij, miku, kolegu. Mund tё jem gjithcka. Tё kishte ndodhur 35 vjet mё parё do tё kish qenё evenimenti mё çudibёrёs i jetёs time.
“Arturi jeton nё Firence, ёshtё shkrimtar”, e fillon bisedёn Hudhri. “Ka botuar edhe njё roman me mua”!
“Tё gjithё i ke botuar ti, ia kthen mjeshtri, nuk ke lёnё asnjё pa botuar”!
Vjen kamerieri dhe porosisim kafe. Pёrreth, pikturat, ngjyra okёr qё mbizotёron mbi mobilje dhe mur, mbulesa e bardhё, heshtja, drita e fortё pёrtej xhamit, i jep atij vendi, njё atmosferё mё intime.
“Si shkon jeta, zoti Ismail? Mirё”?
Bёn po me kokё. Ndjeja krenari, emocion dhe njё tis mosbesimi, kur isha ulur pranё tij. Kadare ёshtё njё institucion pёr brezin tim, pёr mbarё shqiptarёt. Nuk ёshtё njё intelektual si tё tjerёt. Ai gjithmonё ka ditur ta bёjё diferencёn. Vetvetiu, tek bisedoja, mё fekste nё mendje njё mendim vetёtimё. Gjёrat po i besove me tёrё mёnd, ato ndodhin. Ja po ndodhte. Mes intelektualёsh. Ai, bashkё me z. Hudhri, herё mё dukeshin tё largёt sikur i shihja pёrtej njё ekrani nё televizion, herё mё dukeshin aq tё afёrt, miqёsorё dhe tё komunikueshёm, sa unё me to mund tё bisedoja edhe gjёra intime shokёsh tё ngushtё. Ky dyzim, si njё aberracion mendor, mё vetёtinte nё mendje.
“Kam lexuar mbi tre herё, i thoja, si Muzgun ashtu edhe Kronikёn. Janё nga ato libra, tё cilёt burojnё direkt nga thellёsia e shpirtit”!
Nuk u pёrgjigj, thjeshtё lёvizi kokёn duke buzёqeshur me njё kёnaqёsi prej njeriu tё gudulisur nё sedёr.
“E gjithё letёrsia ka vlerёn e vet”! ma ktheu.
“Kush janё 5 librat qё keni mё afёr vetvetes”?!
“S di ç tё them, ma ktheu, kam shkruar aq shumё!”
“Mё kujtohet, tek Ftesa, flisni pёr njё ёndёrr qё pёrsёritej. Dёshira e juaj e fshehtё tё riktheheshit nё Moskё. Keni ёndёrra pёrsёritёse? Pengje? Ç’vend zёnё ёndёrrat e fjetur, tek ju”?
“Jo unё kohёt e fundit nuk shoh ёndёrra”, ma kthen, fle mirё dhe gjatё. Nuk kam gjumё tё shqetёsuar”, thotё kёshtu dhe mbёshtjell buzёt mishtore, sikur tё donte tё pёrçmonte diçka, por ёshtё thjeshtё njё shprehje e mimikёs prej tё moshuari.
“Po lexoni ndonjё gjё, po shkruani”? shprehet me njё gjakftohtёsi prej hetuesi tё rregjur. Flokёt i ka tё rёnё, mjekrrёn dy ditore, dhёmbёt e çrregullt. Pak si i shuar mё duket, me pёrgjigjet e shkurtёra, disi tё zbehta. Si tё thёna me zor. Pa atё pasionin e dikurshёm.
“Mё rastis shpesh, tё shoh nё ёndёrr vendet e fёmijёrisё. Edhe pse mbaj mend fare pak nga vitet e para tё jetёs, ato vende janё kthyer pёr mua nё vende shpirti, gjendje shpirtёrore. Ndjej njё shkulm energjie nё formё emocionesh, si tё ishte njё tufё bletёsh, a brum yjesh plot substancё krijuese, e gatshme ta pёrdor nё magjen time krijuese. Ja sa mendoj ato vende, ja nis shpejt tё shkruaj me dashuri pёr ato vende fёmijёrore”!
“Interesante” thotё.
“Juve ju shfaqet akoma Gjirokastra”?!
“Jo”!
“Nga poetёt italianё, kё do tё veçonit?! Pёrveç Dantes dhe Virgjilit”?
“Italia s’ka shkrimtarё tё mёdhenj. Dante ёshtё mё i madhi”, thotё.
Pohoj me kokё.
“Ka, por jo tё nivelit tё Dantes. Veç ai i ka hyrё shpirtit aq thellё. Ka shkuar aq shumё nё thellёsi. Dante ёshtё i pafund. Sa mё shumё kёrkon, aq mё shumё gjen”.
Mjeshtri dёgjon me kujdes dhe pohon me kokё. “Ashtu ёshtё”, thotё.
“Dante, vazhdoj me njё ton zёri konfidencial, ka pasur njohuri edhe ezoterike tё çuditshme. Tё panjohura pёr kohёn e tij. Flitet se kishte njohuri sekrete. I fratelli d’amore. Shoqёri sekrete?! Ndoshta. Njihte yllёsitё me emra, njihte yllёsinё e Kryqit tё Jugut. Njё yllёsi e zbuluar nga astronomёt tre shekuj mё vonё. “Shiheni doktrinёn qё fshihet, poshtё vellos sё vargjeve tё çuditshme”, ka lёnё tё shkruar. Njihte numerologjinё e shenjtё. Udhёtimi i Dantes, è un rito iniziatico. Njё i ndriçuar spiritual. Nga Ferri, nёpёrmjet njohjes, ai kёrkon, hulumton, arrin perfeksionin e dritёs”.
Mjeshtri vazhdonte tё pohonte. “Por mbi tё gjitha, Komedia Hyjnore ёshtё njё vepёr letrare”.
Dita jashtё ёshtё me diell, por i ftohti nuk e depёrtonte xhamnajёn e godinёs. Kisha vёnё mbi tavolinё librat qё kisha blerё. Rooth, Folkner, Kadare, Nё dorё mbaja stilolapsin, dhuratё tё z. Hudhri. Pёr atё stilolaps kisha bёrё gjysmё ore rrugё pёr sё dyti, pёr ta rimarrё, aty ku e kisha harruar. Vlera e shtrenjtё e kujtimit. Nxorra librin “Aksidenti” dhe i kёrkova njё autograf.
“Jo jo mё tha. Nuk shkruaj gjё”, tha
“Eshtё i yti libri, e sqaroi editori, nuk ёshtё i Arturit”.
Mori stilolapsin dhe e firmosi. Pastaj i kёrkova njё selfie. “Tё lutem. Mundet?”
Ktheu kokёn nga botuesi Hudhri. E bёmё dhe ishte si nё ёndёrrёn qё kisha parё para shumё kohё mё parё. Njё ёndёrr pёrsёritёse, ku unё, fill nё momentin e shkrepjes, mё dilte rishtaz gjumi. Por tani ishim zgjuar dhe shkrepja u bё. E pabesueshme. Shkrepje me lokomotivёn e letёrsisё shqipe. Ra fjala pёr italianёt.
“Janё tё çuditshёm, ia ktheva, njё popull i madh. Kanё shpikur gjithçka. Popull lundruesish dhe shenjtorёsh, poetёsh dhe artistёsh, por nё tё njёjtёn kohё mё duken edhe aq sipёrfaqёsorё, provincialё dhe tё mbyllur. Nё Firence jetojnё me ç’kanё trashguat para 5 shekujsh dhe as nuk kanё ndёr mёnd tё ndryshojnё. Herё-herё, meskinё dhe tё vegjёl, tё shohin me mosbesim! Çdo tre fjalё, pёrsёrisin bello, bello, por kam frikё se nuk kёrkojnё mё nё thellёsi. Me Danten e hapin dhe me Danten e mbyllin gjithçka. Ja merr, Buzatin, Kalvinon, Moravian. Pёrveç Malapartes, por ai ishte gjerman. Janё tё mirё, por nuk janё tё mёdhenj. Nuk janё Dante. Nuk i kanё hyrё shpirtit me themel si Hygo, Balzak, Flober, Stendal. Willde apo Dostojevski. Edhe pse Shekspiri, tragjeditё e tij mё tё mira i mori nga Bandello italian. Gjёrat duhen thёnё drejtё”.
“Ashtu ёsht, pohonte Kadare, por Italia ёshtё e bukur”!
“Nё Itali, gjithçka ёshtё e bukur. Ke pёrshtypjen se po jeton nё njё vend qё nuk egziston vёrtetё. Si brenda njё pёrralle magjike! Ju e keni parё Firenzen nё vitin 1993 kur prezantuat “Prillin”.
Pёrgjithёsisht flisja veç unё. U ndeza. E dini, kur ndizet artisti nga brenda, pushtohet nga entuziazmi. Jo se thoja gjithcka tё mençur, por shprehesha dhe e shihja qё nuk po mёrziteshin.
“Arturi, Ismail, ka patur fatin tё njihte personalisht Mario Luzin. Poetin hermetik”!
“Po. Qe i vetmi qё jetoi gjatё nga brezi i tij. Ishte njeri i rrallё. Buronte nga ai njeri, njё humanitet pa fund. Sa rroi, nuk ndryshoi kurrё. Luzi ishte njё mik pёr mua nё Firence. Nё fakultet, ku kishte studjuar edhe Qemal Stafa, e ndjeja shumё vetminё letrare. Ju e keni ndjerё ndonjёherё vetminё njerёzore”?!
“Jo kёtu, ma ktheu, nё Paris po”.
“Artisti, thashё, ka nevojё pёr vetminё, pёr tё krijuar, por ajo vetmi, mundet edhe ta dёmtojё atё”.
Ai pohonte me kokё. “Vetminё mё tё madhe e kam ndjerё nё Paris edhe unё. Ishin Krishtlindjet e 96-tёs. Gjendesha nё Paris pёr disa muaj. Frekuentoja njё kurs mbi Borgesin nё Sorbonё tre. Njё shok nga Siena mё tha. Mos paguaj hotel pёr kёto dy javё. Unё do shkoj nё Siena. Pёrdor dhomёn time. Ishte njё Chambrё de Bonne. Njё pullaz, nё majё tё pallatit, pa ashensor. Nuk njihja kёrkёnd. Nё dhomё, as tv, as radio, heshtje totale. Dilja rrugёvedhe ndjehesha krejt si aljen. Rrija gjithё ditёn duke shkruar. Vetmia po ma vriste shpirtin pak nga pak. Si bisha, qё pasi i ka ngulur dhёmbёt nё grykё gjahut tё saj, pret qё tё vdesё, pak nga pak. Pёrdora shkrimin si terapi! Doli Journal Parisiene, ende i pabotuar”.
“E shikon pra, ma ktheu Kadare, qё vetmia mund tё tё dёmtojё”!
“Aty fillova tё vuaja. Ishte koha, kur bridhja lagjeve tё Quartier Latin, me shpresёn se mos ju gjeja nё ndonjё kafe duke u shlodhur, pirё kafe, apo duke shkruar. Asokohe s’kishte as internet, as informacion, nuk e dija ku dhe si mund t’iu gjeja. Se pata fatin t’iu takoja”.
Qeshi kursyeshёm duke ulur sytё, mbasi mё zhbiroi pёr njё çast poshtё syzeve.
“Jetoja nё Rue dy Vaugirarde. Pranё Senatit. Nё njё godinё qё quhej: Foyer de Protestante”.
E pashё tek tundi kokёn. “Shpesh, mё tha, bёja xhiro tё gjata brenda Kopshtit tё Luksemburgut”.
“Fati im i keq, shtova duke ngritur duart dhe duke rrudhur buzёt, “mё ishte mbyllur edhe truri. Mjaftonte tё shkoja nё ambasadёn shqiptare dhe mund ta gjeja adresёn tuaj. Nejse”!
“Pёr njё gjё mё vjen keq, vazhdova, qё nuk arrita tё kisha njё histori dashurie nё Paris. Dhe kur e kёrkon fort, nuk e gjen. Do tё mё kishte pёlqyer tё bёja takime me ndonjё parisine tek Fontane de San Michel”.
Nuk ma ushqeu bisedёn. Zoti Hudhri ishte krejt i pёrpirё nga telefoni i tij. Siç mund ta merrja me mend, po i kthente pёrgjigje atyre qё i shkruanin. Duhej studjuar si fenomen, raporti i telefonit me zotin Hudhri. Me siguri kishte raste kur i vinin edhe 20 mesazhe brenda pak minutave. Çmenduri. Tё gjithё duan tё bёhen ndoshta tё mёdhenj si Kadare. Tё jetё shtysa e çdo shkrimtari vallё?!
“Bujar mbarova Ana Kareninёn. Roman i madh”, shtova.
“Kadare thotё se s’ёshtё i madh”!
Kadare mohon me njё cingёrimё akute dhёmbёsh dhe buzёsh, krejt i kthjellёt. Ёshtё njё buzёqeshje tejet e zgjuar, e cila i ndriçon tiparet dhe bebet e syve. Ёshtё njё ncuk i fortё, shoqёruar me njё shprehje sfiduese nё fytyrё. “Nuk ёshtё i madh. Ёshtё i mёrzitshёm”.
“Pёr ty. Pёr mua ёshtё i madh”.
“Pse thoni kёshtu, sepse ka sharё veprёn e Shekspirit nё pleqёri”?! them unё.
“Kush nuk kupton Shekspirin, nuk ka kuptuar asgjё. Ai ёshtё mё i madhi”.
Ka tё drejtё, mendoj. Shekspiri ka dhёnё njeriun siç ёshtё. Me tё gjitha pasionet, ankthet, deliret, babёzinё e tij pёr pushtet dhe me tё gjithё vyrtytet e tij hyjnore. Ka dhёnё romantikёn dhe thellёsinё. Kurse Tolstoi… Tolstoi i gjykon gjёrat simbas optikёs fetare”.
“Ç’doni tё thoni”? mё pyet Kadare.
“Ai ishte kristian. I gjykonte gjёrat nga ajo pikpamje. Nuk ishte i lirё pra. Kishte njё botkuptim, njё pozicion filozofik tё konsoliduar kur shkruante”!
“Tolstoi s’ёshtё gjё”, vazhdon Kadare.
Editori dhe mjeshtri fillojnё dhe diskutojnё me pasjon mbi argumentin. Duket qartё qё e mendojnё krejt ndryshe mbi plakun rus.
“Takimin me Henri Bёl-in e kujtoni”?!
Ma mohoi me kokё. “Ka kaluar shumё kohё, mё pёshpёrit, kam bёrё aq shumё takime”!
Ndjej gёzim, krenari, dhe njё lloj ngurtёsimi nё bisedё. Njё ngurtёsim qё ma imponon figura karizmatike dhe e gjithёpushtetshme e mjeshtrit. Jam nёn sugjestjonimin e madhёshtisё sё tij. E kam adhuruar aq shumё, sa tani mё duket sikur po shoh ёndёrr. Njё ёndёrr tё bukur me sy hapur. Zoti Hudhri na ndjek me veshёt pipёz, por sytё i ka tek telefoni. Ka rrudhur vetullat, ballin dhe shkruan shpejt mbi objektin elektronik.
“As Hemiguej nuk ju pёlqen”?!
“S’ka gjё Heminguej. Veç librin e fundit. Ai qё i dha Nobelin. Ёshtё njё shkrimtar normal, veç se pati fatin tё ishte popullor. Dhe i dhanё edhe Nobelin. Nuk ka gjё Heminguej”!
“Heminguej thotё shprehem. Shkruaj thjeshtё dhe veç pёr gjёrat qё njeh. Fernanda Pivano, pёrkthyesja e tij italisht, ёshtё e mendimit se atij, kur shkruan, i ngjit aq shumё fjala kur e hedh mbi letёr, sa e skalit mirё, atё qё do tё shprehё”.
“S’ka ligje nё shkrim, ma pret Hudhri, mund ta shkruash si ta ndjesh.
Mjeshtri ka veshur njё pallto kafe tё errёt, njё shall tё kuqёrremtё, e ka hequr kapelen e zezё; i bёshёm dhe krejt i heshtur, i shikoj fytyrёn ovale prej 87 vjeçari. Rri ulur, pa lёvizur si njё shkёmb guri i skalitur, plot vitalitet. Duket si njё hero i mёndjes. Brenda trurit tё tij, aq botё kishin zhurmuar dikur, zhurmojnё akoma. Ndoshta jo me tё njёjtёn shpejtёsi marramendёse, ethe. Janё botё alternative. Tani duket sikur ofiçina ёshtё nё mbyllje e sipёr. Ose mё mirё, punon me orare tё reduktuara.
“Nuk lexoni asgjё”?!
“Pak. Gazeta, filma. Shoh dokumentarё”.
Pastaj plandoset heshtja armike. E doja diskutimin e gjallё, jo tё mbytur. Pa bujё. Si njё palinsest ku nuk arrihet tё shkruhet mё, sepse ёshtё tepёr i pёrdorur dhe i zbardhёllyer nga vitet.
“Na thuaj ndonjё gjё o Bujar, i kthehej shpesh editorit, mbete nё telefon”!
E bukura ёshtё se kur e lexon me kujdes njё shkrimtar, fillon dhe e adhuron vetvetiu. Bёhesh pjesё e jetёs sё tij. Pjesё e Kronikё nё gur, pjesё e Muzgut, e Gjeneralit, e Doruntinёs, e Prillit, e Koncerit, e Ftesё ne Studjo. Pjesё e Perbindёshit, e poezive tё tij, apo e romanit Kukulla, o Koha e Dashurisё. Mjeshtri dёgjonte pa mi hedhur sytё, por ishte akoma edhe mё i vёmёndёshёm nga ç mendoja unё. Do tё kisha dёshiruar qё ky diskutim mes krijuesish, tё ishte bёrё vite mё parё. Gjatё fillim viteve 80, kur mjeshtri ishte nё kulmin e vlugut artistik si shkrimtar. Doja tё kisha pranё njё shkrimtar mё tё gjallё, me njё gotё rakie pёrpara, pse jo, duke bёrё edhe nga njё batutё shoqёrore. Por edhe nё muzg tё jetёs, nuk ёshtё keq. Ndonjёherё mё duket si burri i cili, mbasi i ka rёnё botёs anё e mbanё nё kёmbё, tani, me gjithçka brenda vetes, rri ulur duke soditur me qetёsi dritёn. Nuk ka nevojё mё pёr asgjё. Din gjithka. Ka parё gjithka. Ka eksperimentuar gjithka. Ndaj edhe ca diskutime, mund t’i duken kotёsi pa kuptim. Ndaj, pёr kёtё arsye, ai bёhet edhe indiferent. Si gjeniu me kokёn plot, pёrpara njё tё panxёni, i cili kёrkon t’i thotё gjёra tё mençura.
Ta marrim nga njё gotё raki Bujar, e luta unё.
Jo Artur, nuk pij gjatё ditёs, tha ai.
“Krijimtaria, vazhdoj t’i them mjeshtrit, ёshtё gjёja mё sublime qё njeriu ka! Mund tё heqin tё gjitha, por s’ma heqin dot krijimtarinё! Dhe shkrimtari ёshtё superjor sepse, njё shkrimtar, po tё dojё, mund ta bёjё profesionin e kritikut. Ndёrsa njё kritik se bёn dot shkrimtarin”.
“Ashtu ёshtё, mё thotё, po flet me dikё, qё ka punuar sistematikisht gjithё jetёn e vet”, vazhdon duke buzёqeshur. Fytyra ovale i qesh kursyeshёm. Mosha bёn tё vetёn. I ftohtё por i edukuar, me lёvizje tё kursyera, kur e ndjen se duhet tё ndёrhyjё, ai nuk ja pёrton. Fisnik dhe disi enigmatik, mё dёgjon me vёmendje. E dёrgoj muhabetin tek letёrsia latino-amerikane. “Ёshtё interesante ç’po thua!” ma kthen.
“Latinoamerikanёt, mё kanё interesuar, sepse kam gjetur elementё tё pёrbashkёt, mes botёs primitive latinoamerikane, dhe botёs, muslimano-komuniste tё Shqipёrisё sё Mesme. Kam gjetur edhe elementin magjik tek tё dy. Mbёshtetur nё legjenda dhe pёrralla”.
“Ke tё drejtё”, ma ktheu.
Pastaj ra fjala pёr Renesancёn. Tregova tre anektoda pёr Mikelanxhelon dhe Danten. Pastaj prapё tregova se si e njoha Luzin, tё cilin Hudhri e çmonte shumё si poet. Tek mjeshtri nuk shihja ndonjё gjallёri kush e di çfarё, por aftёsinё intelektuale dhe gjykimet i kishte tё patundshme. Nuk e kuptova a donte tё sillej ashtu, apo ashtu ftohtё ishte sjellё pёrherё. Njё apati si prej princi tё lodhur nga mediokrit, po ja shihja nё veprime. Nuk po arrija ta zgjoja, ta ndizja, ta ngrohja si duhej nё çёshtje diskutimesh letrare.
Do tё kisha dёshirё tё diskutoja gjatё, shtruar, me detaje pёr fёmijrinё e tij nё Gjirokastёr, kohёn e Moskёs dhe udhёtimet nё Paris, detaje tё tё cilёve i kishte shprehur aq bukur nёpёr librat e tij letrar.
Mё nё fund, mbas gati dy orё bisede, ku nё tё shumtёn e kohёs isha unё qё mbaja ligjёratёn, u ngritёm dhe shkuam drejt makinёs e cila na priste jashtё Bar Juvenilia-s. Ishte njё ditё shkurti e ftohtё por e bukur. Pa erё dhe me diell. Me njё diell tё kursyer dimri, rrezet e tё cilit, fshiheshin mes gjethesh tё parkut tё Tiranёs. Ishte njё mbasdite kafenesh.
Firenze, 13. 2. 2023