Albspirit

Media/News/Publishing

RIFAT ISMAILI – NJË AUTOR PRESTIGJOZ NË LETËRSINË SHQIPE

 

Të gjendesh mes botës poetike të një poeti, është si të hysh në botën hyjnore. Aty sheh se si jeton shpirti i tij, se si ngrihen, këngëzojnë, rendin, fluturojnë dhe marrin frymë ëndërrat, dëshirat, dhe më pas kthehen në realitet përmes penës së tij. Aty gjen edhe hidhërimin si dhe zhgënjimin hyjnor që na vjen si një sprovë, duke mbajtur mbi shpirt gurin e Sizifit, e duke rënë, e duke u ngritur pa pra.

Krijimtaria e tij letrare është befasuese, pasi Rifat Ismaili nuk ka shkruar vetëm poezi, ai ka të botuar edhe prozë në gjini të ndryshme, romane, tregime për të rritur e për fëmijë, madje edhe përralla për botën e fëmijëve. Eseistika është një tjetër fushë ku ai ka botuar vëllime me tema që vërtiten rreth krijimtarisë letrare por jo vetëm. Një sprovë tjetër e tij është edhe kritika letrare ku ai ka bërë edhe recensione për libra të ndryshëm. Por ajo që më shumë i rri bukur penës së tij, është padyshim poezia. Në vargjet e Rifat Ismailit, ka një areal të temave që ai prek që nga ato liriket e deri në jetën e përditshme, që ne na rrethon e na jep aq shumë për ta shijuar jetën në të gjitha dimensionet. Emigrant që në vitet e para, edhe ai e ndjen se nuk bëhet aq shumë për krijuesit e viteve të demokracisë, ndaj ai shkruan për veten e tij duke mos dashur me vetëdije, të jetë pjesë e klaneve për “lavdi”. Asnjëherë xheloz, ai shkruan madje edhe pikturon, por në momente të caktuara që i ka cdo krijues në fushën e artit, i gris, madje vepra të tëra, por… ia nis përsëri e përsëri për të mos hequr dorë.

Trilli i artistit!

Për autorin Rifat Ismaili, një zë tashmë unik, flet krijimtaria e tij shumë e madhe por që është në vazhdim duke u shtuar dita-ditës. Ndaj edhe për këtë arsye, shumë media e kanë nëpër faqet e tyre, duke na dhënë mundësinë ta ndjekim me kënaqësi dhe kërshëri nëpër këtë krijimtari kaq të gjerë. Në letërsinë shqipe, Rifat Ismaili ka tashmë një vend të konsoliduar, duan apo nuk duan “kolosët” që e kanë bërë monopol letërsinë prej disa dekadash, nga frika se iu ikën “skeptri” duke harruar që, qielli është i madh dhe ka vend për të gjithë yjet.

Më poshtë janë disa poezi për kënaqësinë e lexuesit.

Suksese!

PROMOVIM LIBRI

 

BIOGRAFI-RIFAT ISMAILI

Poeti, prozatori dhe eseisti Rifat Ismaili, ka lindur me 24 mars 1968 në Durrës. Pas mbarimit të shkollës së mesme, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak prej dy vjetësh në Berat. Nga viti 1991 e deri më sot jeton në Itali, fillimisht në qytetin e Firences, ndërsa aktualisht në Savona. Që prej vitit 1986 ka filluar të shkruajë dhe botojë në gazetat dhe revistat e kohës. Njëkohësisht,është marrë dhe me përkthime.

Rifat Ismaili është autor i këtyre librave;

PROZË; – “Tregime”, Dea, Tiranë 1997; -“Një vend burrash” roman, “Amfioni @ Zeti” ,Tiranë 2002; -“Ëndrra e kalorësit” tregime për fëmijë, Botimet Meshari”, Prishtinë 2021 -“Ikja e dytë e Noes”, tregime e skica, Botimet Meshari, Prishtinë 2022 -“Po ku ishe tërë këto vite”?, tregime e skica Botjmet “Lena Grafik”, Prishtinë 2022 – “Kam pasur një vēlla, ndonjëherë”?- Botimet “Fast Print”, Tiranë 2022.

POEZI; -“S’jam gjithmonë Kolomb”, poezi, ese e perkthime “Dea” Tiranë 1998; -“Kështu të dua”, poezi, “Adonis” Durrës 2019 – “Asgjë s’ta prish bukurinë”, poezi “Adonis” Durrës 2019. – “Gjurmë dhe zhurmë”, poezi, Lena Grafik, Prishtinë 2022 – “Mirë se vjen dashuri”, Fast Print Tiranë 2022 – “Në çdo ishull kam nga një zemër”, Fast Print, Tiranë 2022, “Kërkoj të zbuloj një shkëlqim”, poezi, Fast Print, Tiranë 2023.

ESEISTIKË; -“Dilemat e lirisë njerëzore”, ese e shkrime “DDS” Durrës 2011; – Laboratori i fshehtë krijues – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022 -“Kurthet e letërsisë” – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022, “Mallkimi i shkrimit dhe shkrimtari i mallkuar” – ese, Fast Print Tiranë.

PËRKTHIME. Nga perkthimet e ketij autori permendim; -“Asnje kengē dashurie”, tregime nga Carls Bukovski; “Naim Frashëri” Tiranë 2002; – “Postieri i Nerudës”, roman nga Antonio Skarmeta “Ideart”, Tiranë 2003, si dhe perkthime të shumta nga poetë italianë të shekullit XX!

 

ZEMËR RRETHUAR

 

Ndjehem një litar i prerë

prej harresës.

Kjo jeta ime

nuk është më,

një sinfoni në harmoni.

Vetmitar humbas

në mjegullën dimërore,

e puth,

flokët e një gruaje,

që para meje rri.

Nën hapin tim rrëzohet

imazhi i saj,

si një piramidë.

Jam terri vetes sime.

Symbyllur

kërcej humbëtirash,

e duart zgjas

në një ëndërr të ndaluar. . .

Kështu gjithnjë do jem;

i përhumbur humbëtirash,

i burgosur në vetvete,

lidhur nga litarë shpresash. . .

* * * * *

PËR TY SHKOJ SHPESH

 

Shkoj shpesh

në vendin ku do shihemi.

“Do vij prapë”,

the ti dhe u zhduke.

Ditët u vyshkën,

në duart e mia

nga pritja e pafundme.

Binin shira,

ditari im i fshehtë

e humbi toruan.

Trenat mbetën

në muzgun gri.

Dora jote jashtë dritares

u këput si trëndafil.

* * * * *

PUTHJA

 

Kur i putha

duart e tua. . .

Nga humnera

brenda meje,

një lule u zgjua. . .

*****

MIRË SE VJEN, DASHURI

 

Mirë se vjen, dashuri,

në shpirtin tim papritur!

Unë do jem aq i pafajshëm

sa një shenjtor i ndritur.

Në zemër ty do të të mbaj,

si një diamant i fshehtë.

Që netëve zgjohet dhe më jep,

një përqafim të nxehtë.

Në gji do fsheh nxehtësinë,

me yje do rend nëpër natë.

Të ndezur ta mbaj dashurinë

në shpirt sa më gjatë…

Në sy bukurinë do mbyll,

t’a kem ndër ëndërrime.

Si kaprolle e dehur në pyll,

të rrahë kjo zemra ime!

*****

DUKE SHKRUAR PËR TY…

 

Duke shkruar për ty

brengë pezull në ajër,

nuk pres si një fëmijë

që ëndrra të ringjallet…

Duke shkruar për ty

vargje që kurrë s’do lexosh,

dhe pse këtë e di

të shkruaj për ty vazhdoj…

*****

Ç’të bëj? Këto vargjet

që hera herës shkruaj,

vijnë si dallgë deti

e s’më pyesin mua!…

Është shpirti im

lundron mes ajrit të jetës,

herë përshkon dritën,

herë zhytet në errësirë…

Në kërkim të së Vërtetës!

*****

SA KOHË

Qielli do të flasë për heshtjen

dhe deti do të ruajë në thellësi

zemrën tonë.

Sa ngjajnë fëmijët me Diellin?

Sa ngjan një ëndërr me Jetën?

Për sa kohë,

do na rrethojë Misteri,

dhe frika do tingëllojë

si flaut i kobshëm?

Çfarë do të bëjmë ne të dy,

sikur të humbim në errësirë

njëri- tjetrin?

Sa kohë

do të qajmë Vdekjen?

Në cilën natyrë ,do rilindim?

Në cilën mrekulli

ti do më puthësh?

Në cilën natë magjike,

plotësisht do më jepesh?

Sa kohë do jetojmë me veten?

Sa kohë do të jemi

banesë për të tjerët?

Sa kohë do të jemi

të vërtetë dhe të gënjeshtërt?

Sa kohë do ta duam jetën?

*****

PRANVERË

Ka filluar në kopësht ndërrimi i gjetheve

Me erën pemët përkunden lehtë.

Një varg për diellin hedh në letër

Si i paralizuari që ngrihet prapë të ecë…

Ndërron papritmas dhe jeta ime

Sytë më ndryshojnë ngjyrë në heshtje.

Qindra zemra të arta më dridhen në mendje

Jehonat e këngëve më marrin me vete.

Në kaltërsi si retë shfaqen patat

Ringjallet Iliada dhe Homeri i lashtë

Pranvera tokën puthit me horizontin

Nga dashuria trupi i ditës merr zjarr…

Please follow and like us: