SHBA, brezi i mijëvjeçarit dhe zgjedhjet
Mbeten vetëm katër muaj për zgjedhjet amerikane presidenciale dhe një grupi votuesish po i kushtohet më shumë vëmendje këto ditë. Ai është brezi i mijëvjeçarit, votuesit e moshave 18 deri në 35 vjeç. Disa analistë thonë se ky brez mund të ketë fuqinë për të vendosur rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës. Por, siç njofton korespondentja e Zërit të Amerikës Alexa Lamanna, kjo varet nga fakti nësa ata do të marrin pjesë në votime:
Shumë pak veta mund ta imagjinonin mbështetjen e gjallë që votuesit e rinj i dhanë senatorit nga Vermonti Bernie Sanders. Por ky sezon zgjedhjesh angazhoi një përqindje të lartë të brezit të mijëvjeçarit, sikundër fushata e presidentit Barack Obama më 2008.
Jake Stevens thotë se ai e dinte se do të mbështeste Sandersin që kur dëgjoi senatorin të mbante fjalim:
“Bernie vuri kandidaturën dhe unë mendova ‘wow,’ ja një politikan i cili beson ato që besoj dhe unë.”
Por me Sanders-in jashtë garës presidenciale, shumë mbështetës të tij thonë se kanë mbetur me dy alternativa jo dhe aq të mira:
“Asnjë nga ata nuk mendoj se është alternativë e mirë, por duhet zgjedhur njëri.”
Është një zgjedhje e vështirë për brezin e mijëvjeçarit, të cilët nuk marrin pjesë me shumicë në votime. Por zgjedhjet e këtij viti mund të kenë pasoja të rëndësishme për të rinjtë. Profesorja e shkencave politike Beatriz Cuartas beson se të rinjtë e kuptojnë këtë:
“E di se ata janë të besueshëm dhe se do të veprojnë si duhet për vendin e tyre, sepse çfarëdo që të ndodhë tani, kjo do të jetë e ardhmja e tyre.”
Për disa votues të rinj, këtë vit do të thotë të zgjedhësh të keqen më të vogël:
“Duke patur parasysh të dy kandidatët, padyshim se do të jetë një zgjedhje shumë e rëndësishme. Secili ka një mesazh shumë të ndryshëm, dhe ne do të jemi ata që jeta e të cilëve do të ndikohet nga vendimet e marra tani.”
Meqë brezi i mijëvjeçarit është gati i të njëjtit numër me të ashtuquajturit “Baby Boomers,” gjenerata e lindur mes viteve 1946 dhe 1964, profesorja Cuartas thotë se të rinjtë mund të vendosin rezultatin e zgjedhjeve në nëntor:
“Kemi nevojë që të rinjtë të angazhohen në masë, kemi nevojë të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë.”
Gara për Shtëpinë e Bardhë po intensifikohet dhe brezi i mijëvjeçarit tani ka fuqinë të zgjedhë njeriun që do të jetojë aty për katër vjetët e ardhshëm. Pyetja kryesore është nëse ata do të marrin pjesë ditën e votimeve, dhe përgjigjen do ta mësojmë në nëntor.