Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Mbi heqjen e liçensës së televizionit Klan-Kosovë

Nuk jam i sigurtë nëse heqja e liçensës së televizionit Klan-Kosovë është veprimi i duhur. Më duket se procesi meriton më shumë kohë dhe hetim.
Nuk e njoh shumë cilësinë dhe profesionalizmin e këtij televizioni, por të dhënat për skandalin në detajet e pronësisë së Klan-Kosovës, i ndava pak ditë më parë, për lexuesit këtu në Facebook.
Është vështirë të ta rrokë mendja se pse një shqiptar i Kosovës bëhet pronar i një televizioni të madh në vend dhe e regjistron si biznes jo në Kosovë, por në Maqedoni. Jo me pasaportën e tij shqiptare, por me një pasaportë serbe, të lëshuar në Serbi. I gjithë procesi i shitblerjeve në vite të pronës së këtij televizioni mbështillet nga një mjegull e dyshimtë.
Kjo është një punë që qelbet erë. Besueshmëria e Klan-Kosovës pas këtyre zbulimeve është duke u rrënuar. Mirëpo, heqja e liçensës vetëm sa do t’i japë statusin e viktimës. Do ta ndihmojë të mbështillet me kauzën e lirisë së fjalës. Pezullimi rrezikon të dëmtojë shumë më tepër qeverinë sesa çfarëdo lajmi e propagande që do të emetonin studiot e tij.
Argumenti më i fortë i Kosovës në përplasjen e fundit me Serbinë ka qenë kredencialet e saj të pastra demokratike. Akti i heqjes së çertifikatës së biznesit, Klan-Kosovës rrezikon të njollosë pa nevojë rekordin e deritanishëm të qeverisë.
Mund të ketë të dhëna të tjera që nuk i di, por kam përshtypjen se është më mirë që Klan-Kosova të lihet që të vazhdojë punën për të parë se si do të përpëlitet për të justifikuar çfarë është zbuluar dhe për të rifituar besimin e humbur të publikut.
Ndërkohë, qeveria duhet të hartojë ligje që pengojnë situata të tilla në të ardhmen dhe nxitsin rritjen e transparencës së bizneseve dhe medias kryesore të vendit.
Please follow and like us: