Dr. Vlora Obertinca: Mbi paqen dhe qetësinë shpirtërore
“Kur ambiciet i tejkalojnë mundësitë harxhohet paqja, qetësia dhe lumturia e njeriut”, Dr. Vlora Obertinca.
Një jetë të tërë kalon njeriu duke u munduar me anë të paqes dhe qetësisë të realizojë ëndërrat e veta për të krijuar një jetë sa më të mirë në çdo aspekt.
Dhe një ditë kur arrihet kulminacioni i përmbushjes së dëshirave dhe planeve jetike, e vëren se qetësia dhe paqja e brendshme ka ikur. Tanimë nuk e përmbush as nuk i jep qetësi të brendshme pothuajse asgjë dhe në heshtje mundohet secili, në mënyrën e vet, ta gjejë shtegdaljen për të rigjetur gjënë më të vlefshme që i ka humbur – paqja dhe qetësia shpirtërore.
Kjo vjen sepse po jetojmë në shekullin e revolucionit teknologjik që ka përshpejtuar çdo gjë duke e detyruar njeriun të kyçet në një dinamizëm të çmendur të ritmit ditor. Asnjëri nuk ka manual për të udhëzuar tjetrin se si ta ngadalësojë bioritmin ditor. Si pasojë e tërë kësaj në fund të ditës paqja e kërkuar prehet përkohësisht në alkohol, dashuri false e deri te varësitë e rënda të natyrave fatale.
Kur njeriu është në paqe me veten lind dëshira që atë paqe ta ndajë me të tjerët që e kërkojnë e nuk e gjejnë.
Të dashurit e mi, mos u mbyllni në vete sepse, duke u mbyllur ju e fundosni gjeniun brenda jush që pret të ngrihet sërish nē këmbë.
Askush nuk është perfekt, andaj mos u krahasoni me askënd sepse secili i ka brengat e ngjajshme, por të heshtura. Kërkoni shoqëri me ata njerëz që mendoni se kanë paqe dhe energji pozitive.
Kjo sepse duke ndejtur me njerëz në frekuenca më të larta energjetike, ju ngrenë ngadalë edhe ju në këto frekuenca pozitive dhe kështu duke bashkëbiseduar me këta njerëz mendjendritur gjindet edhe zgjidhja më e mirë për secilin nga ju.
Thënë thjeshtë shpirti e shëron shpirtin!