Një ekspozitë dhe historia e piktorit 94 vjeçar Lekë Tasi
Piktori 94-vjeçar Lekë Tasi e ka titulluar ekspozitën e tij “Përsëri n’Shkodër” dhe ka sjellë një pjesë të punimeve të tij në pikturë, frymëzuar nga rrymat e artit të shekullit XX. Ekspozita është vizituar edhe nga një numër i madh të rinjsh, artistësh e shkrimtarësh të qytetit të Shkodrës.
Galeria “Oda” organizoi edhe një takim mes piktorit dhe një grupi të rinjsh shkodranë. Nxënës të shkollave të mesme, si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës kanë pasur kureshtje për të folur me artistin lidhur me krijimtarinë artistike, vështirësitë dhe muzat frymëzuese.
Lekë Tasi i përket piktorëve bashkëkohës modernë shqiptarë të pas viteve ‘90 në Shqipëri. Ai edhe pse e nisi jetën si muzikant (violinçelist), kishte pasion pikturën duke realizuar kryesisht peizazhe (vizatime dhe akuarele). Pas viteve 1990, Tasi ju kushtua plotësisht pikturës dhe realizoi kompozime të ndryshme me temë nga qyteti dhe jeta urbane e Tiranës, ku ndjehet fuqishëm një sens ironie dhe sarkazme. Punimet e tij të para ishin realiste, por pas viteve ’70 të shekullit XX, ai ndikohet nga ekspresionizmi dhe nga mjeshtrit botërorë modernë dhe postmodernë. Në punimet e pas viteve ’90 artisti Tasi preferoi kompozime shumëfigurëshe, që paraqiten gjithmonë në lëvizje dhe brenda tyre ndjehen dhe elementë të dadaizmit. Tek punimet e tij ndjehet prirja për t’i vizatuar figurat sipas imagjinatës së tij, të cilat përshkohen nga transparenca koloristike edhe pse të realizuara me ngjyra vaji.
Lekë Tasi lindi në Athinë. I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit shqiptar dhe i qeverisë së atyre viteve, kishte emigruar në Greqi në fund të vitit 1924, si opozitar i Zogut. Ai u riatdhesua më 1941. Leka, studioi muzikë (violinçel) dhe në periudhën l946-l967 punësohet në orkestrën e Radio Tiranës, më vonë në Filarmoninë e Shtetit dhe në Teatrin e Operas.
Me vendosjen e demokracisë në Shqipëri, më 1991 emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë në Këshillin e Ministrave, ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë ku merret me pikturë dhe letërsi. ndërsa flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Lekë Tasi pas viteve 1990 ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive si mund të kujtojmë; Ekspozita Ndërkombëtare “Onufri 2001”, “Onufri 2004”, Qëndra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, etj. Si dhe ka çelur disa ekspozita vetjake; “Mbikalim”, 2012-Galeria ZETA, Tiranë dhe “Satirë në sheshin Skënderbej”, 2015-Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004. Lekë Tasi që në moshën 25 vjeçare ekspozoi në ekspozitën kombëtare me rastin e 10 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, si dhe në disa ekspozita të tjera në vitet 1954, 1955, 1974. Në vitin 1974 filloi të realizojë punimet e tij në teknikën e ngjyrave të vajit, teknikë që ai e preferon të punojë në vazhdimësi edhe aktualisht. Pikturat e tij kanë dritë dhe janë optimiste, edhe pse kanë sens ironik dhe trajtojnë temat sociale & politike. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen tre punime të artistit të viteve 1958 -2003. Tabloja me titull “Shtëpi në një rrugë të Tiranës”, akuareli i përket vitit 1958 dhe është nga punimet e para realiste të artistit.
Kritikët e artit e vlerësojnë mjaft krijimtarinë e Lekë Tasit. Ata thonë se vizatimet e Lekë Tasit ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemeve dhe epshores. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton dhe tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën.
Me dinamikën e krijimtarisë që lidh epokat me njëra- tjetrën, piktori i përndjekur i viteve të para 90- ës dhe triumfues në vitet e demokracisë sjell imazhe interesante për artëdashësit, të cilat përcjellin sa mesazhe aq edhe ndjenja, duke përbërë një shembull interesant edhe për brezat e rinj krijues.
Neritana Kraja