Neviana Shehi: ARDHJA BIBLIKE
Ajo ecën në mbretërinë e mendimeve të saj
me një hark të ëmbël buzëqeshje dhe dy sy
që të hutojnë.
E veshur me mbrëmje dhe çudinë që të ngjall
prania e rrallë e një gruaje.
Trup i bukur
sy të shkruar
Afroditë dhe Venerë
një grua si ajo zbret në tokë
për të sunduar botën si zanafillë
dhe si vijim.
Mbrapa saj pason një heshtje
pemët
lulet
psherëtijnë.
Një qytet që harron veten
mund të mbetet dhe pa frymë
edhe lumi që pak më parë
shushurinte indiferent
tashmë e ndjen se e ka për mburrje
të përkulet para saj.
Hark i ëmbël buzëqeshje
zemër zjarri që prushon
qiejt i kthen në harqe guri
dhe çdo varkë e shndërron në mjellmë.
Këtu rrallë ndodhin mrekulli
dhe patjetër ky është faj
ndoshta kur po e çonin në Golgotë
Krishti ka menduar
edhe për ardhjen tënde të mëvonshme.
Jo më kot gjithë rruga dridhet
dhe askush sytë s’t’i heq.
Verbimi dhe drita kanë dalë nga një bërthamë
grua me trup prej harku
dhe zemër që udhëton.
Nesër që të gjithë
prej teje do të ndihen sikur s’janë
gjithë shtëpitë
kat më kat
do të mbushen
me mallin tënd.
Prapa teje vjen dhe ai
mëkatar
shenjt
dhe mëkat…