Blinken në rrugën e Kissinger për dialogun Kinë – SHBA? A do të kemi një takim Joe Biden – Xi Jinping?
Nga Artur Nura
Në shkrimin e mëparshëm sollëm në vëmendje të lexuesit historinë e suksesshme të ish sekretarit të departamentit të shtetit USA, Henry Kissinger i cili rezulton i vet ofruar ndaj administratës amerikane për të kontribuar në dialogun Kinë – SHBA dhe Rusi – Ukrainë, më të rëndësishmit në arenën globale.
Sigurisht në vëmendjen historike globale të karrierës së pasur të Kissinger kur ishte në detyrë, shembulli më i spikatur vjen nga përvoja e vetë ish-sekretarit të shtetit gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, i cili gjithashtu hyri në histori për hapjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Popullore të Kinës me një nga misionet e saj më të rëndësishme kundrejt një kundërshtari strategjik.
Opinioni botëror dhe analistët në përgjithësi, duke ju referuar kësaj periudhe historike i dhanë një hapësirë të rëndësishme mediatike globale vetofrimit të Henry Kissinger për të negociuar me Rusinë dhe Kinën për shmangien e përplasjeve luftarake dhe forcimit të dialogut.
Duket se një zhvillim i tillë mediatik i rëndësishëm ka trokitur në “dyert e duhura” të administratës amerikane e cila nuk kish pse të mbështetej te kontributi dhe autoriteti i Henry Kissinger, por te sekretari i departamentit të shtetit në detyrë, Antony Bliken, i cili tashmë duket se po përsërit strategji të ngjashme me të Kissinger kundrejt dialogut dhe jo përplasjes me Kinën.
Blinkeni në një konferencë shtypi pas takimit me presidentin kinez Xi Jinping, 19 qershor 2023, Pekin(Foto:VCG)
Vizita e fundit e Antony Blinken në Pekin është cilësuar, nga opinion-bërja, si nga më të suksesshmet e kësaj periudhe e cila është qartazi shumë komplekse. Për më tepër, kjo vizitë është konsideruar e tillë si nga Pekini zyrtar, po ashtu Uashingtoni zyrtar, mediat Kineze dhe amerikane, por duket edhe ato Europiane.
Si u vlerësua dhe interpretua vizita e Blinken në Kinë?
Sipas burimeve zyrtare Kineze, kreu i diplomacisë kineze theksoi në takimin me Blinken se marrëdhëniet kino-amerikane janë në pikën më të ulët që prej vendosjes së tyre, çka nuk u shërben interesave themelorë të të dy popujvë dhë nuk përmbush pritshmëritë ë bashkësisë ndërkombëtarë.
Politika ë Kinës ndaj ShBA-së mbetet ë qëndrueshme dhe drejtohet nga parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Këto parime duhet të ruhen bashkërisht dhe të përbëjnë vijën e kuqe që duhet të mbrohet bashkërisht dhe objektivin që duhet të ndiqet nga të dy palët, ka deklaruar këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang në takimin me Sekretarin Antony Bliken.
Qin Gang ka shtuar që Kina është e përkushtuar për të pasur marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme dhe konstruktive me ShBA-në dhe shpreson se pala amerikane do të ketë një perceptim objektiv dhe të arsyeshëm ndaj Kinës, do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, do të ruajë themelet politike të marrëdhënieve kino-amerikane dhe do t’i trajtojë ngjarjet e papritura e sporadike në një mënyrë të qetë, profesionale dhe arsyeshme.
Qartazi gjuhë diplomatike kjo që demonstron vullnet politik dialogu dhe kompromisesh të mëdha politike me SHBA, ndërsa duhet shtuar se të dyja vendet, sipas burimeve zyrtare Kineze kanë pranuar gjithashtu të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe Blinken-i e ka ftuar Qin Gang-un të vizitojë ShBA-në dhe, kryediplomati kinez ka shprehur gatishmërinë për ta bërë vizitën në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Xi Jinping-u takohet me Antony Blinken
Presidenti kinez Xi Jinping takohet me Antoni Blinkenin, 19 qershor 2023,Pekin(Foto:Xinhua)
Sipas njoftimeve zyrtare nga Pekini, Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe mediat zyrtare e karakterizojnë takimin të shoqëruar nga një dialog I ngrohtë.
“Sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken, nga ana e tij, i përcolli presidentit Xi Jinping përshëndetjet e presidentit Joe Biden. Ai tha që presidenti Biden beson se ShBA-ja e Kina kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për trajtimin si duhet të marrëdhënieve dypalëshe, çka përputhet me interesat e ShBA-së e të Kinës, dhe madje të mbarë botës. Pala amerikane është e përkushtuar për kthimin në agjendën e përcaktuar në takimin ndërmjet dy udhëheqësve në ishullin Bali të Indonezisë. ShBA-ja respekton premtimin e bërë nga presidenti Biden, d.m.th. nuk kërkon “Luftë të Ftohtë të re”, ndryshimin e sistemit të Kinës dhe kundërvënien ndaj Kinës ndërmjet forcimit të aleancave, nuk përkrah “pavarësinë e Tajvanit” dhe nuk synon konflikt me Kinën. Po ashtu, pala amerikane shpreson të zhvillojë kontaktet e nivelit të lartë me Kinën, të ruajë shkëmbimet e lirshme, të kontrollojë mosmarrëveshjet në mënyrë të përgjegjshme dhe të synojë dialogun, shkëmbimet e bashkëpunimin.” – shkruan Radio e Jashtme e Kinës.
Pra palët padyshim kanë qëndrime të ndryshme në shumë çështje të rëndësishme globale, por dialogu padyshim që favorizon zgjedhje diplomatike dhe jo përplasje ushtarake. Rruga e filluar me këtë vizitë të Sekretarit të Departamentit të Shtetit USA në Kinë tregon që Uashingtoni ka strategji dialogu në veprim dhe se Kina e mirëpret atë.
Si vlerësua vizita e Blinken në Pekin në USA?
CNBC, një nga mediat autoritare në anglisht shkruan se Presidenti i SHBA Joe Biden tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken “bëri një punë të vështirë” në Pekin. Komentet e Biden erdhën pas misionit diplomatik të profilit të lartë të Blinken në Kinë që synonte të qetësonte lidhjet e tensionuara me Pekinin.
“Ne jemi në rrugën e duhur këtu,” citon CNBC presidentin Biden duke shtuar se në një takim të papritur, Blinken takoi presidentin kinez Xi Jinping për 35-minuta në fund të vizitës së tij dy-ditore. Blinken është zyrtari më i lartë amerikan që viziton Kinën në gati pesë vjet, kujton CNBC.
Blinkeni takohet me kryediplomatin kinez Qin Gang, 18 qershor 2023, Pekin(Foto:VCG)
Sipas CNBC, i pyetur nëse ndjente se ishte bërë përparim në takimin Blinken-Xi, presidenti i SHBA u përgjigj: “Nuk duhet ta pyesni këtë. Ju mund të pyesni se sa përparim është bërë.” Shprehje që tregon entuziazëm të vetë kontrolluar presidencial.
CNBC në shkrimin e saj pëlqen të nënvijëzojë se Biden nuk ishte i vetmi që ka parë përparim në këto bisedime të Bliken në Kinë dhe thekson se të dyja palët kanë rënë dakord të ndjekin mirëkuptimin e përbashkët.
Të dyja palët “bënë përparim dhe arritën marrëveshje për disa çështje specifike” – citohet presidenti Biden nga CNBC duke theksuar se nuk janë dhënë detaje, por duke e përfunduar shkrimin me shprehjen e Biden: “Kjo është gjë shumë e mirë.”
A do të takohet Presidenti Xi Jinping me Presidentin Joe Biden?
Ndërsa mediat zyrtare Kineze nënvijëzojnë se presidenti Xi Jinping-u iu lut sekretarit Blinken-it t’i transmetojë përshëndetjet e tij presidentit Biden, mediat amerikane edhe europiane nënvijëzojnë faktin se takimi i Blinken mund të hapë rrugën që Biden të takohet me Xi në nëntor.
Sipas Departamentit te Shtetit “Të dyja palët ranë dakord për angazhimet e tjera të larta në Uashington dhe Pekin për të vazhduar linjat e hapura të komunikimit,”. Ndërkohë theksohet se nuk është njoftuar asnjë datë, por që ata kanë rënë dakord të mbajnë ndërveprime të nivelit të lartë.
Qartazi që shpresat janë që një takim I tillë të realizohet sepse do të garantonte shtytjen globale drejt dialogut dhe jo konfrontimit. Një takim I tillë padyshim do shtynte edhe Rusinë dhe Ukraninën drejt dialogut dhe mundësisë së ndalimit të përplasjes ushtarake.
Tashmë duhet thënë se sekretari i departamentit të shtetit Antony Blinken po ndjek rrugën e Henry Kissinger dhe e gjithë bota është me “sy e veshë” se kur do të ndodhë ky takimi Xi Jinping me Joe Biden i cili me gjasa do të qetësojë shumë botën mbarë në këto periudha të vështira. /CRI.CN