Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Lermë të të vështroj…

 

Lermë të të vështroj…

e të kuptoj kryefjalën e mendimit,

sa të vështirë aq edhe të lehtë,

të freskët…

përzier me flladin e fushës,

ku luaj me hapa fëmije,

e ti,

më ndjek duke më zënë,

pa më thënë se… të zura…

 

E di,

më zure në çarkun e dashurisë,

pa më vrarë,

pa më lënduar.

 

Nuk të bëj me faj,

por të them,

se të dua kur më zure,

se të doja,

kur ende nuk ishe me mua.

 

Më kishe prekur fijen e mendimit kur u takuam,

e faji….

nuk duket kund…

 

Jashtë dritares,

një zogth i vogël ende pret.

E shoh tek çukit pa vështruar nga unë.

E ndjek me sy…

Dua të më kuptojë…

Çukitja e tij nuk e trazon mendimin tim.

 

Udhëtojmë në këtë jetë,

pa e njohur stacionin e fundit,

atje ku na pret ajo,

e panjohura,

mbuluar me tis misteri,

atje ku gjendet fjalë dhe kryefjalë,

ku shkruhet ajo që ende nuk e kemi lexuar.

 

Të flas dhe më kupton.

Të kuptosh pa folur,

do të thotë se njeh brenda botës

ku shpirti flet me kodin e tij,

i cili hap dyer ku gjendet ajo,

e shumëpritura,

veshur me petale lulesh shumëngjyrëshe.

 

Brenda tyre të kam gjetur,

e të dy flasim pa folur,

për atë çka ndjejmë me përmallim,

ditëve dhe netëve pambarim…

25 qershor 2023.

Please follow and like us: