Albspirit

Media/News/Publishing

Vuçiç, shuplakë BE-së: Alternativa e Serbisë jo BE, por BRICS

Shaban Murati

 

Në kohën që diplomacisë europiane dhe atlantike nuk  po i del ende opiumi i iluzioneve se, duke brohoritur si tifozë stadiumi për Serbinë, do ta shkëpusin atë nga Rusia, presidenti serb Vuçiç i dha një shuplakë direkte BE-së me shpalljen e një alternative të re për Serbinë.

Në datën 18 qershor 2023, në një fjalim drejtuar kombit, presidenti Vuçiç shpalosi alternativën e re të befasishme strategjike të Serbisë për t’iu bashkuar BRICS-it  dhe jo BE.

(BRICS, organizata ekonomiko-politike e themeluar dhe e drejtuar nga Rusia dhe Kina, ku bëjnë pjes; Rusia, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut), po përpiqet të bëhet pol botëror fuqie si kundërvënie dhe rivale e BE dhe e Perëndimit).

Presidenti Vuçiç për herë të parë ia paraqiti popullit serb alternativën e re të anëtarësimit të Serbisë në BRICS dhe jo në BE: “Serbisë mund t’i duhet të zgjedhë midis BE dhe BRICS-it. Midis BE dhe BRICS-it është çeshtje e së ardhmes, me të cilën duhet të përballet ky vend”.

Është hera e parë që presidenti i Serbisë paraqet publikisht dhe në një fjalim drejtuar kombit serb alternativën e re strategjike të hyrjes së Serbisë në BRICS dhe jo në BE.

Ky qendrim zyrtar i presidentit serb vjen pas një programimi dhe konsultimi të gjatë brenda institucioneve serbe të politikës së jashtëme dhe del si vendimmarrje strategjike e qeverisë dhe e shtetit serb për të punuar mbi zbatimin e alternativës së anëtarësimit në BRICS.

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministër i punëve të jashtëme të Serbisë, në faqen zyrtare të MPJ të Serbisë e deklaroi qysh në 30 dhjetor 2022 se “bashkëpunimi i Serbisë me BRICS është një çeshtje strategjike e politikës sonë të jashtëme”.

Tani kjo platformë strategjike konkretizohet nga presidenti i Serbisë Vuçiç me orientimin strategjik të anëtarësimit të Serbisë në BRICS dhe jo në BE.

Kemi një kthesë interesante nga presidenti i Serbisë kundër alternativës europiane dhe në favor të alternativës ruso-kineze të BRICS-it. Kjo është nga ato lloj kthesash të forta qeveritare, që në diplomaci shkaktojnë shock diplomatik, dhe e tillë mendoj se duhet konsideruar nga diplomacia e BE.

Gjithë presidentët e Serbisë, që nga Boris Tadiç e deri te Aleksandër Vuçiç, kanë shpallur Rusinë dhe Kinën si dy nga shtyllat strategjike të politikës së jashtëme të Serbisë, përveç BE. Tani është hera e parë që presidenti i Serbisë shpall anëtarësimin e vendit në organizatën ruso-kineze të BRICS-it dhe braktisjen e anëtarësimit në BE.

Aleanca e Serbisë me Rusinë është realitet i kryer, por tani presidenti serb del me rrugën ruso-kineze të strategjisë serbe të politikës së jashtëme.

Nuk e zgjodhi rastësisht Vuçiçi shpalljen tani të alternativën serbe të BRICS-it në vend të BE. Së pari, për të qetësuar aleatin e tij kryesore strategjik, Rusinë, se Serbia nuk largohet nga Moska, e cila është shqetësuar disi javët e fundt nga përkrahja e pakufishme, që BE po i jep presidentit serb për tensionet serbe në Veriun e Kosovës.

Së dyti, e bën për t’i bërë të qartë BE mesazhin që të mos mbajë shpresa të rreme se Serbia do të shkëputet nga Rusia. Serbia jo vetëm nuk do të shkëputet nga Rusia, por edhe nuk don të hyjë në BE, por don të hyjë në BRICS si aleate e ngushtë e Rusisë në Ballkan.

Presidenti serb i paraqiti popullit serb argumentat e tij për alternativën e re të Serbisë për anëtarësimin  në BRICS. Së pari, sipas Vuçiçit “BE nuk na don anëtar dhe BE është bërë instrument për fshirjen e identitetit dhe të sovranitetit”.

Së dyti, sipas Vuçiçit  “Do të ketë ndryshime dramatike në botë dhe gjithnjë e më shumë vende duan të bashkohen me BRICS-in. BRICS është e ardhmja”.

Së treti, sipas Vuçiçit ”shumë vende duan të dalin nga dominimi perëndimor”. Pra të dalin edhe nga dominimi i BE.

Përveç këtyre, mediat qeveritare serbe, duke i bërë jehonë alternativës së re të presidentit, kanë shpërndarë dhe tezën se “vendet e BRICS-it nuk e njohin asnjeri Kosovën, kurse vendet perëndimore të G-7 e njohin të gjithë Kosovën”.

Sikundër shihet, kemi një platformë të përpunuar strategjike antieuropiane dhe antiperëndimore nga Serbia në fushën e politikës së jashtëme dhe një orientim të ri të qartë strategjik të Serbisë drejt Rusisë dhe bllokut ruso-lindor. Nuk është rastësi që mediat ruse i bënë një jehonë të jashtëzakonëshme pozitive orientimit të ri qeveritar serb dejt BRICS-it.

Media kryesore e propagandës ndërkombëtare ruse “Russia Today” shkruante po në 18 qershor se presidentit serb foli për “shanset e anëtarësimit të Serbisë në BRICS-“ dhe theksonte se sipas presidentit Vuçiç “BRICS bëhet atraktiv për Beogradin zyrtar”.

Edhe organizata BRICS e priti pozitivisht orientimin e ri të Serbisë për të zëvendësuar BE-në me BRICS-in dhe në 19 qershor 2023 televizioni zyrtar i këaj organizate “TV BRICS” theksonte se presidenti serb Vuçiç deklaroi se “për Serbinë ka një të ardhme premtuese në BRICS dhe se BRICS do të bëhet një çeshtje e rëndësishme për Serbinë në të ardhmen”.

Presidenti serb, duke ndjerë pozitën të lëkundur nga protestat e mëdha të përjavëshme të opozitës, u përpoq që të siguronte një mbështetje më të madhe nga BE për pushtetin e tij autokratik dhe të korruptuar, duke i bërë një ofertë dinake BE dhe për të mbuluar disi me gjethe fiku adulterinë e tij ndaj orientimit europian.

Vuçiç deklaroi në fjalimin e tij para kombit në 18 qershor se “Serbia do të ndjekë rrugën europiane sa të jetë ai presidet edhe më pak se katër vjet”. Është një sofizëm bizantin i presidentit serb, i cili ndërsa shpalos alternativën e BRICS-it në vend të BE, ka cinizmin t’i kërkojë BE përkrahje pa kushte për presidencën e tij.

Është e habitëshme si e duron këtë shuplakë të rëndë strategjike diplomacia e BE dhe mbajti një heshtje prej mumje përballë sfidës së re nga një shtet kandidat i BE, me të cilin ka filluar edhe bisedimet e pranimit në BE.

BE nuk u ndje as kur Serbia u bë anëtare e organizatës ekonomike të Rusisë me emrin “Unioni Ekonomik Euroaziatik”. BE nuk u ndje as kur Serbia u bë anëtare vëzhguese e përherëshme në organizatën e ngushtë ushtarake të Rusisë me emrin “CSTO”. Por është tërësisht e pashpjegueshme dhe e papranueshme që nuk ndjehet tani që presidenti i Serbisë afishoi alternativën e anëtarësimit në BRICS-it në vend të BE.

Natyrisht kuptohet rrethana e pozitës së vështirë të diplomacisë së BE, që ndjehet e tradhëtuar nga kurtizanka e vogël serbe, të cilën BE e ka financuar dhe e ka përkrahur aq shumë me iluzionin se do ia heqë nga shtrati presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti serb po braktis zyrtarisht BE dhe ka zgjedhur BRICS-in si objektiv për të ardhmen e Serbisë.

Nga platforma e re stratagjike e presidentit të Serbisë për të zgjedhur BRICS-in në vend të BE shpresojmë se do të  nxjerrin mësimet e duhura shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët ndodhen nën një trysni gjithnjë më të fortë nga Serbia për hegjemoni.

Anëtarësimi u Serbisë në BRICS don të thotë që Serbia pritet të zvarrisë pas vetes në organizatën ekonomiko-politike ruso-kineze të BRICS-it edhe shtetet e rajonit, që kanë pranuar symbyllur të bëhen pjesë e projektit subrajonal serb të  “Ballkanit të hapur”.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo disa qarqe prorserbe në Mal të ZI dhe në Bosnje-Hercegovinë, që po bëjnë presion në kryeqytetet përkatëse të bashkojnë shtetet e tyre me “Ballkanin e hapur” serb, tani duhet të shkunden.  Platforma e re strategjike serbe për anëtarësimin në BRICS në vend të BE, çvleftëson përfundimisht përrallat e fanatikëve të “Ballkanit të hapur” se ky projekt serb është në përputhje me BE dhe me “Procesin e Berlinit”.

Serbia po largohet gjithnjë e më shumë nga interesat afatgjata të BE, dhe lëshimet e pandërprera joparimore të diplomacisë së BE ndaj Beogradit, do ta shpejtojnë rrugën e saj te Rusia dhe te Lindja. Platforma e re antieuropiane dhe antiperëndimore e presidentit serb është një kambanë e fortë diplomatike, për ata që duan të dëgjojnë dhe që duan të shohin disa dekada më larg.

21 qershor 2023.

Please follow and like us: