Astrit Lulushi: Shpikje dhe zbulime
Mijëra vjet më parë, njeriu bënte zbulime të rëndësishme dhe krijonte ndërtime të jashtëzakonshme. Shumë zbulime kanë ndodhur më shumë se një herë në të kaluarën, duke dëshmuar se qytetërimi i përparuar është rrjedha natyrore e specieve njerëzore, diçka e pashmangshme dhe jo mrekulli.
Puna teknike më e lashtë deri më sot është ndërtuar 23.000 vjet më parë në shpellën prehistorike të Theopetrës, pak kilometra larg qytetit Kalampaka në Greqi. Atje, njerëzit primitivë vendosën të ndërtojnë një mur guri për të ngushtuar hyrjen e shpellës. Mosha e ndërtimit përkon me periudhën më të ftohtë të epokës së fundit të akullit, gjë që dëshmon se muri u ndërtua për mbrojtje nga të ftohtit ekstrem. Pra, njeriu modern kishte gjithmonë aftësitë e nevojshme për të punuar në grup. Shpella në fjalë është me interes për shumë arsye, një ndër të cilat; aty janë gjurmët e fëmijëve, që dëshmon se 130.000 më parë, njerëzit përdornin këpucë.
Shumica e njerëzve nuk e dinë se Heroni i Aleksandrisë shpiku motorin e parë me avull rreth 2000 vjet më parë, ndërsa ndërtoi një sferë e cila rrotullohej duke përdorur fuqinë e avullit. Me të njëjtën teknologji me avull, Archytas i Tarentum, rreth shekullit V p.e.s., ndërtoi objektin e parë me aftësi fluturimi, të ashtuquajturin pëllumb fluturues. Falë presionit të avullit dhe formës së tij aerodinamike, zogu artificial mund të fluturonte një distancë prej 200 metrash. Shumë shkencëtarë spekulojnë se nëse nuk do të kishin ndërhyrë romakët, të cilët e ndërprenë dinamikën e kohës, revolucioni industrial mund të kishte ndodhur 1500 vjet më herët, pra rreth shekullit III të erës sonë. Ka edhe shpikje të tjera të rëndësishme që kanë ndodhur në të kaluarën, por ato përfundimisht humbën dhe u rizbuluan shumë vonë, në kohët moderne.
Një shembull i tillë është energjia elektrike, të cilën njerëzit e lashtë e kishin vëzhguar. Edhe pse energjia elektrike nuk ishte shfrytëzuar, ata e dinin se peshku elektrik mund të shkaktonte elektroshok te njeriu, ndërkohë që ka tekste egjiptiane të vitit 2750 p.e.s. ku peshqit e Nilit quheshim “vetëtima e Nilit”. Është mbresëlënëse që njerëzit e asaj kohe e kishin kuptuar se energjia e vetëtimës është e të njëjtit lloj. Disa shkrimtarë të lashtë tregojnë se këto goditje elektrike mund të kalonin nëpër objekte të ndryshme përçues dhe përdoreshin për sëmundje si artriti dhe dhimbja e kokës. Thales i Miletit bëri një seri vëzhgimesh mbi elektricitetin statik rreth vitit 600 p.e.s., pasi kishte parë fillimisht se një copë elektroni (qelibar) i fërkuar në një leckë të thatë tërhiqte copa të vogla kashte. Ka tregues se njeriu kishte arritur të prodhonte energji elektrike me tension të ulët, pasi vetëm pak larg Bagdadit, është gjetur një bateri primitive. Një shembull tjetër i një shpikjeje që humbi me kalimin e kohës është tipografia, me diskun e famshëm të Phaistos, i cili datohet në mijëvjeçarin II p.e.s. Disku është një mostër e hershme e tipografisë, më e vjetra në botë, pasi dizenjot në të ishin shtypur në argjilë të butë përpara se të vendoseshin në zjarr për t’u ngurtësuar. Tipografia është një shpikje shumë e rëndësishme, pasi është parakusht për shpërndarjen e gjerë të njohurive.
Mekanizmi Antikythera, i cili datohet në shekullin 2 p.e.s., dhe u zbulua thjesht rastësisht, është kompjuteri i parë i ndërtuar ndonjëherë. Shkencëtarët që studiuan mekanizmin u habitëm, pasi ai funksiononte me ingranazhe dhe është mjaft i ndërlikuar, duke pasur aftësinë për të llogaritur dhe përshkruar lëvizjet e trupave qiellorë, si Hëna, duke lokalizuar me saktësi pozicionin, megjithëse orbita eliptike e bën hënën të lëvizë me një shpejtësi të ndryshueshme (më shpejt kur është më afër tokës dhe më ngadalë kur është larg saj). Teknologjia e ingranazheve u transferua në Evropën e Rilindjes (nëpërmjet bizantinëve dhe arabëve), duke bërë që një nga shkencëtarët të deklarojë se Mekanizmi i Antikitherës është djepi i teknologjisë moderne. Në fakt, pjesët e mekanizmit janë bërë nga aliazhe metalesh të ndryshme, në varësi të funksionit që ka pasur secila pjesë.
Mendoni nëse dikush të na thoshte se 2000 vjet më parë njerëzit kishin kompjuterë, çfarë do të mendonim? – se ai dikush ishte i çmendur, dhe shkencëtarët do të deklaronin se një gjë e tillë ishte e pamundur. Gjithashtu, merrni parasysh sa e mundur është që të ketë patur shpikje të tjera të rëndësishme, njohuritë e të cilave kanë humbur.
Please follow and like us: