Dashuritë e mbyllura me dry trazojnë pellazgorët e ‘Ballkanit të hapur’
Të dashuruarit flasin shumë gjuhë, një ndër to është edhe riti me drynin e mbyllur me çelës të flakur, që shpreh dëshirën e përjetësisë së dashurisë
Drynat e dashurisë ose të njohur ndryshe si drynat e dëshirave, janë një zakon urban i krijuar për të treguar afeksionin për dikë dhe dëshirën që dashurisë së një çifti të mos i vijë fundi kurrë.
Zakonisht vihen në vende publike si ura, kalime të rrahura nga shumë njerëz apo lokacione me kuptime të veçanta.
Që prej fillimit të këtij trendi të dashurisë, nëpër të gjithë botën është përhapur me shpejtësi dëshira e zjarrtë e të dashuruarve për ta mbyllur zemrën e tyre me drynin e erosit.
Në Kinë, është Mount Huang vendi i fshehtë, ku miliona njerëz vendosin të mbyllin shpirtrat e tyre së bashku duke e flakur çelësin në humnerën ngjitur me malin. Mendohet se ideja e drynit dhe hedhjes tej të çelësit e ka origjinën nga Kina.
Në Japoni, në ishullin shkëmbor Enoshima, ekziston një rit akoma më i veçantë i rënies së një kambane, që sipas legjendës i përkiste një dragoi me pesë koka që vdiq prej dashurisë për një vajzë qiellore. Edhe sot njerëzit që duan të kurorëzojnë në mënyrë jo zyrtare dashurinë, shkojnë atje dhe i bien kambanës teksa thonë betimin. Kepi Nihonkai Fishermans, është vendi ku japonezët kanë vendosur të mbyllin zemrat e tyre së bashku, pasi atje ka shumë dryna të varur në një gardh.
Në Rusi, gjendet një nga vendet më të bukura të dashurive të mbyllura me dry. Në urën Luzhkov, në Moskë, është një pemë e hekurt, te të cilat çdo ditë varin dashurinë e tyre të përjetshme qindra njerëz fatlum të prekur prej shigjetave të Kupidit.
Në Europë, kjo praktikë lindi në fillim të viteve 2000.
Në Itali, riti u shfaq pas daljes në treg të librit “Ho Voglia di Te”, të autorit Federico Moccia, që më pas u kthye edhe në film. Në Romë ky rit aplikohet në urën Ponte Milvio, por edhe në shumë qytete të tjera.
Në Gjermani, në vitin 2009 drynat e dashurisë filluan të shfaqen në urën Hohenzollern në Cologne. Kur ky zakon ishte në fillimet e veta, personat që kujdeseshin për urën, kërcënuan se do t’i largonin drynat, por hasën me kundërshtimin masiv të qytetarëve. Që prej asaj kohe drynat e dashurisë janë shfaqur edhe në Frankfurt, Munih, Regensburg dhe Lubeck.
Në Belgjikë, drynat e dëshirave gjenden në muzeumin “MAS Antuerp” si një vepër arti e titulluar “Slot van ‘A’”. U hap fillimisht në nëntor të 2012-s dhe deri më tani numëron rreth 50.000 dryna të lidhur mes tyre nga fjalët e dashurisë.
Në Francë, në qytetin e dashurisë Paris, drynat e mbyllur janë shumë të veçantë, pasi gjenden në urat Pont des Arts dhe Pont de l’Archeveche mbi lumin Senë. Atje ka dryna dashurie të personave të famshëm dhe jo vetëm. Në vitin 2010 shumë dryna u zhdukën papritur, por pas kundërshtimit të njerëzve, administrata i ktheu menjëherë këto sende kaq të vogla, por me shumë rëndësi për dashurinë.
Në Spanjë, drynat gjenden në Sevilie, në urën Puente Isabel II, që lidh qytetin me qendrën historike Triana. Sidoqoftë për shkak të peshës së madhe që i shtuan njërës anë të urës, e cila u vu në rindërtim, drynat e dashurive të mbyllura u ndaluan përkohësisht aty. Në statujat që rrethojnë parkun Retiro në Madrid, numri i drynave të dashurisë është gjithnjë e në rritje.
Në Britani, këto simbole të mbyllura dashurie gjenden më së shumti në Touer Bridge. Në mbishkrimin kryesor nënvijëzohet se ai është vendi i dashurisë dhe i këshillon të dashuruarit t’i flakin tej çelësat, në mënyrë që të qëndrojnë përherë të lumtur.
Në SHBA, tradita e drynave të mbyllur të dashurisë është shumë e përhapur në një numër të madh shtetesh. Në urat dhe pikat kryesore gjenden vendet speciale të dashurisë, ku qindra njerëz varin drynat e tyre, mbi të cilët janë të shkruar fjalë dhe data të rëndësishme për çiftin.
Në Zvicër, në qendër të Zyrihut, ky rit ushtrohet pranë lumit Limmat, në urën që lidh Bahnhofquain me Lummatquai, ku qindra dryna të përmasave të ndryshme rrëfejnë për dashurinë e bukur të çifteve të reja dhe jo vetëm.
Please follow and like us: