Albspirit

Media/News/Publishing

Zerohet debati mbi “balonën spiune” të Kinës, ndërsa dialogu midis dy superfuqive është në veprim

Nga Artur Nura

Debati publik mbi “balonat spiune” të Kinës mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili mori një vëmëndje të madhe globale, duket se po shkon drejt shuarjes totale dhe jo rastësisht kjo, ndërsa dialogu diplomatik e politik konstruktiv midis dy super fuqive është qartazi në veprim.

Vizita e Sekretarit të Shtetit USA Antony Blinken në Pekin dhe veçanërisht takimi i tij i papritur me Presidentin Xi Jinping duket se ka hapur kanale komunikimi shumë planëshe midis dy vendeve të mëdha dhe tashmë, rezultatet pozitive të këtij komunikimi po qartësojnë qeveritë dhe vetë opinionin mbarë botëror.

Takimi i sekretarit Blinken me presidentin kinez u realizua si surprizë për të gjithë gazetarët që po ndiqnin profesionalisht vizitën e sekretarit USA në Pekin. Ai takim sigurisht duhet të ketë ndodhur kur presidenti Jinping e ka gjykuar se ja vlente një takim i tillë dhe ai padyshim do të ishte rezultativ.

CFP

CFP

Koha po vërteton në rezultate pozitive të atij takimi dhe pritet shumë më tepër, por duke u kthyer te argumenti bazë i këtij shkrimi duhet të themi se eko e gjithanshme e zhvillimit të të ashtuquajturave “balona spiune” që ngritën jo pak shqetësim botëror mediatik, tashmë po merr “goditje” domethënëse nga vetë autoritet e SHBA-ve të cilat, duket se pas verifikimeve të nevojshme për rastin, janë pronuncuar duke asgjësuar zhurmën mediatike dhe politike të spiunazhit të presupozuar!

Pas artikujve e lajmeve të përsëritura mbi të ashtuquajturin incident me balonat e spiunazhit kinez për gati pesë muaj, Pentagoni të enjten e shkuar pranoi se balona kineze nuk kishte mbledhur asnjë informacion, për të mos përmendur fare dërgimin e të dhënave në Kinë.

Ky është një rezultat objektiv që duhet përshëndetur, pavarësisht se erdhi me vonesë, pasi incidenti kish dëmtuar besimin e ndërsjellë dhe kish ndryshuar totalisht mjedisin e komunikimit midis Kinës dhe SHBA-së dhe kish bërë që të dyja palët të humbin kohë për të rivendosur marrëdhëniet.

“E vërteta vonon, por nuk harron” – thotë një fjalë e urtë shqiptare dhe që padyshim i përshtatet këtij rasti “bombastiko” mediatik i cili nxiti thashethemnaja të mëdha në redaksitë e ndryshme dhe në vetë opinionin kinezo- amerikan dhe mbarë botëror.

Komunikimi, dialogu diplomatik e politik po vërtetohet tashmë që janë të magjishëm në zgjidhjen e problematikave të mëdha historike dhe duket se nevojiten sot më shumë se kurrë për të mirën e secilës palë dhe, kur kemi të bëjmë me superfuqi për të mirën e gjithë globit.

Vullneti pozitiv Kinez së bashku me atë amerikan kur funksionojnë bëjnë të mundur më të mirën e të gjithë globit përderisa mund të influencojnë edhe në zonat ku konfliktet po bëjnë dëme të mëdha…

CFP

CFP

Si u “zerua” historia e “balonave spiune” sipas fakteve!

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kinës në shkurt të këtij viti drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, Wang Yi, ka komunikuar informalisht me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken gjatë Konferencës së 59-të të Sigurisë në Mynih.

Wang Yi ka parashtruar pozicionin e fortë të Kinës për të ashtuquajturin “incident me balonë” dhe i ka kërkuar palës amerikane të pranojë dhe zgjidhë dëmin që përdorimi i forcës i ka shkaktuar marrëdhënieve Kinë-SHBA.

CFP

CFP

Nga ana tjetër, Bloomberg duke cituar Wall Street Journal që kish raportuar se balona kineze që fluturoi mbi SHBA, ishte e realizuar me pajisje vëzhgimi të prodhuara nga Amerika dhe se kjo shkonte ndesh me deklaratat e Kinës që balona ishte për qëllime shkencore, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning i është përgjigjur se nuk ishte në dijeni të burimeve të raportit mediatik por ka shtuar: “Siç ka thënë Kina në shumë raste, mjeti civil kinez pa pilot që lëvizte mbi SHBA ishte një aksident krejtësisht i papritur i shkaktuar nga forca madhore natyrore. Duke e quajtur atë një “balone spiune” nuk është gjë tjetër veçse sajesë kundër Kinës.” – gjithmonë sipas burimeve zyrtare të ministrisë së jashtme të Kinës.

Sipas Reuters, te enjten e shkuar Pentagoni ka deklaruar se balona kineze që fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti para se të rrëzohej, nuk ka grumbulluar informacione ndërsa po kalonte hapësirën ajrore të SHBA-ve!

“Ne vlerësojmë se nuk u mor informacion ndërsa po fluturonte mbi SHBA,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder, citon Reuters që shton se balona kaloi një javë duke fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara dhe Kanada përpara se ushtria amerikane ta rrëzonte atë në brigjet e Atlantikut me urdhër të presidentit Joe Bidenit!

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur të gjithë kishin filluar të besonin tek fabula e spiunimit kinez të SHBA-ve, por sot u duhet të besojnë të kundërtën dhe këtë po ja u bëjnë me dije autoritet amerikane dhe që autoritet kineze ja u kishin pohuar që në fillim.

Ç’duhet thënë sot për historinë me “balonë spiune”?

Politika është një instrument i madh dhe i rëndë që lëviz ngadalë. Diplomacia është i vetmi instrument që mund të ndryshojë shpejtësinë e lëvizjes së politikës në drejtimin e ineteresit më të mirë publik dhe ndaj ajo duhet të jetë gjithmonë dinamike në interesin e të gjitha palëve.

Media është një instrument publik që padyshim tashmë njihet si pushtet global, ndaj dhe përgjegjësia e saj profesionale duhet të jetë në lartësinë dinamike të kohës në të cilën jetojmë. Nëse Media gabon, apo nxitohet “faturën” nuk e paguajnë pushtetet politike, por njerëzit dhe shoqëritë përkatëse./CRI.CN

https://perqasje.com/2023/07/zerohet-debati-mbi-balonen-spiune-te-kines-ndersa-dialogu-midis-dy-superfuqive-eshte-ne-veprim/?fbclid=IwAR0bAedVmAuX5AYITCSNfHDSxE_RcnT-OQh3ozY-hAp50BfwdbHIHoMPa3E

Please follow and like us: