Beogradi, ‘idioti i dobishëm’ i Putinit në Europë
Në Bashkimin Evropian, disa vende ndihmojnë me vetëdije ose pa vetëdije presidentin rus Vladimir Putin, dhe kandidatët për anëtarësim në BE, si Serbia, as nuk e fshehin afërsinë e tyre, marrëveshjet fitimprurëse me Moskën dhe mbështetjen për Rusinë, shkruan gazeta britanike The Economist në artikullim me titull “Idiotët e dobishëm të Putinit”.
Mes anëtarëve të BE-së, gazeta është e para që përmend Hungarinë, kryeministri i së cilës Viktor Orban është mbështetësi më i shquar i Putinit, sepse ai vazhdimisht kritikon Perëndimin për ndihmën e Ukrainës, si dhe importon naftë ruse e njëherësh mbron transportin e ndihmave në Kiev përmes territorit të vendit të tij.
Një tjetër anëtare e BE-së, Greqia, ra dakord me sanksionet e Brukselit kundër Rusisë, por refuzoi të kufizonte transportin e naftës ruse, e cila është shumë fitimprurëse për kompanitë greke. Economist shkruan se Qiproja, si një parajsë në det të hapur, pranoi të ngrinte rreth 40 mijë llogari ruse vetëm pas presionit të fortë nga SHBA.
Si joanëtare që nuk vuajnë aq shumë presion, Turqia dhe Serbia as që përpiqen të fshehin mundësitë që i ofrojnë Rusisë për të anashkaluar sanksionet.
Në tekst përmenden edhe Zvicra e Suedia.
Antiamerikanizmi i Luftës së Ftohtë
Zvicra, duke përmendur gjithashtu neutralitetin, bllokon dërgimin e armëve të saj në Ukrainë dhe nga vendet e treta, por në të njëjtën kohë vazhdon të blejë arin rus.
Stokholmi, nga ana e tij, me lejen e gjykatës për të djegur Kur’anin në protestë, provokoi zemërimin e Ankarasë dhe veton e Turqisë për hyrjen në NATO, si dhe komente të ashpra nga Putini.
Gazeta tregon se në Evropë partitë e së djathtës ekstreme dhe të majtës ekstreme, të cilat ndryshojnë në shumë aspekte, janë shpesh të bashkuara në kërkesën e tyre për vendosjen e menjëhershme të paqes në Ukrainë, edhe nëse kjo do të thoshte “në mënyrë që agresioni rus të shpërblehej me territore të pushtuara”, duke i dhënë kështu dritën jeshile Rusisë për të zgjeruar territorin e saj përmes luftës.
Vlerësohet se të tillë të djathtë dhe të majtë evropianë, përfshirë dhe opozita “intelektuale”, i bashkon anti-amerikanizmi i thellë i Luftës së Ftohtë, dhe përveç teorive të ndryshme konspirative, argumenti kryesor i tyre është se BE-ja i akordon shumë para për ndihmë Ukrainës.
Narrativat e këtyre partive dhe individëve janë shumë të ngjashme, dhe kryesisht përqendrohen në faktin se NATO provokoi sulmin e Rusisë, se Ukraina është një krijesë artificiale që i përket Rusisë dhe se SHBA-ja qëllimisht po i hedh benzinë ??zjarrit për të shitur armë dhe që të ruajë hegjemoninë e saj botërore.
Si shembull, gazeta thekson se liderja e ekstremit të djathtë në Francë Marie Le Pen, zv/kryeministri italian Matteo Salvini dhe krerët e ekstremit të djathtë gjerman Alternativa për Gjermaninë dhe të tjerë janë unikë në pikëpamje të tilla./The Economist